Nisja e sezonit të veshtës, sivjet përveç gripit të pritshëm stinor, shoqërohet me kërcënimin e pandemisë së Covid-19, e cila vazhdon të përhapet me ritme të larta. Kjo situatë ka shtuar shqetësimin te qytetarët, të cilët sivjet janë shumë më të interesuar për kryerjen e vaksinës së gripit të zakonshëm, për të shmangur apo pakësuar në maksimum rrezikimin e shëndetit.
Edhe Komisioni Evropian, që prej datës 16 qershor i ka bërë thirrje vendeve antare, të nisin më herët fushatën për vaksinimin e popullsisë kundër gripit stinor, për të ulur rrezikun e shpërthimeve të njëkohshme me COVID-19.
Çfarë po ndodh me fushatën e vaksinimit sivjet për gripin e zakonshëm, në kushtet kur shifrat e përhapjes së Covid-19 vazhdojnë të jenë të larta?
“Faktoje”, pas thirrjes së Komisionit Europian, kërkoi informacion zyrtar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti i Shëndetit Publik, sesi do veprohej me planin e vaksinimit në këto kushte dhe sa është numri i vaksinave për kategoritë më të rrezikuara. Edhe pse ka kaluar 1 muaj nga dërgimi i kërkesës zyrtare për informacion, nuk morëm përgjigje nga këto institucione.
Dy javë pas interesimit të Faktoje, që nuk mori përgjigje zyrtare, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojties Socilae Ogerta Manastirliu, gjatë një inspektimi në Qendrën Shëndetësore Nr.6 në Kombinat, deklaroi se janë siguruar vaksinat falas kundër gripit, për kategoritë e rrezikuara.
“Ne jemi të angazhuar për të siguruar programin e vaksinimit dhe këtë vit kemi siguruar shumëfishimin e vaksinave të gripit falas për kategoritë në nevojë, sipas përcaktimeve të Institutit të Shëndetit Publik”- tha Manastirliu në Qendrën.
Nisur nga kjo deklaratë ne u përpoqëm përsëri të komunikojmë me ISHP për të mësuar sesa është numri i vaksinave që do të jenë në dispozicion të qytetarëve.
Edhe pas kësaj kërkese ne nuk kemi marrë ende një përgjigje. Faktoje bëri një Vëzhgim pranë disa qendrave shëndetësorë më të mëdha në kryeqytet, për të mësuar nëse vaksinat kanë nisur të shpërndahen.
Midis qyetetarëve që prisnin në radhë për vizita të ndryshme, në qendrën shëndetësore nr.10 në Tiranë, mësuam se kishte prej tyre që interesoheshin për vaksinën e gripit stinor.
M.P 53 vjeç u shpreh për “Faktoje” se situata e pandemisë i ka shtuar frikën, ndaj e konsideron vaksinën si një shpëtim.
“Aman se nuk dimë nga t’ia mbajmë , ta bëjmë njëherë se ku I dihet mbase nuk na kap virusi. Po pres të flas me mjeken a me ndonjë infermiere të më thoët ku të shkoj, ku ta bëj”-u shpreh ajo.
Shqetësimin na e konfirmoi edhe një nga mjeket e familjes në këtë qendër e cila tha se këtë vit, si kurrë ndonjëherë, moshate treta po dynden, ende pa nisur sezoni i gripit, për të bërë vaksinën. Megjithatë kjo qendër shëndetësore na informoi se vaksinat nuk kishin nisur të shpërndaheshin, madje as për stafin, si kategoria më e ekspozuar ndaj rrezikut të infektimit, ende nuk kishte lajmërim se kur do të nisnin vaksinimet.
E njëjta situatë ishte edhe në qendrën shëndetësore nr.2 ku interesi për vaksinën e gripit ishte shumë më i lartë se vitet e mëparshme. Të moshuar prisnin në radhë në sportelin e informacionit për të kontaktuar me mjekët e familjes ose për të pyetur për vaksinat.
“Erdha para dy ditësh pyeta, nuk kishin ardhur, i lashë numrin kryeinfermieres të më telefonojë, po nuk më lë meraku, dua të shikoj vetë nëse ka ardhur vaksina se dhe mund të harrojnë”-u shpreh H.K 62 vjeç I shqetësuar.
Vëzhgimin tonë e vazhduam në disa farmaci të kryeqytetit ku na informuan se edhe aty vaksinat nuk kanë mbërritur nga kompanitë në të cilat është bërë porosia për shkak të situatës së krijuar nga COVID-19.
Vitin e kaluar në ISHP mbërritën në total 80 mijë doza vaksinash të cilat u përdorën për vaksinimin e kategorive:
-personeli shëndetësor,
-femijët në moshën 2 – 5 vjeç,
-gratë shtatzëna,
-persona me sëmundje kronike si diabet, sëmundje kronike obstruktive pulmonare, sëmundje kronike të zemrës, veshkave, mëlcisë etj. si dhe persona obezë apo me imunodeficiencë të të gjitha moshave,
-persona mbi 65 vjec
Nga të dhënat e tre viteve të fundit (pa përfshirë këtu sezonin 2020-2021,) numri i dozave të vaksinave të gripit është rritur nga viti 2018, por numri i popullsisë së vaksinuar sipas qarqeve është më i ulët. Nga ana tjetër, për zotimet e ministres së Shëndetësisë mbi shumëfishimin e numrit të vaksinave për këtë vit, ende nuk ka transparencë se cilat janë këto shifra dhe kur do të nisë fushata, që siç sugjerojnë organizmat ndërkombëtare duhet të niste më herët, për shkak të kërcënimit nga pandemia.