Partia Socialiste u gjobit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sepse shkeli ligjin kur raportoi shpenzimet financiare të bëra gjatë fushatës elektorale të vitit 2021. Këtë gjobë, PS e përballon lehtësisht me fondin e mbledhur për ato zgjedhje. Verifikimi i Faktoje vërteton se shkelja e ligjit për financimin e fushatave elektorale, edhe pas gjobëvënies së KQZ-së, nuk e kryen funksionin parandalues. Ekspertët sugjerojnë se miratimi i një ligji për partitë politike dhe aktivitetin e tyre dhe një për financimin e partive dhe fushatave elektorale do mundësonin zbatimin e nenit 9 të Kushtetutës i cili kërkon që shpenzimet e partive të jenë kurdoherë publike.
Jona Plumbi
Për të kuptuar sa i zbatueshëm dhe funksional është kuadri ligjor për financimin e fushatave zgjedhore, Faktoje mori rastin e zgjedhjeve parlamentare 2021. Për shkeljet e kryera gjatë raportimit të financave të partisë gjatë fushatës 2021, KQZ gjobiti si Partinë Socialiste ashtu edhe Partinë Demokratike. Gjoba më e lartë në vlerë monetare, ishte ajo ndaj Partisë Socialiste për shkeljen e ligjit në pikën ku përcakton shumën maksimale të parave që mund të përdoren në fushatë zgjedhore.
Rasti i PS-së
Partia Socialiste shpenzoi më shumë fonde nga sa i lejon ligji në zgjedhjet e vitit 2021. Tabela më poshte tregon shifrën maksimale që mund të shpenzonte një parti politike (167 milionë lekë ose 1,4 milionë euro), krahasuar me shumën që PS mblodhi (176 MLN) për fushatë.
Nisur nga fakti se PS shpenzoi për fushatë 172 milionë lekë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi se Partia Socialiste ka shpenzuar 4.5 milionë lekë më shumë nga çfarë i lejohej me ligj.
Nisur nga fakti se PS shpenzoi për fushatë 172 milionë lekë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve konstatoi se Partia Socialiste ka shpenzuar 4.5 milionë lekë më shumë nga çfarë i lejohej me ligj.
Sanksionet ligjore
Në ligjin zgjedhor, nëse një parti politike e kalon kufirin maksimal të shpenzimeve të lejuara gjatë fushatës, ajo dënohet me gjobë 5 milionë lekë ose me një gjobë të barabartë me shumën që ka kaluar kufirin.
Në zbatim të Kodit Zgjedhor për sanksionet në këtë rast, KQZ vendosi gjobën maksimale të parashikuar për këto raste. Partia Socialiste u gjobit me 5 milionë lekë.
Komisioneri Shtetëror për Zgjedhjet, Ilirjan Celibashi, në një tryezë të organizuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe Këshillin e Europës, mbi financimin e partive në fushata zgjedhore, theksoi mungesën e besimit tek efekti edukues i ligjit.
Sipas Celibashit sistemi i gjobëvënies i parashikuar në Kodin Zgjedhor jo vetëm nuk është efikas në parandalimin e shkeljeve, por bën efektin e kundërt duke “nxitur” subjektet politike të mos bëjnë raportime financiare sipas rregullave.
Problemet në ligj
Shkelja e ligjit zgjedhor, për Shqipërinë është kthyer në traditë. Ligji për partitë politike ia ngarkon KQZ-së detyrën për kontrollin e financimit të partive politike, si në periudhën elektorale ashtu edhe gjatë viteve jo-zgjedhore. Paligjshmëritë e faktuara nga KQZ vlerësohen sipas gjobave administrative të përcaktuara në ligj, me pretendimin se edukojnë subjektet zgjedhore për të zbatuar ligjin.
Për të kuptuar nëse sanksionet ligjore e kanë efektin edukues tek partitë politike që shkelin ligjin zgjedhor, Faktoje mori mendimin e ekspertëve të fushës.
Pikëpamja ekonomike
Nga pikëpamja ekonomike, Eduart Gjokutaj, ish këshilltar i politikave fiskale dhe administrimit të taksave në Kabinetin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe asaj të Financave, vendos theksin tek mospërputhja mes formës së sanksionit që parashikon Kodi Zgjedhor dhe realitetit financiar të partive politike në vend.
Gjokutaj shpjegon se partitë politike marrin financim privat shumë të bollshëm, krahasuar me paratë që i jep buxheti i shtetit sipas nenit 88 të Kodit Zgjedhor. Për këtë arsye, gjoba e parashikuar në ligj që ka një vlerë maksimale të caktuar, nuk është e përpjestueshme me vlerën e kundravajtjes financiare. Ndryshe do qëndronte situata nëse gjoba do të parashikohej si përqindje e vlerës së kundravajtjes. Kjo tejkalohet me miratimin e një modeli më efektiv të parandalimit të mbishpenzimeve nga partitë politike në fushata elektorale, sugjeron Gjokutaj, i cili krahasimin e masës administrative ndaj partive e bën me atë të dënimit që ligji shqiptar i bën evazionit fiskal.
“Do kishte më shumë kuptim detyrimi i partive për të paguar shumën e tejkaluar, si një financim që ka kapërcyer limitin e ligjit. Si dhe një dënim administrativ në masën 100% për partinë politike për moszbatim të detyrimit për tejkalimin e fondeve të lejuara.”
