Nevila Gjata
Dy ditë para zgjedhjeve të Bashkisë së Himarës, kryeministri Edi Rama zhvilloi disa takime në rrugën kryesore të qytezës me Vangjel Tavon në krah. Rama nuk e fshehu ngazëllimin se, ndryshe nga një vit më parë, me Vangjel Tavon fushata kishte ndryshuar.
“Ky nuk bën fushata, bën komunikim me njeriun derë më derë dhe prag më prag. Pas Gramoz Ruçit, është i dyti që ka numëratorin më të gjatë të celular. Po i çove mesazh, të merr direkt në telefon…”, tha Rama.
Rezultati i të dielës në Himarë, foli bindshëm për atë që Rama paralajmëroi: fitoren e Vangjel Tavos. Kandidati socialist fitoi garën për bashkinë e Himarës me 58.62% të votave.
Tavo mori 5022 vota përballë kandidatit të PD-së (propozuar nga PBDNJ dhe Omonia) Petraq Gjikuria. Ky i fundit mori 41.38 % ose 3545 vota.
Një diferencë me 1477 vota nisur nga vit më parë kur Fredi Beleri fitoi ngushtë me 19 vota përballë kandidatit socialist, Gjergji Goro. Vangjel Tavo duhet të marrë fillimisht mandatin nga KQZ dhe më pas të bëjë betimin në mbledhjen më të parë të këshillit bashkiak të Himarës për të ushtruar ligjërisht detyrën
Fushata
Në garën për Himarën ishin dy kandidatë ‘të importuar’ njëri përfaqësues ndër vite i Dropullit, së fundmi Prefekt i qarkut të Vlorës, Vangjel Tavo, ndërsa tjetri grekofon i ardhur nga SHBA, Petraq Gjikuria.
Vangjel Tavo zhvilloi një fushatë relativisht të qetë pa takime pompoze duke shpërndarë kryesisht përmes faqes së tij në Facebook mesazhe të shkurtra, por domethënëse për atë që shihet si thembra e Akilit për banorët e Himarës, çështja e certifikatave të pronësisë.
Petraq Gjikuria në anën tjetër u përpoq të fushatonte me emrin e Fredi Belerit aktualisht në burg i dënuar për blerje votash. Në prezantimin e tij të parë ai doli krah Belerit kur ky i fundit u kthye në Shqipëri pas betimit si euro-deputet në Strasburg. Edhe në mbyllje të fushatës, Gjikuria kërkoi votat duke folur për Belerin dhe duke u zotuar se nëse fitonte do të zbatonte programin e tij.
“Çfarë i ndodhi mikut tim Fredi Beleri është një njollë turpi. Fredi do lirohet për dy muaj, ndërsa Himara do çlirohet në 4 Gusht”, tha Petraq Gjikuria në mitingun përmbyllës.
Sa për pronat, Gjikuria ndoqi politikën e denoncimit mbështetur nga zyrtarët e PD-së, se qeveria nuk do tu jepte zgjidhje pronës, madje sipas tyre ‘do ua grabiste ato’.
Ndryshe premtoi Vangjel Tavo. Duke qenë në të njëjtën llogore me PS-në në qeverisje, Tavo premtoi zgjidhje.
“Çështja jetike e pronës për të gjithë banorët duhet të ishte zgjidhur që para 30 vitesh. Ajo çfarë nuk u bë nga viti 1991, arritëm ta bëjmë brenda pak muajve, duke dorëzuar mbi një mijë çertifikata pronësie, e shumë shpejt kjo çështje do të zgjidhet përfundimisht. Pas tre muajve punë, zgjidhja e problemit të pronësisë tashmë është drejt përfundimit. Himarjotët kanë të drejtën e Zotit dhe të ligjit, t’i gëzojnë pronat e tyre. Askush që tenton të zaptojë pronën e tyre nuk e ka dhe nuk ka për ta patur kurrë të hapur derën e Bashkisë së Himarës dhe asnjëherë vullnetin, mbështetjen dhe firmën e Vangjel Tavos. Çështja e pronave të tyre do zgjidhet përfundimisht…”, premtoi Tavo, ndërsa Rama vetë ka dhënë si afat tetorin për ta zgjidhur përfundimisht këtë çështje.
Asnjëri prej kandidatëve nuk shpalosi një program te qartë për shumëçka mbi problematikën e bashkisë Himare që përfshin tre njësitë administrative Himarë, Lukovë Hore Vranisht.
