Thuajse 120 mijë biznese do t’i thonë “lamtumirë” kasave fiskale që kanë blerë. Me ligjin e ri anti-informalitet kasat zëvendësohen, me kosto shtesë, me pajisje elektronike. Megjithatë ekspertët ngrenë dyshime në suksesin e zbatimit të këtij ligji për disa arsye.
————————————————————————————————————————————————————-
MERXHAN DACI
Nga 1 janari 2020 të gjithë transaksionet midis bizneseve dhe konsumatorit do të raportohen te administrata tatimore në kohë reale bazuar në një sistem të ri të pajisjeve fiskale. Ndërsa nga 1 janari i vitit 2021 raportimet do të bëhen në bazë të faturës elektronike.
Qeveria ka prezantuar një projektligj që do të heqë kasat fiskale duke futur sistemin elektronik të raportimit të të dhënave të biznesit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj garantoi se nuk do ketë më fshehje apo të dhëna të manipuluara ndërsa Drejtoresha e Përgjthshme e Tatimeve, Delina Ibrahimaj duke iu referuar vende që e kanë zbatuar më herët këtë sistem kanë rezultuar në një mbledhje më të mirë të taksave nga 10-15 %.
Projektligji
Projektligji i dalë për konsultim publik në fund të korrikut detyron bizneset të përdorin një pajisje kompjuter, tablet apo “smartphone” me një linjë interneti për të raportuar në fund të ditës xhiron e tyre.
Ky ligj zbatohet për të gjithë tatimpaguesit që lëshojnë faturë, organet publike, bankat, institucionet financiare dhe ndërmjetësit e tjerë që ofrojnë shërbime.
Përjashtim do të bëjnë prodhuesit bujqësorë, biletat në linjat e transportit urban, shitësit “ambulantë” dhe individët në rastet kur japin me qira një ambient.
Pikëpyetjet dhe kriticizmi për projektligjin
Bizneset deri më tani kanë punuar me kasat fiskale të cilat i kanë blerë vetë me kosto që shkonin mbi 300 euro për pajisje, pa llogaritur kostot e mirëmbajtjes. Edhe me këtë projektligj, kostot e sistemit elektronik do t’i kenë bizneset.
Zija Lika, ekspert i ekonomisë, tha për “Faktoje” se si nismë, zëvendësimi i kasave të vjetra me sistemin elektronik është pozitive për të luftuar informalitetin.
“Në aspektin teorik është pozitive pasi mbart aksesin e marrjes në kohë të të dhënave, përpunimit të tyre përmes programeve informatike dhe evidentimin e subjekteve me risk të mundshëm për kryerje evazioni fiskal, në mënyrë që ato të kontrollohen në kohë nga administrata tatimore”.
Megjithatë, sipas Likës, efekti i projektligjit ka të bëjë me faktin se sa e përgatitur, e drejtë, e papolitizuar dhe e pakorruptuar është administrata tatimore, gjë që sipas tij është shumë e vështirë.
Edhe Fatos Çoçoli, po ashtu ekspert i ekonomisë ka dyshime tek profesionaliteti i administratës.
“Se sa arrihet ulja e informalitetit, për këtë ka shumë pikëpyetje. Do të varet shumë nga parapërgatitja e administratës sonë tatimore, pasi dijet e saj për infrastrukturën e detajuar që kërkon faturimi fiskal ‘online’ janë ende shumë të pakta”, tha ai për Faktoje.
Ai shton se pas kësaj nisme ka gjasa që biznesi të ndihet i pambrojtur.
“Në rastet kur çështjet shkojnë në gjykatë, për deformime të raportimit online, të dhënat e biznesit nuk mund të çertifikohen, të dhënat e serverit të tatimeve po. Një problem të tillë ka patur edhe procedura e fiskalizimit në Kroaci”, thotë ai.
Në tetor të vitit 2018 një tender me vlerë 1.9 miliardë lekë (ose 15 mln euro) u dha për përmirësimin e sistemit ekzistues të kasave fiskale. Tenderi i fitua nga një bashkim i tre kompanive, dy shqiptare dhe një kroate.
Partia Demokratike e kishte denoncuar këtë tender duke e quajtur korruptiv.
Ende nuk dihet se si ky tender e ka përmirësuar sistemin e kasave fiskale teksa qeveria ka vendosur vetëm një vit pas këtij tenderi të kushtueshëm heqjen e tyre nga qarkullimi.
Sa informale është ekonomia shqiptare?
Në 1 shtator 2015, Qeveria filloi zyrtarisht një aksion ndaj informalitetit në shkallë vendi.
Aksioni u shoqërua me ankesa nga bizneset lidhur me kontrolle të shtuara në terren nga ana e inspektorëve tatimorë, që sipas tyre penalizonin në pjesën më të madhe biznesin e vogël.
Sipas FMN, informaliteti në Shqipëri në vitin 2015 llogaritej zyrtarisht në shkallën 26%. Pas këtij viti nuk ka të dhëna zyrtare që flasin për këtë fenomen. Në mënyrë jo zyrtare gjithmonë është pranuar një shifër më e lartë informaliteti se ajo që raporton FMN.
Ministri i Shtetit për Sipërmarrjen Eduart Shalsi në një intervistë për A2 CNN në maj të këtij viti pranoi se informaliteti është ende problem për ekonominë shqiptare duke përmendur se niveli i tij arrin në 30%.
“E pranoj që informaliteti vazhdon të jetë problem, por që ta luftosh duhet një kuadër institucional. U nisëm nga 60% informalitet dhe tani jemi në nivelin 30%. Në një vend me 2,8 milionë banorë, me 400 mijë ndërtime pa leje, kishte fuqi punëtore që sot është formalizuar. 100% nuk e bëjmë dot sot për nesër”, tha Shalsi.
Eksperti Zija Lika mendon se informaliteti është ende i madh duke shtuar se në Shqipëri sistemi fiskal ka qenë përgjithësisht i kriminalizuar.
“Sa i takon evazionit fiskal, kontrabandës, shmangies apo mospagimit te detyrimeve fiskale, mendoj se është në nivele shumë të larta, rreth 50%”, tha Lika
“Janë miratuar e zbatuar ligje të cilat u japin mundësi të mëdhenjve të favorizohen apo përjashtohen nga pagesa e detyrimeve fiskale. A nuk është shumë e padrejtë dhe korrupsion pëmes ligjit që hotelet me 4 apo 5 yje, të cilat gjenerojnë të ardhura kolosale, të përjashtohen pothuajse nga të gjitha detyrimet fiskale?!”, shton ai.
Fatos Çoçoli thotë se fushatat kundër informalitetit kanë bërë që kuponi të përdoret më shumë, por ai e konsideron betejën jo të fituar. Sipas tij, shumica e kasave tek bizneset e vogla kanë zënë sërish pluhur dhe duhen gjurmuar transaksionet biznes-biznes pasi sipas tij në këto shitblerje realizohet evazioni më i madh.
Teksa nuk dihet se sa e kanë ulur fushatat e qeverisë informalitetin dhe nëse tenderi 15 milionë euro e ka përmirësuar sistemin e kasave aktuale, mbetet për t’u parë se sa i suksesshëm do të jetë zbatimi i sistemit të ri ambicioz nga ekzekutivi.