INVA HASANALIAJ
“Nga 1 janari nuk do të ngrihet asnjë qepen për baste dhe asnjë qepen në zonat e banuara për kazinotë elektronike”, kështu është shprehur kryeministri Edi Rama gjatë një interviste televizive në datën 9 tetor 2018.
Kjo frazë dhe vendimi shoqërues, krijoi një debat mjaft të madh si në media ashtu edhe në opinionin publik. Rritja e numrit të pikave të basteve ka përbërë gjithmonë një plagë të hapur për shoqërinë shqiptare por nuk ka qenë kjo hera e parë për të cilën është folur e diskutuar.
Nënkryetarja e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku përmes një deklarate për shtyp në datën 03/08/2018 tha se 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katërfishuar.
“Në treg, në vitin 2013 ishin 928 pika bastesh dhe 4 vjet pas ardhjes në pushtet të Edi Ramës, pikat e basteve janë katërfishuar, duke numëruar 4230 pika bastesh”- tha Tabaku.
Që prej datës së dhënies së deklaratës, “Faktoje’’ vendosi të verifikojë vërtetësinë e saj dhe komunikoi me Qendrën Kombëtare të Bizneseve për të marrë një listë të plotë të numrit të kazinove, pikat e basteve dhe lojrave elektronike të reja të hapura në çdo qytet të Shqipërisë nga viti 2013 deri në vitin 2017.
Edhe pse nga vëzhgimet në terren, rezulton se një pjesë e këtyre pikave kanë filluar të çmontojnë pajisjet apo të mbledhin objektet bastvënëse pas deklaratës së kreut të ekzekutivit, “Faktoje’’ e pa të arsyeshme të postojë këtë artikull për vërtetësinë ose jo të deklaratës së një zyrtari/eje.
Sipas QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit) duke qenë se regjistri tregtar nuk është i ndërtuar për të mbajtur dhe gjeneruar statistika ndër vite për numrin e hapjes dhe mbylljes së adresave dytësore të subjekteve, por vetëm të veprimeve të subjekteve, “Faktoje-s” iu ofrua vetëm lista e subjekteve të cilët kanë deklaruar në objektin e veprimtarisë kazino, lloto, baste sportive dhe lojra fati.
Nga të dhënat e filtruara nga kjo listë rezulton se për kategorinë e “Basteve Sportive” numri i adresave sekondare sipas rretheve rezulton të jetë:
Në një tjetër intervistë televizive të kryeministrit Edi Rama dhënë në 16 tetor 2018, thuhet sipas tij se kompanitë që merren me këtë aktivitet janë përgjysmuar.
Kjo padyshim që është e vërtetë por pikat e këtyre kompanive apo siç përkufizohet ndryshe, janë shtuar dhe shumëfishuar. Kjo të paktën për kategorinë e “Basteve Sportive” të kontrolluara nga “Faktoje” të cilat nga tabela e mësipërme duket qartazi se janë shtuar me 2488 pika të reja.
Nisur nga shifrat e referuara prej QKB-së, rezulton se numri i pikave të basteve sportive, apo adresave sekondare sipas këtij institucioni është trefishuar. Kësisoj, deklaratën e nënkryetares së Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku do ta kategorizojmë TË VËRTETË.