Gratë e vajzat preken më tepër nga gjuha e urrejtjes online, sidomos, kur ato janë edhe figura publike. Gra që, në disa raste, kanë rënë pre e komenteve negative, tregojnë për Faktoje si kanë zgjedhur të reagojnë në situata të tilla, që prekin vetë ato dhe familjet. Ekspertë të komunikimit argumentojnë se gjuha e urrejtjes ndaj grave nuk i kursen komentet seksiste, kërcënimet dhe shpifjet, duke i dëmtuar ato emocionalisht dhe psikologjikisht. Njëzëri, ato apelojnë t‘i jepet fund këtij fenomeni, i cili ka çuar deri në humbje jete në disa raste.
Nëse je grua, ka më tepër gjasa të sulmohesh sipas ekspertëve të komunikimit, të cilët sjellin si argument stereotipet gjinore.
“Në përgjithësi, gratë janë më të prekura nga gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale. Kjo ndodh për shkak të një morie faktorësh, përfshirë stereotipet gjinore, objektifikimin e grave dhe sjelljet sociale. Gjuha e urrejtjes ndaj grave nuk i kursen komentet seksiste, kërcënimet dhe shpifjet, duke shkaktuar dëme emocionale dhe psikologjike.
Kjo nënvizon nevojën për të adresuar me seriozitet fenomenin e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale dhe për të punuar për krijimin e një ambienti online më pozitiv për të gjithë”, argumenton ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni.
Ajo thekson se, për burrat, gjuha e urrejtjes, në përgjithësi, është e lidhur me njohje, interesa e çështje të drejtpërdrejta.
“Rrallë targetohen burra që nuk nxisin diçka personale tek ai që shkruan me gjuhë urrejtjeje. Dhe nuk targetohen thjesht për gjininë, por për veprimet apo mosveprimet e tyre, që është ndryshe nga gjuha e urrejtjes ndaj grave”, thekson ekspertja.
Gratë shënjestrohen online
Gazetarja e njohur, Iva Tiço ka rënë pre e profileve të rreme, ku promovohen preparate për dobësim. Gjuha e përdorur në rrjetet sociale nuk është aspak etike dhe shoqërohet me tone seksiste.
“Pas darkës ha një lugë nga përzierja dhe në mëngjes burri nuk më njeh. Është shumë e lehtë të përshpejtosh heqjen dhe të heqësh qafe tepricën”, shkruante profili në Facebook.
Në lidhje me këtë, Iva Tiço tha për emisionin “Kape Rrenën” se ishin qindra komente negative, që shoqëronin postimin.
“Ishte një titull i tmerrshëm. Thoshte “çdo natë pi këtë, që në mëngjes të mos të të njohë burri’. Ajo që mua më shqetësoi ishin me qindra komente që më shanin, lloj-lloj gjërash. Pastaj kuptova që kjo ishte diçka shumë e rrezikshme, sepse vidhnin karta krediti”, sqaroi gazetarja e njohur.
Por cilat janë komentet në tërësi, që e prekin më së shumti Iva Tiçon?
“Do përgjigjesha “sharjet”, por jo nuk janë ato kryesoret. Më shumë sesa prekja, më acaron padrejtësia, sidomos kur merret një shkrim, një deklaratë, hiqet nga konteksti dhe trajtohet si showbiz. Fjalët e njerëzve nuk më prekin, të them të drejtën. E di që injorancën s’e ndal dot, e di që ai që shan në rrjet është një i mjerë që shfryn aty dështimet e tij.
Ajo që më nxeh është papërgjegjshmëria e kësaj palo ‘media’ për ta katandisur këtë profesion që dikur ishte aq i bukur, ‘një letërsi në nxitim’, siç thoshte Hemingway, në këtë gjënë që është sot e që s’ka pikën e lidhjes me gazetarinë”, tha gazetarja për Faktoje.