— Eduard Gjokutaj, analist fiskal
Pikëpamja politike
Edhe për studiuesit e sistemeve politike, qeverisjes dhe demokracisë, Kodi Zgjedhor i Shqipërisë, e aq më pak ligji për partitë politike, nuk e kryejnë rolin edukues që i veshin në retorikë, sa i përket financimit të fushatave.
Afrim Krasniqi, kërkues shkencor dhe autor i studimeve dhe teksteve mbi sistemet zgjedhore dhe ato partiake, thekson mungesën e plotë të transparencës financiare të partive gjatë zgjedhjeve.
“KQZ merret vetëm me deklarimet në sistem, jo me financimin real në fushatë dhe në procesin zgjedhor, ndërkohë që këto të dytat janë shumëfish më të mëdha sesa deklarimet formale në sistem.“
— Afrim Krasniqi, kërkues shkencor, Drejtues ekzekutiv i Institutit për Studime Politike
Krasniqi theksoi se monitorimi i fushatës zgjedhore dhe shpenzimeve nga KQZ nuk përfshin miliona që paguhen për aktivitete politike të subjekteve që ligjërisht nuk janë ende pjesëmarrëse në zgjedhje, e për pasojë janë shpenzime të cilat nuk monitorohen.
Arjan Dyrmishi, drejtues i Qendrës për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes, sugjeron ndërthurjen e formave të ndryshme të sanksioneve për shkeljet ligjore nga partitë.
“Përveç gjobave, do të duhet të ketë mekanizma të tjerë administrativë si mosdhënia e financimit publik nga buxheti i shtetit, humbja e pozitës së fituar nga zgjedhja (deputet, kryetar apo këshilltar bashkiak), pezullimi i partisë politike nga pjesëmarrja në zgjedhjet e ardhshme, apo dhe çregjistrimi i partisë.”
— Arjan Dyrmishi, hulumtues, drejtues ekzekutiv i Qendrës për Studimin e demokracisë dhe Qeverisjes
Në një raport mbi kuadrin ligjor të partive të ekspertit ligjor Kristaq Kume, mbështetet nevoja për reformimin e kuadrit ligjor për të rregulluar këto paligjshmëri të përsëritura.
Reforma zgjedhore
Tregues për mungesën e efektit të ligjit në shkeljen e rregullave financiare, sipas Afrim Krasniqit është edhe mungesa e kundërshtimit nga partitë politike të gjobave të vendosura nga KQZ.
“Fakti se partitë e mëdha nuk e ankimuan gjobën tregon se janë të kënaqur me të, duke evituar kështu hetimin më të thellë administrativ ose edhe të organeve që merren me paratë informale, financimet e grupeve kriminale apo pastrimin e parave.” – shpjegon Krasniqi.
Ekspertët theksojnë se është fakt i njohur publikisht që shifrat e deklaruara të donacioneve të partive politike janë shumë më të vogla sesa financimet reale.
“Raste të tilla duhet të shërbejnë për hetime të thella administrative të partive dhe aktiviteteve të tyre financiare publike dhe jopublike, jo thjesht gjetja e një shkeljeje proceduriale dhe penalizimi për të krijuar idenë se të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.” – argumentoi Krasniqi për Faktoje.
Për të rregulluar këtë hapësirë paligjshmërie të ligjëruar ekspertët sugjerojnë miratimin e dy ligjeve që mundësojnë rregullimin e kësaj fushe duke respektuar parashikimet e Kushtetutës për transparencë të plotë të shpenzimeve të partive politike.
“Shqipëria ka nevojë për dy ligje organike, një për partitë politike dhe aktivitetin e tyre, si dhe një për financimin e partive dhe fushatave elektorale. Këto ligje do mundësonin zbatimin e nenit 9 të Kushtetutës që kërkon që shpenzimet e partive duhet të jenë kurdoherë publike.” – Afrim Krasniqi për Faktoje.
Një tjetër sugjerim që vjen nga raporti i ekspertit Kristaq Kume është ndarja e shkeljeve të ligjit për financimin e partive politike mes shkeljeve që konsiderohen si kundravajtje administrative, si dhe atyre që konsiderohen vepra penale. Kjo do të kërkonte ndërhyrje në Kodin Zgjedhor dhe Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë në të cilin aktualisht nuk ka nene të dedikuara për vepra penale që lidhen me financimin e partive politike dhe fushatave të tyre zgjedhore.
Përfundim
Të gjendura përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, partitë politike edhe këtë herë kanë mundësi të shkelin ligjin zgjedhor për raportimin e fondeve për partitë dhe kandidatët, pasi në fund të fundit, e kanë mundësinë financiare për të përballuar edhe gjobën më të lartë të përcaktuar në ligj.
Edhe pse Kuvendi ka ngritur një Komision të Posaçëm për Reformën Zgjedhore prej vitit 2022, nuk ka ende një vendim apo draft për ndryshimin e ligjit për partitë politike apo Kodit Zgjedhor, që do të lejonte zbatimin e Kushtetutës për më shumë transparencë të fondeve nga partitë politike. Do duhet vullneti politik i po këtyre partive që shkelin ligjin, që të ndryshojnë Kodin Zgjedhor sipas modeleve dhe praktikave të mira, pjesë e të cilave janë propozuar nga ekspertët vendas me ndihmën e atyre ndërkombëtar.