Sebi Alla Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) vendosi të mërkurën të hapë garën për drejtuesin e ri të SPAK. Mandati i kreut aktual të SPAK, Altin Dumani, përfundon në dhjetor të këtij viti.
Relatori Sokol Stojani, anëtar i KLP-së, u shpreh se, “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e Prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të KLP-së për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhje sipas ligjit”.
Ai theksoi se parashikohet që procedura për zgjedhjen e drejtuesit të ri duhet të fillojë jo më vonë se 3 muaj para mbarimit të mandatit të kryetarit.
“Për këtë arsye lind nevoja e shpalljes së vakancës dhe vijimin e procedurave të mëtejshëm për zgjedhjen e drejtuesit të prokurorisë së posaçme në kushtet kur mandati i drejtuesit aktual mbaron më datë 18 dhjetor 2025”, tha Stojani.
Me 11 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim KLP vendosi të hapë garën për drejtuesin e ri të SPAK, duke u lënë afat tre javë të interesuarve për këtë post që të paraqesin dokumentacionin dhe parashtrojnë idetë për mënyrën e drejtimit të SPAK. Deri më tani nuk ka ende një listë zyrtare kandidatësh.
Edhe një mandat…
Kreu i SPAK, Altin Dumani, në daljet e pakëta publike kërkoi rikandidim si anëtar i SPAK për një mandat tjetër 9-vjeçar.
“Është investuar shumë në këto vite tek këta prokurorë nga shteti shqip por edhe partnerët, për ngritjen e tyre profesionale. Unë mendoj se këta janë një aset që duhen shfrytëzuar, jo një aset që e përdor dhe pastaj pas 9-vjetësh shko në prokurorinë e juridiksionit të përgjithshëm. Ti jepet mundësia që të rikandidojnë edhe për një afat tjetër 9-vjeçar”, tha Dumani, më 4 prill 2024, teksa raportonte në Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Kushtetuta dhe ligji për SPAK-un
Në nenin 148, pika “dh” e Kushtetutës thuhet: “Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme zgjidhet nga radhët e prokurorëve të kësaj prokurorie me shumicën e anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, për 3 vjet, pa të drejtë rizgjedhjeje, sipas ligjit”.
Ndërsa në nenin 12 të ligjit për Prokurorinë e Posaçme (SPAK), në pikën 3 dhe katër përcakton se: “Prokurorët emërohen në detyrë nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për një mandat nëntëvjeçar” dhe … “në përfundim të mandatit të prokurorit të posaçëm, Këshilli i Lartë i Prokurorisë e kthen atë në pozicionin e tij të mëparshëm ose në pozicione të lira në zyra të tjera të sistemit të prokurorisë, duke marrë përparësi mbi kandidatët e tjerë”