Në 2021, diskursi publik shqiptar shpërtheu në zemërim pas kërkesave nga komuniteti LGBT për zëvendësimin e fjalëve “nënë” dhe “baba” me termat ‘shterpë’ “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Urrejtje homofobe u derdh në komente online dhe një koalicion në mbrojtje të familjes u formua. Por a i bëri vërtet dikush këto kërkesa? “Faktoje” hedh dritë mbi mënyrat me të cilat dezinformimi dhe praktikat e dobëta gazetareske u përdorën për të shënjestruar një nga grupet më vulnerabël në Shqipëri.
Patris Pustina
Në 8 qershor 2021, aktivistja për të drejtat LGBT, Xheni Karaj, u ftua në një emision pasditeje në ABC News.
Tema e bisedës ishte këshilla e pretenduar e shoqatës bamirëse Stonewall, në Mbretërinë e Bashkuar, ndaj punëdhënësve që të zëvendësonin termin “nënë” me “prindi që ka lindur”. Vlen të përmendet se Stonewall deklaroi, në 2022, që “nuk është absolutisht e vërtetë që Stonewall dëshiron të ndalojë fjalën “nënë” nga politikat e burimeve njerëzore, siç është pretenduar në artikuj të përsëritur nga një numër i vogël portalesh.”
Karaj thotë që, gjatë diskutimit, ajo foli mbi rëndësinë e gjetjes së zgjidhjeve ligjore që do të bënin të mundur regjistrimin e çifteve gej si prindër të fëmijëve të tyre. Korniza ligjore në Shqipëri, në këtë kohë, nuk lejon dy gra apo dy burra të regjistrohen si prindërit e një fëmije.
Vetëm pas diskutimit Karaj vuri re: ndërsa ajo fliste mbi zhvillimet në Mbretërinë e Bashkuar, në ekran, strisha e emisionit deklaronte: “Xheni Karaj: Komuniteti LGBT kërkon të hiqen termat “nënë” dhe “baba” dhe të zëvendësohen me ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’”
Kështu lindi saga e “Prindi 1” dhe “Prindi 2”.
Me gjasa një lapsus nga një gazetar i panjohur dhe i mbingarkuar që po përpiqej ta bënte pak më pikante puntatën e asaj dite, ajo e ka përndjekur komunitetin LGBT në Shqipëri që prej asaj kohe.
Një pretendim tmerrësisht kontrovers, veçanërisht në një vend si Shqipëria, ai ofroi material të parezistueshëm për median dhe shumë nga afro 800 portalet e vendit.
Karaj thotë se asnjë organizatë, e komunitetit LGBT apo tjetër, nuk ka depozituar ndonjë kërkesë apo propozim ligjor që kërkon zëvendësim, heqje, apo futjen e termave “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Dy ditë pas emisionit, ajo shkruajti edhe në media sociale për të treguar si qëndronte e vërteta, duke deklaruar se komuniteti LGBT nuk kishte kërkuar kurrë ‘shfarosjen’ e fjalës “nënë”.
Megjithatë, media raportoi gjerësisht se Karaj dhe komuniteti LGBT po kërkonin të zëvendësoheshin fjalët ‘nënë’ dhe ‘baba’ me “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Një numër figurash publike shprehën revoltë dhe neveri kundrejt absurditetit të kërkesave të supozuara të komunitetit LGBT për heqjen e fjalës ‘nënë’ dhe zëvendësimin e saj me ‘prind’.
Në 8 qershor 2021, Newsbomb.al raportoi mbi debatin me një artikull të titulluar: ‘“‘Të hiqet fjala nënë”, debat në studio, spikerja Tafani i kthehet Xheni Karajt: Unë jam grua dhe nënë, ti e degjeneron shoqërinë!”. “Në Shqipëri po kërkohet të hiqet fjala nënë dhe baba,” paralajmëronte Revista Ora. JOQ Albania, ndoshta portali më i ndjekur i vendit, me 2 milionë ndjekës në Facebook dhe 1.3 milionë në Instagram, raportoi në 10 qershor 2021 se “komuniteti LGBT kërkon heqjen e fjalës ‘nënë’ dhe ‘baba’”.
