AURORA SHPATAJ
Procesi i vaksinimit që nis me mbërritjen e përfundon me injektimin, po shoqërohet me një debat të nxehtë, sidomos kur vjen fjala tek transparenca e shifrave. Sasia e vaksinave të mbërritura në krahasim me ato premtuara sipas afateve të artikuluara nga kryeministri Rama, ka qenë disa herë më e vogël, siç ka verifikuar më herët Faktoje. Por zëvendësministrja e Shëndetësisë Rakacolli ka ‘konfirmuar’ dje se zoti Rama nuk ka premtuar më shumë vaksina. Ky pretendim rrëzohet nga shifrat zyrtare.
Zëvëndësministrja e Shëndetësisë Mira Rakacolli e ftuar në emisionin “Frontline” në News-24, kur u pyet mbi numrin e ulët të vaksinave anticovid të mbërritura në vend, në krahasim me atë të premtuar nga kryeministri Rama, u shpreh:
“Absolutisht nuk kemi pasur më pak. Nuk janë premtuar më shumë. Vaksinat nuk vijnë të gjitha bashkë”.
Në 1 mars Faktoje publikoi një verifikim të kryer pikërisht mbi deklaratën e kryeministrit https://faktoje.al/rama-gjate-muajit-shkurt-do-te-vijne-mbi-40-mije-doza-nga-pfizer/ për mbërritjen e 40 mijë dozave të vaksinës anti-Covid brenda muajit shkurt. Por gjatë atij muaji, siç rezultoi, erdhën më pak se gjysma e sasisë së premtuar. Këtë fakt ia paraqitëm edhe zonjës Rakacolli, të cilën e pyetëm se ku e mbështeste tezën e saj mbi vërtetësinë e deklaratës së kryeministrit Rama.
Screenshoot nga komunikimi në Whatsapp me zëvendësministren e Shëndetësisë, Rakacolli
Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë përgjigje nga zonja Rakacolli.
Duke u rikthyer tek zotimet e kryeministrit mbi dozat e vaksinave që do të mbërrinin, kujtojmë se në 1 janar të këtij viti ai u shpreh :
“10 750 dozat e para do të mbërrijnë në fillim të javës së 3 të janarit, ndërsa 30 250 doza të tjera do të vijnë në muajin shkurt.”
Në fakt në muajin janar u raportua mbërritja e vetëm 975 dozave, saktësisht në datën 11, kur nisi edhe procesi i vaksinimit. Pra në janar mbërriti një sasi thuajse 10 herë më e vogël nga ajo që u premtua.
Në datën 2 shkurt kryeministri Rama u shpreh:
“Në mesin e shkurtit mbërrijnë 10.000 mijë e kusur dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit vijnë 30.000 mijë e kusur doza të tjera, sipas angazhimit të darkës së vonë mbrëmë.”
Në datë 15 shkurt mbërritën në aeroportin e Rinasit 7020 doza të vaksinave Pfizer, ose 2.980 doza më pak se ç’premtoi kryeministri.
Më datë 22 shkurt mbërritën në aeroportin e Rinasit 8190 doza të vaksinave Pfizer.
Pas kësaj date nuk pati ndonjë raportim për mbërritjen e dozave të tjera të vaksinës deri në fund të shkurtit.
11.01. 2021 975 doza
01.02. 2021 1 170 doza
15.02.2021 7 020 doza
22.02.2021 8 190 doza
17 355 doza gjithsej (nga 40 000 të premtuara)
Për muajin mars kryeministri Rama ka marrë zotime të reja për numrin e vaksinave që pritet të mbërrijnë, por këto i përkasin verifikimit të radhës nga Faktoje.
Sa i përket deklaratës së zëvëndministres së Shëndetësisë Mira Rakacolli, mbi shifrat e deklaruara nga kryeministri mbi numrin e vaksinave, bazuar në informacionin e grumbulluar, vendosëm që ta kategorizojmë TË PAVËRTETË.