Me sloganin “Mos u rreni nga Rrenci! Faktet kanë rëndësi…” Faktoje çeli zyrtarisht fushatën e re kundër dizinformimit këtë të mërkurë, teksa i prezantoi të ftuarit edhe me personazhin simbol të kësaj fushate RRENCIN.
Në takimin e organizuar me këtë rast nga Faktoje, me mbështetjen e Ambasadës Suedeze në Tiranë ishin të pranishëm studentë të departamentit të gazetarisë si dhe nga Universiteti i Arteve. Në këtë takim ishte e pranishme Ambasadorja suedeze Elsa Hastad, Drejtuesi i Departamentit të Gazetarisë Mark Marku si dhe Profesori i Akademisë së Arteve Eno.
Ambasadorja suedeze Elsa Hastad, e vuri theksin tek rëndësia që ka verifikimi i fakteve teksa ndau këshilla konkrete për studentët që do të jenë gazetarë të ardhshëm.
“Ndërgjegjsohuni, bëhuni të guximshëm dhe ju lutem të bëheni kuriozë, sepse kurioziteti është aspekti më i rëndësishëm kur ju jeni gazetarë! Dhe ju lutem bëni kërkime përpara se të takoni dikë.” – iu tha ndër të tjera Ambasadorja Hastad studentëve të gazetarisë.
“Dizinformimi është si një sëmundje e butë, por e ligë që shpërndahet pa u ndier dhe në fund e gjen veten të helmuar. Gjatë viteve të fundit kur të gjithë u përballëm me pandeminë, tërmetin, luftën në Ukrainë, u pa se si dizinformimi shpërndahej lehtësisht në rrjetet sociale dhe verfikuesit e fakteve janë ata që pastrojnë dhe ndërtojnë me fakte, që në kohë të caktuar shpëtojnë edhe jetë.” – tha Klodiana Kapo, drejtuesja ekzekutive e organizatës Faktoje.
Profesor Eno Milkani, ndau me pjesëmarrësit videot e detajuara të fushatës kundër dizinformimit, duke u ndalur veçanërisht tek prezantimi i Rrencit, personazhit simbol të kësaj fushate.
“Rrenci është simbol i gazetarisë fake news. Të gjithë e njohim nga një Rrenc, sepse lajmet e rreme tani shpërndahen më lehtë, pasi komunikimi është bërë demokratik. Më parë kjo e drejtë ishte e kufizuar në disa persona, por sot çdo njëri që ka një telefon smart mund të prodhojë lajme të rreme për klikime që të sjellin para.” – theksoi Profesor Milkani.
Nga ana tjetër Profesor Mark Marku e vuri theksin tek pasojat e jashtëzakonshme që kanë lajmet e rreme për shoqërinë duke sjellë një shembull nga jeta e tij.
“Para dy ditësh mora një email, një ftesë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë që më thoshte se duhet të paraqitesha në polici për një shkelje ligjore që kisha bërë. Ishte shkresë zyrtare e pastër. Por problemi ishte se në fund shkresa kishte emrin e drejtorit Gledis Nano, i cili nuk është më në këtë post. Unë e kisha këtë informacion, dikush tjetër që s’e di, mund të ishte paraqitur vërtetë atje, mund t’i ishte prishur dita, gjumi.. Pra lajmet e rreme interferojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në jetën tonë.” – tha ai.
Studentët e pranishëm thanë se fushata të tilla i vijnë në ndihmë të gjithëve, veçanërisht atyre që do të jenë pjesë integrale e mediave në të ardhmen e afërt.
“Jam shumë e lumtur që shkrimet e mia u publikuan dhe që u dhashë zë disa problematikave që shqetësojnë komunitetin ku unë jam rritur.” – tha Hafize Nelaj, pasi ndau eksperiencën e saj të parë si verifikuese e fakteve përmes projektit “Forcimi i kapaciteteve mbi verifikimin e Fakteve mbi çështjen integrimit në BE” i mbështetur nga Ambasada Suedeze në Shqipëri.