Nutricionistja Diola Dosti tregon për Faktoje se ndaj saj u përdor gjuhë urrejtjeje në mediat online, kur ajo u bë pjesë e një reality show. Fakti që një grua, nënë e 3 vajzave, kishte lënë të bijat për të nisur një aventurë televizive, për ndjekësit online ishte një “arsye e fortë” për ta kryqëzuar.
“Po shko moj vajzë tek vajzat, ça është kjo punë shkoni mas karrierës dhe i leni fëmijët, [në] njëfarë mënyrë e braktisni, kur doni i merrni dhe kur doni i braktisni, jo moj kjo gjë [nuk] funksionon kështu, fëmijët duan përkujdesje”, shkruanin ndër të tjera përdorues të mediave online.
Disa nga komentet online
“Unë nuk i kam lexuar mesazhet duke filluar që nga viti i kaluar, ose thënë më saktë, pak pasi kam dalë nga shtëpia e ‘Big Brother’, sepse kur i lexova në fillim pashë një gjuhë urrejtjeje të jashtëzakonshme dhe e ndjeva që ndikon shumë negativisht te unë dhe i vendosa qëllim vetes që të mos i lexoj. Unë në mënyrë absolute nuk i lexoj dhe nuk i jap atë efekt negativ vetes sime, sepse e di shumë mirë çfarë më bëjnë komente të tilla. Jam përpjekur që ta ruaj veten time shumë, sepse e njoh veten, jam shumë emocionale dhe tek unë ndikon shumë”, shprehet Diola Dosti për Faktoje.
Ndikimi i komenteve negative te familjarët
Gazetarja Iva Tiço shprehet se ka vendosur që t’i shmangë komentet, por ka edhe raste kur ato mund të kenë ndikuar të familjarët, konkretisht te vëllai i saj.
“Kemi vite që i kemi shmangur komentet. Mami im nuk ka pasur kurrë dhe nuk ka rrjete sociale, në mënyrë që të mos shqetësohet, kurse im vëlla, edhe nëse mund të jetë mërzitur ndonjëherë, nuk ma ka thënë kurrë, në mënyrë që të mos më mërzisë… Ama është i kënaqur që kam disa vite që nuk shkruaj më dhe dal gjithmonë e më pak në televizor. Që kur merrem kryesisht vetëm me ushqime apo libra, nuk bëj më as komente, as analiza, nuk bëj as statuse dhe nuk jap më asnjë opinion, jemi të gjithë shumë të qetë. Pra le të themi që jam dorëzuar dhe jemi të gjithë mirë”, thotë Iva.
Diola Dosti thekson se ashtu si ajo, edhe të bijat nuk i lexojnë më komentet në rrjetet sociale, për të shmangur efektin negativ në jetën e tyre.
“Përsa i përket vajzave të mia, si mami, as ato nuk i lexojnë komentet, kështu që normalisht nuk ka ndikim”, tregon nutricionistja.
Arsyet që ndezin gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale
Ekspertja e komunikimit, Edlira Gjoni ngre shqetësimin se sjellja online ende nuk është e rregulluar me ligj dhe ndaj askush nuk ka frikë të jetë negativ dhe toksik në rrjetet sociale.
“Ka disa arsye për përhapjen e gjuhës së urrejtjes në rrjetet sociale në të gjithë botën: anonimati, polarizimi shoqëror, ndikimi i vetë mediave sociale me mbipërdorimin e tyre si edhe diskriminimi që lind në bazë stereotipesh janë arsyet më madhore. Si? Pas anonimatit, përdoruesit thjesht fshihen dhe, duke qenë pa identitet, u duket e thjeshtë të zbrazin gjithë negativitetin dhe boshllëkun e jetës së tyre, sepse e dinë se nuk ka asnjë pasojë e asnjë frikë.
Online na duket sikur asnjë rrezik nuk na kanoset, se urrejtja gjoja është në ajër. Polarizimi pastaj sjell përçarje dhe nxit urrejtje. Dhe, sa më negative e pa kërkesë absorbimi apo rregullim sjelljeje të ketë përmbajtja, aq më shpejt përhapet në rrjetet sociale, si ‘zjarri në kashtë’, argumenton ekspertja.