Kjo çoi në një stuhi gjuhe urrejtje kundër komunitetit LGBT, si dhe kërcënime me vrasje dhe përdhunim kundër vetë Karaj.
“Mua personalisht, dhe si personi që u linçua publikisht në lidhje me këtë gjë, fillova të kisha pafund kërcënime, mesazhe kërcënuese për jetën, mesazhe përdhunimi, me qindra në rrjetet e mia sociale. Kisha njerëz që më ngacmonin në rrugë. Më thërrisnin “Prindi 1, Prindi 2”. Ose më ndalonin. U bë edhe fizikisht e rrezikshme situata. Ti kishe gjithë Shqipërinë që të urrente si personi që ka kërkuar të shuhet termi “nënë” dhe termi “baba”. Domethënë ti dehumanizohesh totalisht,” thotë Karaj.
Kishte gjithashtu një rritje të madhe, sipas Karaj, të komenteve urryese online në artikujt dhe postimet mbi këtë temë: “Pra, pati një rritje shumë të madhe të urrejtjes përmes komenteve online nëpër artikuj të ndryshëm ku ti shihje se sa të mllefosur ishin njerëzit dhe sa shumë ishte ngritur niveli i urrejtjes ndaj komunitetit LGBT. Dehumanizim, totalisht, i personave të komunitetit.”
“Edhe në realitet u rritën krimet e urrejtjes,” na tha Karaj. Dy javë pas debatit televiziv, një person transgjinor u sulmua fizikisht nga persona që përdorën termat “Prindi 1” dhe “Prindi 2”, mes ofendimeve të zakonshme.
“Ka një lidhje shumë të ngushtë midis nxitjes dhe përdorimit të gjuhës së urrejtjes online dhe realitetit të përditshëm të personave. Njerëzit fillojnë bëhen më agresivë kur ti krijon gjithë këtë narrativë kaq agresive dhe dehumanizuese.”
Një figurë publike, në veçanti, pastori evangjelist Akil Pano, u kap pas narrativës së “Prindi 1” dhe “Prindi 2”. Në një tjetër emision, më 9 qershor 2021, Pano foli mbi të njejtën temë si Karaj, një ditë më parë. Gjatë diskutimit, Pano u zotua të organizonte një referendum në Shqipëri, për të mbrojtur shenjtërinë e termave ‘nënë’ dhe ‘baba’, ndërsa e quajti homoseksualitetin një “devijancë” dhe një tipar i lidhur me “mëkatin, shkeljen dhe korrupsionin moral”.
Në Shtator 2021, pastori themeloi Koalicionin Shqiptar Pro familjes dhe jetës. Konferenca e parë e mbajtur nga kjo organizatë në 2022 priti figura të rëndësishme si vetë presidenti i atëhershëm Ilir Meta. Themelimi i kësaj organizate u pasua nga nderimi i Panos me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, “për përkushtimin e spikatur për kauzën e mbrojtjes së familjes”. Konferenca e saj e dytë, nën sloganin “Zoti, familja dhe kombi”, u mbajt në Shkurt 2023.
Zemërimi i krijuar nga dezinformimi u ndez edhe më shumë në Tetor 2021, kur Pano postoi në mediat e tij sociale një formular anketimi që ai pretendoi se ishte shpërndarë nëpër kopshte. Formulari përmbante termat ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’. Kjo, tha Pano, ishte provë që “agjenda gay” kishte “nisur zbatimin”.
Ky dokument u mohua nga Bashkia Tiranë, e cila deklaroi se nuk ai nuk ishte lëshuar nga ky institucion. Njësoj, edhe organizatat LGBT në Shqipëri mohuan të kishin ndonjë dije mbi apo lidhje me këtë formular.
Megjithatë, dëmi ishte bërë tashmë. Një tjetër valë reagimesh të ashpra, indinjate mediatike, dhe urrejtjeje homofobike pasoi. Siç thotë edhe Karaj, pati një thellim të “polaritetit dhe ndasisë që këto që janë jo normalë, këto perversët, po na vijnë tani dhe po na kërcënojnë vlerat normale ne të tjerëve, ne normalëve.”
“U thellua kjo ndasia që ne kemi vite që përpiqemi ta ndryshojmë,” thotë ajo me keqardhje.
