Në vitin 2019 u premtua që stadiumi olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë do të rikonstruktohej me standardet e UEFA-s. Sot edhe pse ky afat është shkelur prej më shumë se një vit, punimet për këtë stadium ende nuk kanë nisur, madje ky objekt është shndërruar në një gërmadhë dhe një vend ku grumbullohen mbeturinat.
Butrint Avdyli
Në vitin 2019, kryetari i atëhershëm i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, gjatë një takimi me drejtorin e Departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Ibër Alaj, prezantuan projektin për rinovimin e stadiumit “Adem Jashari” në qytetin verior të Kosovës. Vlera e investimit në të cilin do të ishte 12 milionë euro.
Renderi i rinovimit të Stadiumit Olimpik “Adem Jashari” që ishte prezantuar në vitin 2019
Madje në atë kohë, drejtori i departamentit të Sportit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kishte publikuar një shkrim në rrjetin social Facebook, duke njoftuar se MKRS kishte prezantuar projektin e rikonstrokturimin e UEFA-s, i cili pritej që si projekt të përfundonte në vitin 2021.
“Sot në selinë e UEFA prezentuam projektin e Stadiumit Olimpik ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë me delegacionin nga Kosova, që stadiumi të ngrihet nga kategoria II në kategorin IV në pajtushmeri me rregulloret e UEFA-së , ku zyratret e UEFA-së u pajtuan me projektin ideor (koncept design) që të vazhdohet me procedura sipas kontratës me kontraktorët me qëllim që stadiumi të ndërtohet sipas planit dinamik të planifikuar të përfundojë në vitin 2021”, ishte shkruar në njoftimin e tij.
Postimi i bërë nga drejtori i sportit në MKRS, Ibër Alaj, në vitin 2019 ku theksohej se rinovimi i stadiumit olimpik do të përfundonte në vitin 2021
Referuar në këtë shkrim, mediat aso kohe kishin raportuar për rikonstrokturimin e stadiumit në fjalë, duke cekur edhe pritshmëritë që projekti të përfundohej në afatin e prezantuar nga vet drejtori i sportit në MKRS.
Stadiumi “Adem Jashari” sot
Por edhe pas ka kaluar mbi një vit, nga periudha kur pritej të përfundote, stadiumi Olimpik i Kosovës “Adem Jashari” jo vetëm që nuk është rinovuar, por as nuk kanë filluar punimet. Fatkeqësisht ky stadium i cili ishte funksional në vitin 2017, nuk është mirëmbajtur, duke u kthyer në një gërmadhë të madhe. Kushtet e këqija atmosferike së fundmi e kthyen stadiumin në fjalë, në një kënetë të madhe të mbushur me ujë e mbeturina.
Gjendja aktuale e Stadiumit Olimpik “Adem jashari” pas reshjeve të dendura të shiut në Mitrovicë (janar 2023)
Në lidhje arsyet e vonesave dhe afatin e ri kur pritet të kryhen punimet, ne pyetën Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, të cilët ende nuk na kanë kthyer një përgjigje.
Kërkesa e drejtuar ndaj MKRS-së për informata lidhur me Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë
Lidhur me këtë çështje është pyetur edhe Federata e Futbollit të Kosovës, përkatësisht kryetari i federatës, z.Agim Ademi, i cili në një përgjigje të shpejtë, ka thënë se: “FFK-ja nuk ka gisht fare në projektin në fjalë, realizimi i të cilit është i tëri nën përgjegjësinë dhe ombrellën e ministrisë.”
Gjendja aktuale e mjerueshme e Stadiumit të Mitrovicës
Lidhur me çështjen në fjalë, Ministri i MKRS-së, z. Hajrulla Çeku gjatë një interviste për emisionin ‘Dueli Sportiv’ në RTV Dukagjini, u shpreh se pamjet e aktuale të stadiumit janë një tmerr i vërtetë, por për këtë ai ka fajësuar pararendësit e tij për nisjen e një pune, pa planifikimin e duhur.
“Pamjet aktuale të stadiumit janë një fatkeqësi e madhe për vendin tonë. Insistimi im është që një herë t’i rregullojmë këto që i kemi. Këtu nuk dua të shfaqjësoj veten dhe të fajësoj qeveritë e kaluara, por pa u siguruar që qytetet tona të mëdha e kanë nga një stadium funksional, [qeverisjet e kaluara] kanë kaluar në një stadium nacional. Mitrovica është nisë, është ndalur në gjysmë sepse kanë dalë probleme të paimagjinueshme, leja e ndërtimit nuk është marrë – dhe tani është dashur të ndalet, të niset procedurat e lejes së ndërtimit në Ministrinë e Planifikimit Hapësinor dhe paralelisht rrugës na ka dalë edhe një çështje pronësore me ndërmarrjen ‘Trepça’, sepse një pjesë e stadiumit i takon asaj ndërmarrje, e cila duhet të trajtohet të paktën ligjërisht në mënyrë që të vazhdohen punime atje”, ka thënë Çeku.
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit në Qeverinë e Kosovës, Hajrulla Çeku (Foto: Ridvan Slivova/Telegrafi)
“Fondi është, buxheti është, por fatkeqësisht nuk mund të vazhdojmë. Këto punë që janë nisur, janë nisur pa i respektuar procedurat, pa planifikim adekuat, pa kompani serioze, pa mbikëqyrje të duhur e të tjera”, – ka shtuar tutje ministri i MKRS-së, i cili ka lënë të kuptohet se ngecja e rinovimit të stadiumit është mungesë menaxhimi dhe jo mungesë buxhetimi.
I rinovuar sipas standardeve të UEFA-s në vitin 2017, stadiumi “Adem Jashari” ka një rëndësi të veçantë pas ka qenë i pari stadium në Kosovës që është pranuar nga UEFA. Me një kapacitet deri në 35 mijë njerëz veta dhe rreth 16,300 ulëse, ai është i vetmi stadium i qytetit në veri të Kosovës. Historia e stadiumit ka një rëndësi të madhe për sportin vendor, pasi në vitin 1979, stadiumi në fjalë ka qenë pritës i një ndeshjeje kualifikuese të UEFA Euro 1980 të Jugosllavisë kundër Rumanisë.
Gjendja aktuale në Stadiumin Olimpik “Adem Jashari” në Mitrovicë (Foto: Fehmi Sejdijaj)
Aktualisht vetëm stadiumi “Fadil Vokrri” në Prishtinë i plotëson kriteret për ndeshje të përfaqësueses dhe menaxhohet nga FFK-ja. “Fadil Vokrri” do të vazhdojë të jetë shumë i ngarkuar edhe gjatë vitit 2023.
Edhe pse afati i përfundimit të premtimeve për këtë stadium ishte fundi i vitit 2021, sot edhe pas verifikimit të bërë në terren ky objekt gjendet në gjendje të mjerueshme, ndaj premtimin do ta kategorizojmë të pambajtur.
*Ky shkrim u publikua si pjesë e nismës “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Kosovë, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë – Faza II”, mbështetur nga Bashkimi Evropian.