Ish-Radio Tirana ende në pritje të restaurimit

Mbi dy vite e gjysmë më vonë, monumenti vazhdon të mbetet pa ndërhyrjen e premtuar

30

Nga Jona Cenameri

Në korrik 2023, Ministria e Kulturës lajmëroi me entuziazëm “shpëtimin” e ish-godinës së Radio Tiranës.

buletinin mujor të ministrisë, projekti i restaurimit paraqitej si sukses. “Shpëtohet ish-Radio Tirana”, shkruhej në titull, duke njoftuar miratimin e projektit nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale (KKTKM). Por sot, më shumë se 2 vit e gjysmë më vonë, monumenti i kulturës së kategorisë së dytë ende pret restaurimin e premtuar.

Çfarë u tha 

6 korrik 2023Deklarata e ish-ministres së Kulturës, Elva Margariti: “Një lajm i mirë për trashëgiminë #kulturore! Ish-godina e Radio Tiranës do të restaurohet! Në mbledhjen e të më së fundit, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi projektin për restaurimin e këtij objekti, monument kulture i kategorisë II. E ndërtuar midis viteve 1928-1930, ndërtesa e dikurshme e Radio Tiranës dhe më pas e Institutit të Kulturës Popullore është një nga vilat e para moderne në qytet. Aktualisht ajo paraqet dëmtime të shumta në çati, fasadë, dysheme, dyer, dritare, në elemente të brendshme e të jashtëm”

Shkurt 2026 – Realiteti: Mbi 2 vite e gjysmë pas deklaratës, punimet nuk kanë filluar. Edhe pse Bashkia e Tiranës autorizoi nisjen e restaurimit më 13 shtator 2023, ky autorizim kishte vlefshmëri njëvjeçare dhe skadoi në shtator 2024. Pronari nuk ka depozituar asnjë kërkesë për shtyrje afati në sistemin e-leje. Institucionet qendrore si IKTK dhe KKTKM (Këshilli Kombëtar) konfirmojnë se nuk kanë kryer asnjë inspektim zbatimi që prej korrikut 2023.

Projekti

Më 6 korrik 2023, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale miratoi me vendim nr. 381 projektin “Ndërhyrje restauruese në objektin: Instituti i Kulturës Popullore, II-102”, në pronësi të shtetasit R.M. Projekti parashikon restaurimin e elementeve origjinale duke respektuar karakteristikat historike të vilës së ndërtuar midis viteve 1928-1930, si dhe modernizimin me instalimin e një ashensori për personat me aftësi të kufizuara. Investimi total i parashikuar është 28,488,936 lekë (me TVSH).

Në shtator 2023, Bashkia e Tiranës pranoi nisjen e punimeve përmes një shkrese, datë 13.09.2023, duke vendosur një afat një-vjeçar sipas VKM nr. 408/2015.

Pezullimi

Kur u pyetën nga Faktoje.al për ecurinë e projektit, institucionet shtetërore thanë se punimet kanë filluar, por janë pezulluar. Sipas Ministrisë së Kulturës, “punimet filluan por u pezulluan si rezultat i përfundimit të afatit kohor, referuar dispozitave të ligjit nr. 27/2018 ‘Për trashëgiminë kulturore dhe Muzete'”.

Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) sqaron se sipas ligjit, afati është një vit, dhe për të rinisur punimet “nevojitet një aplikim i ri në sistem e-leje me qëllim rifreskimin e vendimit të KKTKM apo rishikimin e afatit”. Pa këtë aplikim formal, punimet nuk mund të vazhdojnë ligjërisht, pavarësisht se projekti mbetet i miratuar në parim.

IKTK dhe Ministria e Kulturës konfirmojnë se nuk janë kryer inspektime nga asnjëra prej këtyre institucioneve pas miratimit të projektit.

Asnjë afat i ri

“Akoma nuk ka afate të reja të miratuara”, thekson Ministria e Kulturës. IKTK shton se “nuk rezulton të ketë ardhur në Sportelin Unik një aplikim ‘Për shtyrje afati të punimeve’ për të njëjtin objekt”.

Kjo do të thotë se që nga shtatori 2024, askush nuk ka aplikuar për rinovimin e lejes apo shtyrjen e afatit. Në një paradoks institucional, IKTK deklaron se monumenti është klasifikuar me “nivel rrezikshmërie nr. 1, që nënkupton se gjendja e objektit paraqitet e mirë”, ndërsa Ministria e Kulturës pranon se “objekti ka nevojë për ndërhyrje restauruese”.

Historiku

Radio Tirana u inaugurua më 28 nëntor 1938, si radiostacioni i parë kombëtar shqiptar, me një transmetues fillestar prej 3 kW. Pas vitit 1944 u riorganizua si institucion qendror i transmetimeve shtetërore. Me krijimin e Televizionit Shqiptar në vitet 1960, radioja u integrua në strukturën e RTSH. Godina e parë e saj, vilë e ndërtuar në vitet 1928–1930 në Tiranë, përfaqëson një nga objektet e hershme moderne të kryeqytetit dhe mbetet sot monument kulture.

Përfundimi

Rasti i ish-Radio Tiranës nxjerr në pah disa probleme strukturore në menaxhimin e trashëgimisë kulturore. Pronari privat nuk ka aplikuar për shtyrje afati që nga shtatori 2024, ndërsa institucionet publike nuk kanë marrë asnjë masë mbikëqyrëse për të parandaluar degradimin e mëtejshëm të ndërtesës. Bashkia e Tiranës ka deklaruar se zona është e “kompletuar” dhe nuk ka planifikuar investime në hapësirat publike përreth godinës.

Mbi një vit e gjysmë pas lajmërimit të “shpëtimit”, monumenti mbetet në të njëjtin status të braktisjes.