Sali Berisha nuk ishte në mesin e 20 deputetëve, që grupi parlamentar i Partisë Demokratike dërgoi në Prishtinë, për mbledhjen e përbashkët të premten me Kuvendin e Kosovës. Paralelisht me fjalën e mbajtur të Elisa Spiropalit si kryeparlamentare e Shqipërisë nga “podiumi” i Prishtinës, kryetari i PD-së, Sali Berisha, lajmëroi nga Tirana një dalje të posaçme për mediat.  Berisha mungoi, por jo mesazhi i tij se ruan lidhje personale me Kosovën, kur komentoi takimin e Prishtinës, duke përdorur strategjinë më efektive për të tërhequr vëmendje; kartën e emocioneve. E tillë duhet parë edhe narrativa e përdorur prej tij për këngën “Mora Fjalë” përmbajtjen e së cilës shqiptarët e Kosovës e shohin si himn të qendresës dhe forcës shpirtërore.

Ne foto: Sali Berisha gjate nje takimi me te rinjte diten e 8 Dhjetorit

Ditën e të rinjve, më 8 dhjetor, Berisha tha se kënga (fort e kënduar nga tifozët gjatë ndeshjeve që na kualifikuan në Euro 2024) u ndalua së kënduari nga Edi Rama.

screenshot e deklarates se Sali Berisha mbajtur me 8 dhjetor

“Së fundmi, (Rama) ndaloi dhe himnin e dytë të shqiptarëve; Mora fjalë. Por a mund të ngrihesh ti kundër një kënge, që i kushtohet një burri që ka vendosur një kreshtë absolute botërore, heroizmi dhe guximi, sakrifice dhe atdhetarie, i shkrirë me 54 anëtarë të familjes në një kohë që mund të largohej, në një kohë që mund të dorëzohej. Dhe tani ajo këngë nuk duhet të këndohet”, tha Berisha më 8 dhjetor. Ai e risolli në vëmendje (këtë deklaratë) një ditë para takimit të dy Kuvendeve Shqipëri- Kosovë duke shqiptuar ndër radhë se, “Edi Rama e ndaloi (këngën) me urdhër të Beogradit”.

screenshot e deklarates se Sali Berishes me 19 dhjetor

Nuk mungoi deklarata nga Tirana as ditën e mungesës së tij në mbledhjen simbolike mes dy Kuvendeve. “…E lexova tre herë atë këngë, nuk ka asnjë presje që të nxisë armiqësira, racizëm, por ama i këndon një heroi, të cilin bota nuk e ka. Nuk ka një komb tjetër që një luftëtar të luftojë tre ditë e net me të madh dhe të vogël në shtëpi, të mos ikë, ndërkohë që i kisha të gjitha mundësitë që të tërhiqej. Kemi pasur një rast, Oso Kukën me nipin, kurse Adem Jashari kreu këtë akt më madhështorin në hierarkinë e heroizmave dhe Edi Rama i ndalon këngën pasi u lejua, pasi Shkurte Fejza këndoi në stadiumin e Tiranës…”

“Mora Fjalë”

“Mora Fjalë”, gati 2 dekada pasi u krijua, u përqafua masivisht nga shqiptarët dhe u këndua nga tifozët në çdo ndeshje të Kombëtares sonë.

Foto e shkeputur ne Hamburg me 19 qershor, 2024. (Photo by JOHN MACDOUGALL / AFP)

Kompozitori Naim Gjoshi ende sot nuk e ka një përgjigje pse kjo ndodhi pas më shumë se 20 vitesh, kur ai e kishte kompozuar atë tre vite pas vdekjes së komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari. Ky i fundit ra dëshmor më 7 mars 1998 bashkë me 56 anëtarë të familjes gjatë rrethimit të kullave nga mijëra forca ushtarake serbe. “Çohu Adem”, ishte titulli i parë. Këngëtarja e njohur Shkurte Fejza e dëgjoi rastësisht në një koncert në Drenicë për ta ripërpunuar në një tjetër studio muzikore me titullin e ri “Mora Fjalë”

FAKT

Gjatë Europianit 2024 kënga “Mora Fjalë” nuk u këndua zyrtarisht. Tifozët nuk u ndaluan për ta kënduar por UEFA kishte një tjetër listë nga Shqipëria. Sali Berisha thotë se kënga është ndaluar nga kryeministri Edi Rama. Për të verifikuar vërtetësinë e kësaj deklarate, se kush e vendos (apo jo) ndalimin e këngës, pse nuk u këndua zyrtarisht gjatë Euro 2024 (nga tifozët po),  dhe çfarë po ndodh në kanalet zyrtare të komunikimit UEFA-FSHF për këngën virale “Mora Fjalë’, Faktoje.al iu drejtua me një kërkesë zyrtare për informacion Departamentit të Komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit. Fillimisht nga FSHF sqarohet se, “nuk ka pasur një vendim për ta cilësuar si himn të Kombëtares shqiptare në kualifikueset e Euro 2024 këngën ‘Mora fjalë’, pavarësisht se kjo këngë është luajtur dhe kënduar vazhdimisht nga tifozët në çdo ndeshje”.  