Tavo përcillte përmes Facebook një broshurë si program i tij por askund i zbardhur në mënyrë literale. Nuk e bëri as kandidati tjetër Petraq Gjikuria.
Problematika ditën e zgjedhjeve
Ajo që u raportua si problematikë kryesore ditën e zgjedhjeve ishte pamundësia për të votuar me dokumente identifikimi të skaduara. Janë 6157 shtetas shqiptare me banim në Himarë që nuk e kanë të rinovuar kartën e identitetit, një fakt ky i pohuar edhe nga kryekomisioneri për zgjedhjet Ilirjan Celibashi. Jo më kot, Celibashi vuri në dukje në prononcimet e tij gjatë ecurisë së zgjedhjeve të dielën se, ky numër votuesish ishte i njëjtë edhe në zgjedhjet e kaluara të 2023. Që do të thotë se shumica e tyre jetojnë aktualisht jashtë vendit. Megjithatë, vetë Celibashi nuk beri dot një ndarje se sa ishin jashtë dhe sa banonin aktualisht në Himarë.
Denar Biba (ish kryetar i KQZ) komentoi në Facebook se “i rezultonte nga sistemi TIMS se vetëm disa dhjetëra prej tyre ishin paraqitur në qendrat e votimit të dielën”.
Vetë Omonia nuk kishte një numër të saktë se sa prej tyre kishin shkuar ne qendrat e votimit dhe nuk ishin lejuar sepse dispononin një kartë identiteti të skaduar. Sipas Omonias, qytetarëve që janë identifikuar se mund të jenë votues të opozitës, u është thënë se rinovimi i kartave të identitetit do të bëhej brenda 15 ditëve, pra pas datës së zgjedhjeve që ishte dje.
“Ne total, nga 23074 zgjedhës të regjistruar, 6157 janë apriori të privuar nga e drejta e zgjedhjes me vendim dhe përgjegjësi të Qeverise ‘Rama’”, citonte Omonia.
Në anën tjetër Ilirjan Celibashi sqaroi të dielën se kjo ishte përgjegjësi e qeverisë, por jo pa qëllim lëshoi një mesazh indirekt për opozitën kur në një nga deklarimet publike, ai vërejti se në KQZ nuk kishte ardhur asnjë kërkesë zyrtare nga partitë që ky institucion të negocionte me qeverinë me qëllim nxjerrjen e një akti që do të mundësonte votimin edhe me kartë identiteti të skaduar. Ndërkohë, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, PBDNJ bashkë me Omonian e përcollën si shkakun kryesor të humbjes së zgjedhjeve në Himarë.
Votat
Pjesëmarrja në votime ishte më e lartë nga 2023 kur votuan 7821 zgjedhës. Këtë vit pjesëmarrja përfshiu 8692 votues, ose 871 votues më shumë.
Nisur nga rezultatet e publikuara në faqen zyrtare të KQZ-së pas mbylljes së votimit dhe përfundimit të procesit të numërimit rezulton se PS është rritur në shifra krahasuar me një vit më parë dhe gati në proporcion të drejte me rritjen e pjesëmarrjes në votime në të tria njësitë administrative.
Në Himarë, Vangjel Tavo mori 2132 vota një rritje krahasuar me Jorgo Goron i cili mori 1576 vota. Rezultati u reflektua edhe nga pjesëmarrja. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara, këtë vit pjesëmarrja në Himarë është rritur me 572 votues. Gjikuria në anën tjetër lëvizi me vetëm pak vota më shumë në Himarë (16 vota) nga 2023.
Pavarësisht rritjes në vota, PS-ja vijon ta ketë të humbur këtë njësi. 2132 vota fitoi Vangjel Tavo ndërsa Petraq Gjikuria 2462.
PS-ja është rritur edhe në Lukovë me votat. 1725 vota ka marrë Vangjel Tavo, Petraq Gjikuria 942 vota. Pjesëmarrja në Lukovë ishte me e lartë krahasuar me 2023 me rreth 200 vota. Diferenca në këtë zonë me zgjedhjet e një viti më parë (2023) ishte vetëm 70.
