ALKED LUKU
Në një postim në rrjetet sociale, ku ditët e fundit kanë qarkulluar foto dhe shifra që tregonin kapërcimin e çmimit të karburanteve, presidenti Ilir Meta ka publikuar disa të dhëna që vërtetojnë abuzimin me rritjen e tyre. Një verifikim i Faktoje gjeti të vërtetën, por edhe disa pasaktësi në deklaratën e presidentit që i referohej raportimeve të faqes online Global Petrol Price.
“Ukrainasit në luftë e blejnë naftën 1 euro/litër, shqiptarët në paqe me 2.2 euro/litër. Edhe sipas raportit të “Global Petrol Price” të datës 7 mars 2022, një litër naftë kushton më shtrenjtë se në Slloveni, Kroaci, Rumani, Serbi, Bullgari”- shkruante Presidenti Ilir Meta në postimin e publikuar në profilin e tij në Facebook më 9 mars.
Screenshot nga postimi i Presidentit Ilir Meta në Facebook
Faktoje bëri një verifikim në faqen online Global Petrol Prices e cila publikon informacione të përditësuara mbi çmimet e karburanteve dhe energjisë me pakicë në mbarë botën. Këtu përfshihen çmimet e karburantit motorik dhe çmimet e energjisë elektrike në 150 shtete të botës, po ashtu edhe çmimet e gazit natyror në 50 shtete.
Nga verifikimi që Faktoje bëri në listën e publikuar rezultoi se deri më 7 Mars 2022, data e fundit e përditësimit të informacionit nga Global Petrol Prices për këto vende, Shqipëria ka çmimin më të lartë për litër krahasuar me vendet e lartpërmëndura, përveç Sllovenisë e cila deri në atë datë rezulton me çmim më të lartë të karburantit me 1.803 USD/litër.
Në datën 7 mars, çmimi për një litër naftë në Shqipëri, referuar Global Petrol Prices është 1.705 dollarë/liter, pra diku tek 1 dollar më lirë për litër se Sllovenia.
Screenshot i raportimit të GPP, përditësuar më 7.3.2022 për çmimet e karburantit
Referuar të njëjtës faqe Ukraina edhe pse në kohë lufte ka vërtetë çmimin më të lirë ndër disa shtete, përfshirë edhe Shqipërinë, me 1.155 USD/litër ose 1.064 EUR/litër.
Screenshot nga Global Petrol Prices me çmimet e naftës në 6 shtete përfshirë Ukrainën dhe Shqipërinë (USD).
Nga verifikimi i Faktoje, çmimet e përmendura në postimin e presidentit Meta për 5 shtetet, i korrespondojnë çmimeve për benzinën dhe jo për naftën, ndërkohë që për Slloveninë çmimi i pasqyruar nga presidneti në postimin e tij, nuk përputhet me asnjërin nga çmimet e raportuara në 7 mars nga GPP.
Gjithsesi diferenca në çmim nuk është shumë e madhe dhe konkluzioni i Presidentit se Shqipëria ka naftën më të shtrenjtë nga këto vende, përvëç Sllovenisë është i saktë.
Screenshot i çmimit të naftës për litër, 7 mars 2022 (Sllovenia e ka më shtrenjtë se Shqipëria në këtë datë)
Screenshot nga Global Petrol Prices çmimet e benzinës, 7 mars 2022
Nga verifikimi i kryer rezulton i saktë konstatimi i presidentit Meta se Ukraina dhe 4 shtete të tjera kanë çmim më të ulët të naftës se Shqipëria. Ndërkohë është e pasaktë referenca e çmimit të naftës së Shqipërisë, (që i përket datës 9 mars dhe jo datës 7 mars) ndërsa krahasimi është bërë me çmimet e shteteve në 7 mars. Edhe referenca për çmimin e naftës në Slloveni nuk përputhet me përditësimin e datës 7 mars nga Global Petrol Proces. Për këtë arsye vendosëm që deklaratën e presidentit Ilir Meta ta kategorizojmë Gjysmë të Vërtetë.