“Në fakt, FSHF muaj përpara fazës finale të Europianit “Gjermani 2024” zgjodhi, edhe nëpërmjet konsultimit dhe sugjerimeve publike kolonën e saj muzikore “Po ku ka si ti o Shqipëria ime!” (kënga “Rrjedh në këngë e ligjërime” e kënduar nga Vaçe Zela) për të qenë himn i saj dhe slogan në Europian. Po kështu, më tej edhe këngët “Për ty atdhe” të Mentor Xhemalit, “Thërret Prizreni mori Shkodër” të Aurela Gaçes dhe “Albania” të Capital T.  Dhe kjo ishte një zgjedhje siç çdo institucion do të bënte përpara një eventi madhor.

Po kështu, kjo këngë simbol dhe e gjithëpëlqyer në çdo truall shqiptar e kudo në botë ku jeton mbarë shqiptaria është pritur po kaq mirë në mbështetje të skuadrës tonë.

“Po ku ka si ti o Shqipëria ime!” është edhe brandi që ne zgjodhëm e që na shoqëron me plot pasion në çdo stadium kombëtar e ndërkombëtar ku luajmë”, thotë FSHF  

A është gjobitur ndonjëherë FSHF për përmbajtjen e këngës “Mora Fjalë” dhe a mundet ta këndojnë tifozët edhe sot e kësaj dite? “Tifozët e kanë kënduar në shumë raste këngën “Mora fjalë” në stadium dhe asnjëherë FSHF nuk është gjobitur për këtë arsye”, thotë FSHF.

Arsyet e gjobitjes sipas Federatës janë të tjera.

“Lidhur me shfaqjen në stadium nga tifozët të simboleve si UÇK, flamuj Autoktonus me hartën e Shqipërisë së madhe apo me foto të komandantëve të UÇK, FSHF është gjobitur nga UEFA për faktin se të gjitha këto simbole nuk kanë lidhje me sportin, por kanë përmbajtje dhe konotacione politike dhe nacionaliste”.

Federata nënvizon gjithashtu se, nuk kemi pasur pretendime në lidhje me këngët që vihen në stadiumin tonë apo problematika e ankesa nga UEFA, në asnjë rast”.

“UEFA apo FIFA konsiderojnë të papërshtatshme thirrjet e koret e tifozëve në stadium gjatë ndeshjeve që kanë motive raciste, diskriminuese, ksenofobike dhe që ofendojnë ekipet apo kombet e tjera”, thuhet në reagim. Më tej FSHF kalon tek thelbi i debatit. “FSHF nuk ka censuruar asnjë këngë apo në rastin konkret, me gjithë respektin maksimal, këngën e zonjës Fejza “Mora Fjalë”, për të cilën është shpikur së fundmi e gjithë ky debat pa sens.  Ne nuk kemi asnjë tagër të censurojmë, jo këtë këngë muzikore, por asnjë prej shumë të tjerave që këndohen e pëlqehen nga e gjithë shqiptaria në ndeshjet e ekipit kombëtar të futbollit. Madje, ka qenë FSHF që e ka promovuar këtë këngë dhe në ndeshjen kualifikuese të Euro 2024, Shqipëri-Çeki në tetor të vitit 2024 ka ftuar këngëtaren Shkurte Fejza për të performuar në stadium. Njëkohësisht, nuk ka asnjë vendim zyrtar të UEFA-s për ndalimin e këngës ‘Mora fjalë’ në stadium”, sqaron FSHF

Përfundim

Nisur nga përgjigja shteruese e Departamentit të Komunikimit të FSHF-së, deklaratën e Sali Berishës se këngën “Mora Fjalë” e ndaloi kryeministri Edi Rama do ta kategorizojmë të pavërtetë.

Artikulli paraprakNASA nuk fshehu nga kamerat uljen në hënë të anijes Odysseus
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.