Hore Vranisht është një tjetër zone që ka votuar majtas ndër vite dhe pa ndonjë surprizë, përveçse kësaj here edhe aty me një pjesëmarrje më të lartë krahasuar me 2023 (rreth 200). Nga 972 vota pro zgjedhjet e kaluara për Gjergji Goron, sivjet Vangjel Tavo ka fituar 1165 vota. PD-ja aty (krahasuar me rezultatin e 2023) ka marrë 50 vota më pak. Petraq Gjikuria mori vetëm 141 vota në këtë njësi
Çfarë nuk pamë krahasuar me zgjedhjet 2023
Fillimisht pjesëmarrja në votime këto zgjedhje ka qenë më e madhe, konkretisht 871 votues më shumë nga zgjedhjet e 2023. Ndryshe nga zgjedhjet e kaluara pamë një fushatë të qetë pa tone nacionaliste. Nuk u pa prezencë e politikanëve grek në këto zgjedhje. Pati gjithashtu një shtim të numrit të zgjedhësve në listat për bashkinë e Himarës ndryshe nga një vit më parë.
Nënkryetarja e KQZ-së, Lealba Pelinku tha një ditë para zgjedhjeve se ishin shtuar 311 zgjedhës të rinj në Himarë. Vetëm brenda pese ditëve, sipas saj, 93 të tillë. Pelinku kërkoi hetim.
Ndërkohë kjo ishte fushata më e shkurtër e ndërmarrë ndonjëherë.
Duke qenë se afati 30 ditor nga dekretimi i zgjedhjeve ishte shumë i ngushtë, KQZ vlerësoi se kohëzgjatja e fushatës zgjedhore duhet të ishte vetëm 9 ditë kushtëzuar edhe nga afati i krijimit të KZAZ-ve, regjistrimit të subjekteve zgjedhore, komiteteve nismëtare, koalicioneve dhe kandidatëve.
Referuar datës së nxjerrjes së Dekretit, afati për të hartuar listën e zgjedhësve u parashikua jo më vonë se 10 korrik 2024, çka pamundësoi në fakt edhe afatet për rinovimin e kartave të reja për ata që donin të votonin këtë vit.
Zgjedhje të reja, probleme të vjetra
Komiteti Shqiptar i Helsinkut ndoqi nga afër zgjedhjet në Himarë si para ashtu edhe një ditë pas.
Erida Skëndaj, drejtoresha ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkut, tha për Faktoje.al se, sa i takon aspektit parazgjedhor, nga kontaktet që vëzhguesit e KSHH-së realizuan me zgjedhësit në terren u vërejt se në përgjithësi ata ndiheshin të lirë në ushtrimin e të drejtës së votës.
“Megiithatë pati edhe pretendime për shitblerje të votave të realizuara në formën e të mirave materiale nga të dy subjektet zgjedhore, shpërdorimit të aseteve publike si dhënies së titujve të pronësisë së shtëpive por edhe ushtrimit të presionit mbi administratën publike lokale”, vërejti ajo.
Nga monitorimi i procesit të votimit në 44% të Qendrave të Bashkisë Himarë, 14 prej të cilave në fshatrat në Qeparo, Borsh, Piqeras, Lukovë, Himarë “Fshat” dhe katër qendrat brenda perimetrit të qytetit të Himarës, vëzhguesit e KShH-së vërejtën se procesi u realizua në një klimë relativisht të qetë, me përjashtim të tensioneve që u krijuan si rrjedhojë e mosvotimit të zgjedhësve nën moshën 75 vjeçare, të cilëve ju kishte skaduar vlefshmëria e dokumentit të identitetit.
Problematikat që shoqëruan mbarëvajtjen e procesit të votimit përmblidhen në mungesën e trajnimit të Komisionerëve, veҫanërisht atyre të QV në pjesën e fshatrave, të cilat krijuan edhe disa parregullsi sikurse mosrespektimi pjesërisht i procedurës së dhënies së ndihmës për zgjedhësit që nuk votonin vetë, lejimi në afro 4 raste i zgjedhësve për të shkuar drejt dhomës së fshehtë me aparatin celuar, lejimi në raste sporadike i votimit familjar, vështirësitë në respektimin e procedurave të mbylljes së QV të cilat krijuan disa vonesa. Procesi i numërimit u administrua në një shumë të shkurtër dhe në ndryshim nga zgjedhjet e kaluara pati një numër të ulët kërkesash për pavlefshmëri të fletëve të votimit”, thotë Skëndaj.