ANXHELA RUÇI
Pas zgjedhjeve të 30 qershorit dhe pikëpyetjeve për legjitimitetin e tyre, një tjetër debat ka përfshirë opinionin mbi mandatimin e kryetarëve të rinj bashkiakë dhe zëvendësimin e atyre të zgjedhur në 2015-n.
Kryetarët e zgjedhur 4 vite më parë nga radhët e opozitës refuzojnë të lëshojnë “karriget”, vendim i cili u bë publik nga vetë kryetari i PD Lulzim Basha në 3 korrik pas takimit që zhvilloi në selinë e kësaj partie me Kolegjin e Kryetarëve. Nga ana tjetër kandidatët fitues të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit thonë se do të marrin detyrën që u takon sipas afateve të përcaktuara ligjore.
Eksperti i vetëqeverisjes vendore Shefqet Bruka, i pyetur nga “Faktoje” se kujt i takon “karrigia e bashkisë”, në një situatë të tillë konfliktuale, argumenton se i takon gjykatave të rretheve përkatëse të marrin vendim, i cili legjitimon mandatin e kryebashkiakut.
“Deri sa mandatet të zëvendësohen ligjërisht me vendim të gjykatës së shkallës së parë, mandati i kryebashkiakëve të dalë nga zgjedhjet vendore të 2015-ës është i vlefshëm. Nëse gjykata vërteton mandatin e kryetarëve të dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, kryebashkiakët e vjetër duhet të lirojnë zyrat.”
Deri më tani Gjykatat e Rretheve nuk kanë humbur kohë dhe kanë njohur mandatet për 16 kryetarë bashkie, të cilët pritet të betohen në mbledhjen e parë të këshillit bashkiak dhe të fillojnë punën për 4 vitet e ardhshme.
Disa kryebashkiakë të djathtë s’kanë ndërmend të bëjnë rezistence
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha edhe pas 3 korrikut vazhdon të inkurajojë të zgjedhurit e 2015-s të mos lirojnë zyrat, sepse e konsideron ‘nul’ procesin e 30 qersorit. “Faktoje” kontaktoi disa prej kryetarëve të djathtë në largim dhe mori përgjigje që shkojnë kundër porosisë së Bashës. Ata deklarojnë për “Faktoje” se çdo veprim do të jetë ligjor duke shmangur konfliktet që çojnë në përplasje fizike për lirimin e ambjenteve të bashkisë.
Eduart Kapri kryetari i djathtë në ikje i bashkisë Pogradec, iu përgjigj kështu pyetjes së “Faktoje”:
“Ne do të marrim çdo veprim ligjor dhe këtu nuk shtrohet problemi që të bëhen veprime forcërisht, por ligjore, domethënë do të shohim gjithë hapësirat ligjore.”
Eduart Kapri, kryetari i bashkisë Pogradec
Përparim Shametaj, kryetari i zgjedhur në 2015-n në krye të bashkisë Selenicë, u përgjigj me tone pajtuese, edhe pse një ditë më parë, kryetari i PD-së Basha gjatë vizitës në Selenicë e nxiti të mos lironte zyrën e bashkisë.
“Kryetarë bashkie janë ata që zgjidhen dhe vijnë nëpërmjet zgjedhjeve të rregullta, Ai është një person i emëruar për mua. Nëse ato do të çertifikohen, pavarësisht sesi janë zhvilluar, ne patjetër që nuk do të dalim kundër institucioneve të rëndësishme që monitorojnë. Unë një gjë ju garantoj, sa të jem në krye të asaj bashkie do të bëj më të mirën për këtë komunitet, ajo zonë boll ka pasur viktima, boll ka pasur konflikte dhe përplasje dhe unë asnjëherë nuk do ti nxisja ato”
Përparim Shametaj, kryetari i bashkisë Selenicë
“Faktoje” pyeti edhe të zgjedhurin nga radhë e LSI-së në 2015-n si kryebashkiak të Bulqizës i cili u tregua i drejtpërdrejtë:
“Çfarë do bëjmë, do zbatojmë vendimin e qeverisë dhe të gjykatës.” Melaim Damzi kryetari i bashkisë Bulqizë, LSI
Melaim Damzi, kryetari i bashkisë Bulqizë
Procedura e mandatimit të kryetarit të bashkisë
“Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë” dhe ligji për “Vetëqeverisjen vendore” në nënin 60 të saj cakton qartë mandatimin e kryetarit të bashkisë.
Sipas procedurës ligjore, pasi Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve shpall rezultatin përfundimtar të tyre, fillon procedura e shpërndarjes së mandateve për çdo zonë zgjedhore.
Brenda 20 ditëve nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, gjykata e rrethit gjyqësor duhet të vërtetojë mandatin e kryetarit të bashkisë.
Pas vërtetimit të dhënë nga gjykata, kryetari i mandatuar bën betimin përpara këshillit bashkiak. Ushtrimi i mandatit të kryetarit të bashkisë fillon në çastin kur bën betimin dhe përfundon kur bën betimin kryetari pasardhës.