Të ndalim gjuhën e urrejtjes në rrjetet sociale
Gratë, si viktima të kësaj gjuhe urrejtjeje online, por edhe ekspertët e komunikimit apelojnë që të ndalet ky fenomen, pasi ka pasoja negative te të gjithë.
“E keqja duhet të ndalet, kjo s’do mend! Jo vetëm për ata që e pësojnë, por është në të mirën edhe të atyre që e përdorin, që ta ndalin, që të jetojnë më mirë, të jenë të lumtur. Njerëzit e lumtur nuk merren me të tjerët, nuk shajnë të tjerët, nuk kanë urrejtje. Po a do ndalet? Sigurisht që jo, nuk jam aq naive sa të besoj që bota do të bëhet një vend i lumtur”, shprehet gazetarja Iva Tiço.
Nutricionistja Diola Dosti apelon që të frenohet urrejtja online, pasi më së shumti po prek dhe ndikon te adoleshentët.
“Kjo gjuhë e urrejtjes duhet të ndalet, sepse fillimisht kemi harruar që ne jemi njerëz dhe duhet të shfaqim elementet tona njerëzore, elementet tona humane. Kjo gjuhë urrejtjeje duhet të ndalojë, sepse mendoj se prek më shumë adoleshentët që nuk kanë formuar ende personalitetin e tyre, sepse personat, le të themi, mbi moshën 18 vjeç, deri diku nuk janë aq shumë të ndikueshëm, kurse adoleshentët nën 18 vjeç janë ende pa një formim të personalitetit dhe kjo gjuhë e urrejtjes mund të ndikojë te emocionet e tyre.
Mos harrojmë që ne jemi qenie emocionale që ecim në trupa fizikë, kështu që nuk e shoh të arsyeshme pse duhet të derdhim vrer gjithmonë mbi tjetrin”, thekson nutricionistja Diola Dosti.
Ekspertja e komunikimit Edlira Gjoni argumenton se gjuha e urrejtjes në rrjetet sociale i hedh benzinë zjarrit, në një mjedis të rënduar të komunikimit online dhe ka pasoja negative në shoqëri.
“Sepse nxit urrejtje, përçarje dhe diskriminim, duke shkaktuar dëme emocionale dhe në raste ekstreme, edhe fizike. Kur individët përdorin gjuhën e urrejtjes, kontribuojnë me dashje në kultivimin e një ambienti të padurueshëm e të rrezikshëm për të gjithë. Po ashtu, gjuha e urrejtjes sjell polarizim dhe tensione sociale, duke ndikuar negativisht në stabilitetin e një shoqërie”, thotë ekspertja.
Studimi i Faktoje
Në një studim të publikuar nga Faktoje në shtator të vitit 2023, evidentohet se shumica e mediave shqiptare vazhdojnë të përdorin narrativa që ngulisin normat dhe rolet strikte gjinore. Tabloidët dhe madje edhe agjencitë kryesore të lajmeve publikojnë në rubrikat e tyre ‘gossip’ dhe ‘showbiz’ artikuj që, në masën më të madhe, nxjerrin në pah shtatzëninë, mëmësinë dhe marrëdhëniet romantike me burrat. Këta artikujt rrallë përqendrohen te figura e babait, kurse për gratë ka shumë më tepër gjasa të përmenden në arritjet e tyre në këto kategori, sesa në arritjet e tyre profesionale.
*Ky shkrim është realizuar nga Faktoje si pjesë e projektit “Thuaj po dashurisë, jo gjuhës së urrejtjes”, mbështetur nga iniciativa rajonale e Agjencive të Kombeve të Bashkuara “Të rinjtë për përfshirje, barazi dhe besim”, financuar nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Paqen. Në Shqipëri kjo iniciativë zbatohet nga zyrat lokale të UNFPA dhe UNDP. Pikëpamjet e shprehura këtu janë përgjegjësi e autorit dhe nuk shprehin domosdoshmërisht ato të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Paqen , UNDP-së apo UNFPA-së.