Autore: Elva Keshi, Klea Hutja, shkolla e mesme profesionale “Nazmi Rushiti”
Një premtim i bërë nga kryebashkiaku i Dibrës, Rrahim Spahiu në vitin 2023 për rehabilitimin e fasadave të pallateve në lagjen Kamen mbetet ende i parealizuar. Ndërsa rikualifikimi urban u krye në disa zona të Peshkopisë, banorët e Kamenit thonë se ata janë lënë pas dore. Sipas tyre, premtimet e dhëna gjatë fushatave elektorale shpesh nuk përkthehen në veprime konkrete.
Banorët e lagjes Kamen në Peshkopi e kujtojnë edhe sot premtimin e bërë nga kryebashkiaku Rrahim Spahiu në vitin 2023 për rehabilitimin e fasadave të pallateve në këtë zonë.
“Ashtu si Dobrova, edhe Kameni do të rilindë përmes rikualifikimit urban të pallateve që do të aplikohet edhe në këtë lagje të qytetit”, premtoi zoti Spahiu në maj të vitit 2023.

Postimi i Rahim Spahiu në Facebook
Por, kur ka kaluar më shumë se 1 vit e gjysmë nga ky premtim, banorët thonë se fasadat e pallateve në lagjen e tyre në Kamen, nuk janë bërë ende.
“Në kohën kur u bënë pallatet në Dobrovë, Peshkopi u premtua se do të bëheshin dhe në Kamen në lagjen aksion, por si premtim nuk u mbajt. U dërguan punëtorë të shikojnë gjendjen e pallateve dhe nuk u bë sërish”, tregon Bashkimi, banor i lagjes.
Banorë të tjerë të kësaj lagje thonë se në shumë raste, premtimet e dhëna gjatë fushatave elektorale mbeten vetëm fjalë.
“Një nga këto raste është rasti i premtimit për rregullimin e pallateve në Kamen, që ende nuk është realizuar. Shpresuam se do na përmirësoheshin kushtet e jetesës, por asnjë ndryshim nuk vumë re për këtë gjë. Ndihemi të zhgënjyer, se na u dha fjala, por nuk u mbajt”, tregojnë banorë të tjerë të lagjes Kamen në Peshkopi.
Në dhjetor të vitit 2023, Faktoje.al konstatoi në terren se kishte përfunduar puna për rehabilitimin e fasadave në rrugën “Nazmi Rushiti”, në atë që njihet si rruga e Gjykatës dhe në lagjen Dobrovë. Ndërsa, asokohe vazhdonte puna për rehabilitimin e fasadave të pallateve në rrugën “Gjok Doçi” të Peshkopisë.
*Artikulli është realizuar nga nxënës të shkollës së mesme profesionale “Nazmi Rushiti” në Dibër, në kuadër të projektit “Echoes of Youth, Reporting for Change”. Projekti po zbatohet nga Qendra Agritra-Vizion në partneritet me Faktoje.al. Ky projekt mbështetet nga Programi “Rrugë Alternative”, financuar nga Qeveria Britanike dhe menaxhuar nga zyra e Këshillit Britanik në Shqipëri.
Mentore: Ilda Hoxha