Sebi Alla Me shtatë vota pro, Klodian Braho u zgjodh kreu i ri i Prokurorisë Speciale, SPAK, ndërsa rivali më i afërt i tij Adnan Xholi siguroi tre vota, Elvin Gokaj një votë dhe e vetmja kandidate Doloresa Musabelli, nuk arriti të merrte asnjë votë.
I sapozgjedhuri Braho me mandat 3-vjeçar është drejtuesi i tretë i SPAK, institucion që është drejtuar më parë nga Arben Kraja dhe Altin Dumani.
Edhe pse 20 prokurorët specialë cilësohen si të pavarur në hetimin e dosjeve, drejtuesi i institucionit ka rëndësi në frymën që përçon, krijimin e marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë por edhe organizimin e SPAK.
Ambasadorët në sallë
Ndërsa 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë kishin në duar emrin e drejtuesit të ri, jo pa rëndësi madje shumë e rëndësishme qe prezenca e madhe e ambasadorëve të huaj në vendin tonë, përfshi të dërguarën me punë të ambasadës së SHBA-së, ambasadorin e Britanisë së Madhe, ambasadorin e BE-së, ambasadorin e Gjermanisë, ambasadoren e Francës dhe disa përfaqësi të tjera nga vendet e BE-së. Vetëm një ditë më parë, në qëndrimet zyrtare ambasadorët kërkuan që drejtuesi i SPAK të zgjidhej pa trysni, në mënyrë transparente dhe bazuar në meritë. Përtej qëndrimeve zyrtare, prania e tyre në sallë tregoi rëndësinë që vendet partnere i kanë dhënë një prej institucioneve të reja të drejtësisë, Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila funksionon që nga viti 2019.
Prezantimi
Të katër kandidatët ngjashëm në platformat e tyre premtuan vijimësi në punës e Prokurorisë Speciale dhe bashkëpunim edhe më të madh me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht në hetimet e përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar. Gjatë prezantimit, kandidati Braho, i cili më vonë bindi shumicën e anëtarëve të KLP-së, tha se prioritet janë vijimi i punës kryesisht kundër korrupsionit, pa lënë pas krimin e organizuar, por edhe përballjen me sfidat organizative.
“Sa i përket ushtrimit të ndjekjes penale, garantoj zbatimin e parimit të barazisë, do të kryej veprime të nevojshme për të mbrojtur pavarësinë e prokurorëve të posaçëm, do të mbështes prokurorët në ushtrimin e detyrës, në rast ngarkese do të procedohet me krijimin e grupeve hetimore, vendimet e prokurorëve nuk janë personale por janë qëndrime të institucionit”, tha Braho në prezantimin e platformës së tij, ndërsa vuri theksin se lufta kundër korrupsionit do të mbetet prioritet.
Braho përcolli qartazi mbështetjen për punën e deritashme të Altin Dumanit në krye të SPAK duke e diferencuar.
“Nga zoti Dumani do të merrja vendosmërinë dhe nga zoti Kraja qetësinë në kryerjen e detyrës. Kur të dy ushtronin detyrën, institucioni nuk ka qenë i njëjti. Në rastin e zotit Kraja, institucioni duhet të ishte më aktiv. Por ishte një periudhë as 3 vite. Në krahasim me zotin Dumani, do i merrja anën e mirë të produktivitetit”, tha Braho.
Kush është Klodian Braho
I emëruar prokuror në vitin 2007, aktualisht mban detyrën e shefit të seksionit kundër korrupsionit në Prokurorinë e Posaçme. Ai ka patur një rrugëtim të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke mbajtur pozicione të rëndësishme në hetimin e rasteve të korrupsionit. Braho është prokurori, i cili ka hetuar inceneratorin e Elbasanit, duke nxjerrë urdhër arresti për shumë persona mes të cilëve, Mirel Mërtiri, Stela Gugallja, Klodian Zoto dhe duke ndarë hetimin për ish zv/kryeministrin Arben Ahmetaj. Braho ka hetuar gjithashtu dosjen 5D duke dërguar në gjyq ish-drejtorët e Bashkisë së Tiranës. Një tjetër dosje e hetuar dhe e dërguar në gjyq nga prokurori është edhe ajo e njohur si “Toyota Auris”. Braho është pjesë edhe e grupit të prokurorëve që firmosën dosjen për ish-ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, tashmë në proces gjyqësor, nën akuzën për “shpërdorim detyre” në lidhje me rolin e tij si ministër në ngjarjen e Gërdecit.
Votimi
Të 11 anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë votuan në mënyrë të hapur ku në fletën e paraqitur shënuan emrin e kandidatit që dëshironin të ishte në krye të SPAK dhe njëkohësisht edhe emrin e tyre. Klodian Braho mori votat e anëtarëve të KLP Moisi Duda, Olger Eminaj, Mirela Bogdani, Ledina Riza, Erind Gërmenji dhe Arta Mandro. Kandidati tjetër Adnan Xholi u votua nga Sokol Stojani, Erind Mërkuri dhe Vatë Stakaj, ndërsa Elvin Gokaj u votua nga Erion Fejzulla.






