Nga Sebi Alla Dy forcat kryesore politike, PS dhe PD, zgjodhën taktika të ndryshme elektorale për hapjen e fushatës, si në ligjërim, ashtu edhe në formë organizimi. Opozita synoi shpërndarjen e dy mesazheve; “pro-amerikanizimin” Trampist dhe elementin programor, si alternativë për ardhjen në pushtet, pas 12 vitesh në opozitë. Nga ana tjetër, një ditë më pas, PS dhe kryeministri Edi Rama, i cili po kërkon mandatin e katërt radhazi, i dha rëndësi imazhit të ndërlidhur me shfaqje në të 12 qarqet e vendit, ku epiqendra ishte vetë ai.
Hapja
Metodat e ndryshme të hapjes së fushatës mbesin deri më tani tregues se ku do të përqendrohen subjektet politike përgjatë fushatës, deri ditën e zgjedhjeve Parlamentare më 11 maj. Edhe pse në programin ekonomik PD dhe PS kanë ngjashmëri, qasja ndaj elektoratit vjen me forma të ndryshme. Përtej dy forcave politike kryesore, subjektet e tjera, kryesisht koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet”, Partia “Mundësia” dhe “Lëvizja Bashkë”, po ndjekin mënyrën tradicionale me takime, mbledhje dhe fjalime, thelbi i së cilës është thirrja për të mos votuar “politikën e vjetër 34-vjeçare” – siç cilësojnë me emër të përvetshëm, Ramën dhe Berishën.
Berisha, optimizëm dhe “Trump-izëm”
I emocionuar deri në përlotje, kreu i PD-së Sali Berisha, përgjatë fjalimit të tij në hapjen e fushatës të premten e kaluar, u kujdes që të ngjallte frymën e optimizmit para anëtarëve dhe simpatizantëve të PD-së. Përtej ligjërimit politik, dekori dhe forma e organizimit kishte ngjashmëri me fushatën e Donald Trump, ku në ballinë ishin të rinj me veshje të simboleve të PD-së, ndërsa përbri të gjithë kandidatët për deputetë.
Analisti Arion Sulo, në një reagim për Faktoje.al shprehet se pavarësisht frymës “Trumpiste” që PD u mundua të përçojë, kjo nuk ndodhi, duke iu referuar pranisë dhe fjalës së Chris LaCivita, një prej strategëve të fushatës së Trump. “PD i qëndroi besnike stilit të saj me skenografi pompoze, por pa ritmin e duhur që kërkon një hapje fushate elektorale. Gjetjet skenografike me të rinjtë qëndronin, por fjalimet nuk kishin risi”, thotë Sulo. Gjithashtu ai shton se pati një lloj zhgënjimi nga mesazhi që pritej nga LaCivita. “Ajo që pritej nga drejtuesi i fushatës Chris LaCivita nuk u pa, fjala e tij e shkurtër dhe mungesa e një mesazhi nga SHBA ishte njëfarë zhgënjimi për pritshmërinë që u ngrit muajt e fundit dhe sidomos pas ardhjes së tij në Tiranë”, tha Sulo.
Pritshmëritë
Edhe pedagogu i komunikimit dhe medias, Erlis Çela, thotë për Faktoje.al se për hapjen e fushatës, Kryetari i Partisë Demokratike i kishte rritur shumë pritshmërinë e publikut duke paralajmëruar surpriza të shumta.
“Në fakt aktiviteti për nga formati i organizimit, ishte një vijimësi e aktiviteteve hapëse të fushatave të mëparshme të kësaj partie. Në këndvështrimin tim nuk u përmbush pritshmëria për surpriza të forta. Aktiviteti ishte i përqendruar të figura e z. Berisha dhe figura e konsulentit amerikan z. LaCivita. Fjalimet nga përfaqësues të gupeve të ndryshme të interesit, ishin sërish një element i përsëritur i aktiviteteve klasike për hapjen e fushatave elektorale. Organizatorët e kishin konceptuar aktivitetin si një kombinim mes elementëve të spektaklit dhe mesazheve politike”, tha Çela.
Programet
Politologu Ermal Hasimja, sheh ngjashmëri të programit ekonomik të mazhorancës dhe opozitës, ndërsa dallimi mbetet në përçimin e mesazheve politike, por edhe formën organizative. “Berisha po përpiqet të interpretojë praninë e paguar të LaCivitas si një mesazh nga Amerika, por vështirë se kjo do të ketë ndonjë impakt të madh. Së pari një pjesë e votuesve e kanë të qartë që LaCivita është këtu si individ dhe jo si përfaqësues i SHBA-ve dhe së dyti sepse votuesit kanë prioritete të tjera që nuk përputhen me kompleksin ‘non grata’ të Berishës”, thotë Hasimja.
