Dy pjesëtarë të forcave të armatosura të Malit të Zi u arrestuan  për shkak se targat e automjetit me të cilin kishin shkuar në Manastirin e Deçanit më 24 nëntor, mbanin mbishkrimin “Kosova është Serbi”.

Mbishkrimet që e paraqesin Kosovën si pjesë të Serbisë, autoritetet kosovare i trajtojnë si provokim dhe nxitje të urrejtjes kombëtare. Incidenti ka nxjerrë në pah tensionet e vazhdueshme dhe ndjeshmërinë rreth statusit të Kosovës në rajon.

Mali i Zi ishte mes shteteve që e njohu Pavarësinë e Kosovës pak pas shpalljes së saj në 17 shkurt të vitit 2008.

Raportet mes Prishtinës dhe Podgoricës e kaluan edhe tensionin për marrëveshjen e Demarkacionit (kufirit mes të dy vendeve) me marrëveshjen shumë të debatuar në Kosovë që u firmos në vitin 2018.

Por ndryshimi i pushtetit në Mal të Zi në tetor 2023, ikja e Millo Gjukanoviç pas 3 dekadash në qeverisje dhe ardhja e partive pro ruse dhe pro serbe, sollën edhe shqetësimin për Kosovën.

Partitë politike pro-serbe dhe pro-ruse në Mal të Zi, si dhe Kisha Ortodokse Serbe, nuk e njohin Kosovën si shtet të pavarur, por e konsiderojnë si territor të Serbisë.

Nuk kanë munguar idetë për të ç’njohur Pavarësinë e fqinjit nga pro serbët dhe pro rusët në Podgoricë këto dy vjet të qeverisjes së Kryeministrit Millojko Spajiç, por deri më sot nuk ka asnjë nismë konkrete.

Pavarësisht kësaj, incidentet nuk kanë munguar, (incidente të shkaktuar edhe në Kosovë së fundmi) që tregojnë tensionin e ri të krijuar në Mal të Zi për çështjen e Kosovës që nga viti 2023.

I tillë duhet parë edhe rasti i para festave të këtij nëntori, ku provokimi nga njerëz me uniformë ushtrie u bë brenda Kosovës. 

Ministri i Mbrojtjes së Malit të Zi, Dragan Krapoviç konfirmoi në 27 nëntor 2024 se dy nga tre personat e arrestuar në Kosovë për mbishkrimin “Kosova është Serbi”, janë pjesëtarë të ushtrisë malazeze.

Dy ditë pasi u ndaluan, Gjykata Themelore në Pejë urdhëroi një muaj paraburgim për Rajko Krivokapiqin 34 vjeç, Marinko Jovanoviqin 24 vjeç, dhe Dragutin Llallatoviqin 24 vjeç.

Prokurori në Pejë i akuzon ata për veprën penale “nxitje të urrejtjes dhe mosdurimit”.

Nuk munguan debatet në Podgoricë.

Demokracia e Re Serbe (NSD), parti që e drejton kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Andrija Mandiç (pro serb dhe pro rus), ka reaguar dy herë herë idhur me arrestimin.

“Ky incident është vetëm një nga rastet e shumta të terrorit ndaj popullit serb në Kosovë, i cili tashmë është shtrirë edhe ndaj qytetarëve të Malit të Zi”, thuhet në  një reagim të parë të tij, duke i cituar dy ushtarët në një tjetër reagim të dytë, si “serbë të pafajshëm

Edhe Kisha Ortodokse Serbe në Mal të Zi ka reaguar lidhur me arrestimin dhe paraburgimin e dy ushtarëve dhe i ka kërkuar reagim institucioneve të Malit të Zi.

Në Prishtinë nuk ka pasur debate për këtë incident dhe më shumë se politika ka folur policia, prokuroria dhe Gjykata atje.

Mediat në Prishtinë, duke iu referuar atyre në Podgoricë kanë shkruar se 2 ushtarët malazezë që janë në paraburgim në Kosovë do të pezullohen nga Ushtria.

Dhe kjo për faktin që nuk kanë njoftuar eprorët e tyre për të dalë jashtë shtetit dhe jo për parrullën që mbanin “Kosova është Serbi”