Sebi Alla – Më 23 shtator, të gjithë në rresht, pas një vendimi politik të marrë nga kryeministri Edi Rama, të majtët (bashkë me të djathtët) e zgjedhur në Këshillin Bashkiak të Tiranës vendosën të shkarkojnë kryetarin Erion Veliaj, me argumentin se “ka munguar në punë më shumë se tre muaj”.
Por dy muaj pas këtij vendimi, të njëjtët këshilltarë, në këtë rast socialistët, kërkojnë që Veliaj të jetë i pranishëm në mbledhjen rutinë të përmuajshme në Këshillin Bashkiak.

Duke iu referuar neneve 58 pika 4 dhe nenit 60 të “Ligjit për Vetëqeverisjen Vendore”, këshilltarët socialistë i kërkojnë Prokurorisë Speciale dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve të lejojnë Veliajn të marrë pjesë në mbledhje fizikisht, ose nëpërmjet videokonferencës.
Një qëndrim më shumë se juridik shihet si politik. Politologu Ilir Kalemaj, në një reagim për Faktoje.al thotë se jemi para një anormaliteti institucional dhe imoraliteti politik.
“Kërkesa e këshilltarëve socialistë për prezencën e Veliajt në një mbledhje rutinë vetëm 2 muaj pas shkarkimit të inicuar prej tyre me votim të hapur dhe unanim, madje pa i dhënë as të drejtën e fjalës siç u kërkua nga disa këshilltarë të opozitës, tregon qartazi dyfytyrësi dhe hipokrizi politike”, tha Kalemaj.
Kërkesa
Nisma për të kërkuar praninë fizike, ose nëpërmjet videokonferencës nga ambientet e burgut vjen pak javë pasi Gjykata Kushtetuese zbardhi vendimin ku e konsideroi anti-kushtetues si shkarkimin e Veliajt nga Këshilli i Ministrave, ashtu edhe të dekretit të presidentit për shpalljen e datës së zgjedhjeve, në një kohë kur Veliaj kishte ankimuar dekretin. Specifikisht për rolin e Këshillit Bashkiak në rastin Veliaj, Gjykata Kushtetuese gjen shkelje.
“Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur në rastin konkret nga Këshilli Bashkiak dhe më tej nga Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar kërkuesin, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur”, thuhet në vendim.
Por çfarë ndryshoi që të njëjtët këshilltarë që votuan pro shkarkimit, pa e dëgjuar, tashmë kërkojnë që Veliaj të bëjë mbledhje rutinë në Bashkinë Tiranë? “…kjo tregon diletantizëm institucional, sjellje politike amatoreske dhe tregon sesi konjukturat dhe interesat meskine janë më të rëndësishme se çdo lloj bindje politike, apo qendrimi parimor”, thotë Kalemaj.
Veliaj u injorua në shtator
Ditën kur vendosej fati i qëndrimit ose jo në detyrë i Veliajt, ky i fundit nuk u thirr të ishte i pranishëm. Mes tij dhe Këshillit Bashkiak pati disa korrespondenca. Veliaj kërkonte të ishte i pranishëm dhe të dëgjohej në këshill para se të votohej.
Megjithatë Këshilli Bashkiak në një shkresë të fundit i kërkoi që në pamundësi për të qenë i pranishëm t’i dërgonte kundërshtitë e tij me shkrim, madje në një prej korrespondencave i thuhej se: “nuk do ta pengonin për të qenë në mbledhje”, por nga ana tjetër nuk i dërguan SPAK, apo Drejtorisë së Burgjeve kërkesë për të miratuar lejimin e Veliajt për të qenë i pranishëm në mbledhje.
Gjithçka ndodhi mjaft shpejt. Më 23 shtator Veliaj shkarkohet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës dhe vetëm dy ditë më vonë në mbledhjen e parë të qeverisë së re kryeministri firmos shkarkimin e tij.
Po në mënyrë të “përshpejtuar” kreu i shtetit Bajram Begaj shpall dekretin për zgjedhjet e pjesshme lokale në gjashtë bashki, përfshi edhe Tiranën.
Procedurat e ndjekura, por edhe referimet ligjore që u përdorën për shkarkimin e Veliajt dhe më pas shpalljen e datës së zgjedhjeve nga dekreti presidencial u konsideruan të paligjshme nga Gjykata Kushtetuese.
Tashmë aktorët kryesorë që hapën udhën për “procesin administrativ Veliaj”, ndryshojnë qëndrim dhe tashmë kërkojnë leje që Veliaj të marrë pjesë në mbledhjen e Këshillit Bashkiak që mbahet një ose më shumë herë në muaj.
“Në rastin konkret siç ka ndodhur rëndom kemi të bëjmë me imoralitet politik. Kësisoj sundimi i ligjit çalon, institucionet ngelen të brishta, urdhrat politike marrin përparësi dhe linjat ndarëse mes autonomisë vendore dhe pushtetit qëndror ekzekutiv shuhen plotësisht”, thotë Kalemaj.