‘Legjenda’ e ‘prindit 1’ dhe ‘prindit 2’ vazhdon të përdoret si një çomangë dezinformuese për të sulmuar komunitetin LGBT.
Në Nëntor 2022, Bislim Ahmetaj, Drejtuesi i Sekretariatit për të Drejtat e Njeriut në Partinë Demokratike, denoncoi “propagandën sorosiane që promovon “Prindin 1” dhe “Prindin 2””, në një përpjekje për ta pozicionuar ideologjikisht partinë e tij si një “parti e vlerave konservatore” që “ka qenë dhe do jetë gjithmonë në mbrojtje të familjes tradicionale”.
Kur Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi gjykoi se pastor Akil Pano kishte përdorur gjuhë urrejtjeje kundër komunitetit LGBT, Pano e apeloi vendimin në gjykatë. Vendimi i Komisionerit shkruante qartë se “objekt shqyrtimi i kësaj çështje nuk është vlerësimi i këtij propozimi apo i kërkesave të komunitetit LGBTI, por gjuha e përdorur nga A.P gjatë shprehjes së mendimeve, opinioneve apo qëndrimit, qoftë edhe në kuadër të lirisë së ndërgjegjes, fesë dhe besimit të tij, në kuadër të këtij debati.”
Paçka kësaj, kjo çështje gjyqësore prezantohet nga Pano si një betejë mes “Prindi 1 dhe Prindit 2” kundër “Mami dhe Babi”. Media i bëri jehonë kësaj narrative, me përjashtimin e Citizens Channel. Reagimi i një publiku tashmë gjerësisht homofob ishte, si pasojë, jashtëzakonisht mbështetës ndaj ‘kauzës fisnike’ të pastorit dhe urryes ndaj komunitetit LGBT. Vlen të përmendet, këtu, se një anketë e World Values Survey gjeti se 82% e të anketuarve shqiptarë nuk mendonin se homoseksualiteti është i justifikueshëm.
Pastor Akil Pano nuk ju përgjigj kërkesës sonë për koment për këtë shkrim.
Çfarë eklipson ‘debati’ i sajuar rreth “Prindi 1” dhe “Prindi 2” janë rrethanat konkrete të prindërve gej në Shqipëri. Karaj thotë, megjithëse termat që duhen përdorur duhet t’i lihen ekspertëve ligjorë t’i gjejnë, ka rëndësi urgjente që prindërit LGB të njihen nga ligji shqiptar.
Quhen “Prindi 1” dhe “Prindi 2” apo jo, realiteti është që familjet gej ekzistojnë në Shqipëri.
Pasi pluhuri i ngritur nga rrëmuja e “Prindi 1” dhe “Prindi 2” të ketë rënë, pasi vëmendja mediatike të ketë kaluar në skandalin e radhës, çfarë ende mbetet në rrezik këtu është statusi ligjor i dy binjakeve të vogla, mamatë e të cilave janë një çift lezbikesh. Që kur ato kanë lindur, dy vite më parë, ekzistenca e tyre është regjistruar në një regjistër të përkohshëm. Ato nuk kanë pasaporta, apo dokumenta të tjera identifikimi. Inekzistenca e tyre ligjore nuk i lejon ato të marrin shërbime publike si përkujdesje shëndetësore apo edukim parashkollor. Gjithashtu, ato nuk mund të dalin jashtë vendit.
Ligji shqiptar nuk lejon që një fëmijë të regjistrohet me dy nëna apo dy baballarë. Nëna që lindi binjaket mund të regjistrohet si nëna e tyre, por mamaja tjetër nuk do të kishte asnjë lloj të drejte ligjore mbi vajzat. Kështu, dy gratë vendosën ta refuzojnë këtë regjistrim të padrejtë, duke e çuar çështjen në gjykatë, ku janë duke luftuar këtë betejë ligjore për mbi dy vite.
Tekat e praktikave gazetareske të papërgjegjshme, etjes për klikime, dhe interesave të lloj-lloj individëve dhe grupeve zgjojnë herë pas here gogolin e ‘Prindi 1’ dhe ‘Prindi 2’. Shqiptarët LGBT mbeten në mëshirë të këtyre tekave.