Rama, shfaqje dhe BE
Kryeministri Edi Rama, në hapjen e fushatës, i dha rëndësi dekorit, me 12 yje rrethore simbolikë e flamurit të BE-së dhe me një yll më të madh në qendër, të cilin Rama e përdori si podium.
Ndërsa në Tiranë ishte hapja e madhe, në të 12 qarqet e vendit, drejtuesit politik dhe kandidatët për deputetë, bashkë me simpatizantët u përfshinë në kërcime dhe duartrokitje, mbi melodinë e këngëve dhe valleve ‘turbo-folk’. “Rama premton integrimin ne 2030, përkundër skepticizmit të dukshëm të europianëve duke qenë i sigurt se është një premtim të cilin ai mund ta riciklojë pa rrezik edhe në 2029”, shprehet për Faktoje.al, politologu Hasimja.
Arsyeja
Analisti Arion Sulo, shfaqjen e Ramës e cilëson si metodë për t’i ikur problematikave kryesore të cilat, sipas tij, janë arrestimet e ish-ministrave, kryebashkiakëve, deputetëve dhe zyrtarëve të lartë, bashkëpunëtorë të ngushtë të Ramës, nën akuzë për korrupsionin dhe lidhje me krimin e organizuar.
“Hapja e fushatës së PS shënoi një rekord të ri në kthimin e politikës në cirk. Rama vijoi shfaqjen e tij ‘one man show’, që duket dhe në sloganin elektoral “Shqipëria 2030 në BE, vetëm me Edin dhe PS”, thotë Sulo.
Pedagogu i komunikimit dhe medias, Erlis Çela thotë se, fokusi i PS te spektakli dhe elementët vizualë nuk është i paqëllimtë
“Mendoj se mazhoranca e ka bërë këtë zgjedhje si një strategji për të shmangur një diskurs që bazohet në llogaridhënie dhe bilanc të tre mandateve të saj në qeveri. Fokusi të elementë të folklorit, dhe simbolika e këngëve dhe valleve e largoi vëmendjen nga çështjet thelbësore dhe e ndihmon mazhorancën t’i shmanget temave të nxehta siç janë korrupsioni apo arrestimi i eksponentëve të saj të lartë politik”, thotë Çela.
Edhe Sulo vijon të njëjtin mendim: “Rama nuk tha asnjë fjalë për 12 vite qeverisje, asnjë shpjegim sesi shumë ish ministra ish deputetët dhe ish- kryebashkiakë janë në burg, apo pse çdo vit të qeverisjes së tij 40 mijë shqiptarë janë larguar e vijojnë të largohen. Nuk u përmendën qëllimisht nga Rama për të shmangur llogaridhënien dhe mungesën e bilancit dhe mos mbajtjen e premtimeve. Në vend të tyre rishiti ëndrrën e pasaportës europiane në 2030 që është një gjë e parealizueshme”.
Narrativa
Pedagogu Çela, në anën tjetër, thotë se, “Rama duke e personalizuar dhe kthyer në një ekskluzivitet të tij procesin e integrimit në Bashkimin Europian, kërkon të ndërtojë një narrativë deri diku abstrakte”.
“Atij nuk i intereson që gjatë fushatës ta detajojë procesin e integrimit duke folur për kriteret dhe standardet e vështira që duhet të përmbushë vendi. Përkundrazi paraqitja sa më thjeshtuar e këtij premtimi, duke e reduktuar te ‘pasaporta europiane’, e ndihmon mazhorancën të joshë elektoratin me lugë bosh”, argumenton Çela.
Vota
Krahas simbolikave që përdorin subjektet politike, qëllimi mbetet vota, duke përzgjedhur target-grupe të ndryshme, sa më gjithëpërfshirëse. “Në thelb fushatat e dy partive kryesore nuk kanë ndryshuar nga ato të mëparshmet. PS-ja synon të tregojë sigurinë në fitore, ndërsa PD-ja të ndërtojë besueshmërinë te votuesi për ndryshim. Fushata e PS-së është më cinike, sepse i përshtatet votuesit mesatar me gjithë “folklorin” politik përkatës, ndërsa PD-ja përpiqet të imitojë patosin e një fushate stil trampist”, argumenton Hasimja. Ai veçon se nga pikëpamja e programit të dy partitë janë pothuajse identike, sepse premtojnë një rol më të madh të shtetit në ekonomi, përfitime për votuesit dhe natyrisht edhe integrim. “Kanë një përputhje populiste me natyrë të majtë në aspektin ekonomik”, tha ai.