.

.

Home Aktualitet KAS rrëzon KQZ: Paketa e Maleve të miratohet nga Kuvendi, nuk ndikon tek zgjedhjet   

KAS rrëzon KQZ: Paketa e Maleve të miratohet nga Kuvendi, nuk ndikon tek zgjedhjet   

0
KAS rrëzon KQZ: Paketa e Maleve të miratohet nga Kuvendi, nuk ndikon tek zgjedhjet   
Ne foto: Nga mbledhja e te merkures ne KAS FOTO: LSA

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) pranoi në thelb ankesën e Kuvendit ndaj vendimit të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve, që rekomandonte bllokimin e dy nismave ligjore: “Paketën e Maleve” dhe ndryshimet në ligjin për TVSH-në në bujqësi. Pas shqyrtimit një orësh të ankesës, KAS vendosi të shfuqizojë vendimin e KQZ.   

Kryekomisioneri, Ilirjan Celibashi, kishte vlerësuar më herët se dy draftet prekin politika të rëndësishme fiskale dhe mund të ndikojnë drejtpërdrejt në zgjedhjet e 11 majit, duke shkelur parimin e barazisë mes aktorëve ekonomikë. Sipas KQZ dy draftet krijojnë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për përfitime elektorale.

Por në kundërshtim me këtë argument, zyra juridike e Kuvendit bashkë me dy këshilltaret e komisioneve (ku po ndiqen projektligjet)  pretenduan në mbledhjen e KAS se nuk ka përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët.  

Ne foto: Drejtoresha e zyres juridike te Kuvendit, dy keshilltaret e Kuvendit dhe deputeti i PS-se, Erion Brace Foto: LSA

Arsyet

Për “Paketën e Maleve”, Kuvendi parashtroi katër arsye pse kjo nismë nuk bie në kundërshtim me Kodin Zgjedhor: Nuk përfshin shpërndarje të fondeve publike, synon rregullimin e çështjeve të pronësisë në zonat malore, përfitimet janë afatgjata dhe jo të menjëhershme dhe se zbatimi i saj nuk favorizon një grup të caktuar.

Në argumentet e Kuvendit për pr/ligjin për TVSH në Bujqësi thuhet njësoj se nuk ka përfitime të drejtpërdrejta për kategori specifike të popullsisë. Nismëtari i këtij projektligji, deputeti i PS, Erion Brace argumentoi gjithashtu gjatë mbledhjes së KAS se projektligji nuk ndryshonte nivelin e taksave për një grup të caktuar zgjedhësish, por sillte një rregullim të përgjithshëm të TVSH-së për sektorin bujqësor.

Kuvendi kërkoi shfuqizimin e vendimit të Ilirjan Celibashit, konstatimin se asnjëri prej projektligjeve të sipërpërmendur nuk bie ndesh me  Kodin Zgjedhor, si dhe lejimin e vijimit të procedurave parlamentare për shqyrtimin dhe miratimin e projektligjeve në fjalë pa kufizime të pajustifikuara.

KAS

Gjatë mbledhjes në Komisionin e Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS), anëtarët pyetën Kuvendin nëse mosmiratimi i Paketës së Maleve në këtë sesion parlamentar do të kishte ndonjë pasojë konkrete. Përfaqësuesit e Kuvendit pranuan se çdo vonesë mund të ketë një ndikim, por nuk përcaktuan se sa: “Çdo vonesë ka një impakt, por nuk mund ta vlerësoj se sa do të jetë ky impakt”.

Deputeti i PS-së, Erion Braçe, deklaroi se për projektligjin për bujqësinë kishte pasur dakordësi edhe me opozitën në mbledhjen e konferencës së kryetarëve, ndryshe nga Paketa e Maleve, e cila ishte përfshirë vetëm si prezantim.

Përfaqësuesja e Kuvendit theksoi se nuk kishte nxitim për ta kaluar Paketën e Maleve me procedurë të përshpejtuar

Megjithatë, Kuvendi nuk dha një përgjigje të drejtpërdrejtë për shqetësimin e ngritur nga një anëtar i KAS nëse Kryeministri Edi Rama mund ta shfrytëzonte këtë nismë për qëllime elektorale gjatë takimeve të tij në zonat e prekura nga projektligji.

Previous article E gjeneruar foto e Trump dhe Netanyahu në Gaza Riviera
Next article Flamuri i zi amerikan jo një protestë ndaj ndikimit të Izraelit mbi ShBA
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.