INVA HASANALIAJ
Janë të shumtë pushuesit por edhe banorët në vende të ndryshme të Shqipërisë që gjatë beharit, vuajnë mungesën e ujit të pijshëm. Një ndër këto zona është edhe qyteti i Vlorës, që edhe gjatë këtij sezoni veror duket se nuk po e shmang dot këtë problematikë.
Vlora renditet ndër bashkitë që pret shumë turistë gjatë sezonit veror, por në këtë drejtim ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur si nga pushteti vendor edhe ai qendror.
Gjatë një deklarate për shtyp, nënkryetari i Partisë Demokratike dega Vlorë, Kreshnik Alimerko theksoi: “Qytetarët e Vlorës nuk furnizohen 24 orë me ujë dhe cilësia është një ndër më të dobtat”.
“Faktoje” vendosi të komunikojë me Ujësjellës Kanalizime Vlorë, për të mësuar më shumë për gjendjen dhe lagjet specifike të prekura më tepër nga kjo problematikë. Për tre ditë rradhazi u përpoqëm të kontaktonim me të gjithë numrat e vendosur në dispozicion nga ky institucion por pa asnjë përgjigje.
Të gjendur në këtë situatë, u detyruam të kontaktojmë me bashkinë e Vlorës. Edhe pse ndodhemi në mesin e sezonit turistik, ky institucion duhet të jetë në dispozicion të qytetarëve por duket se nuk ndodh kështu. Askush nga zyrat e Bashkisë Vlorë nuk iu përgjigj telefonatave tona.
Nga kontaktet që patëm me disa prej qytetarëve mësuam se zona në hyrje të qytetit osi siç njihet ndryshe lagjja “Kushtrimi”, aktualisht furnizohet vetëm me dy orë ujë në ditë. Konkretisht uji vjen në orën gjashtë të mëngjesit deri në orën shtatë, dhe nga ora gjashtë e pasdites deri në orën shtatë.
Sipas tyre kjo është bërë e zakonshme çdo sezon ndërsa për cilësinë as që bëhet fjalë sepse uji vjen bashkë me gjithë papastërtitë e rrjetit.
E njëjta situatë është edhe në lagjen “24 Maj” , “Lirimi”. Zgjidhja momentale për banorët ka qenë drejtimi për nga burimet e zonës së Ujit të Ftohtë me bidona nëpër duar. Një gjë e tillë sigurisht që nuk krijon asnjë imazh pozitiv në sy të turistëve. Vlen të përmendet edhe fakti që sezoni veror është e vetmja periudhë gjatë së cilës vendasit dhe banorë të tjerë shfrytëzojnë mundësinë për të siguruar disa të ardhura më tepër.
Nisur nga kontaktet me qytetarët, “Faktoje” e konsideron deklaratën e nënkryetarit të Partisë Demokratike dega Vlorë, Kreshnik Alimerko, TË VËRTETË.