Sebi Alla Në krah të dy ministrave, të cilët nuk folën, asaj të brendshme dhe atij të drejtësisë, kryeministri Edi Rama për më shumë se dy orë publikoi nismën mbi ndryshimet për ligjin 107/2014 “Për Planifikimin dhe Zhvillimin e territorit” i ndryshuar, mbi kontrollin e territorit dhe veçanërisht për ndërtimet pa leje, nga kullat deri tek muret rrethuese të shtëpive.

Ndonëse fjalimi i kryeministrit ishte mjaft i ngjashëm me nismën e marrë tre vite më parë, shtator 2022, e reja e sotme qe ndryshimi në ligj, që asnjë ankimim administrativ dhe gjyqësor nga subjektet, që kanë ndërtuar pa leje nuk do të mund të pezullojë vendimin e autoriteteve të zhvillimit të territorit, pavarësisht se do i drejtohen gjyqësorit.

Masat e parashtruara ishin gjithashtu edhe krijimi i listës së zezë publike të ndërtuesve që shkelin lejet e ndërtimit; masat ndaj nëpunësve shtetëror, që nuk raportojnë apo përfshihen vetë në ndërtime pa leje si dhe ndërhyrjet deri tek muret e avllive të banesave edhe për çështje estetike.

Gjykata pa vlerë

“Një tjetër masë e marrë është që ankimimi administrativ dhe gjyqësor nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit përfundimtar të autoritetit përgjegjës të zhvillimit të territorit”, tha kryeministri Rama, ndërsa shpjegonte nismën e ndryshimeve ligjore.

Sipas Ramës, ka pasur shumë abuzime në proceset e ankimit administrativ dhe gjyqësor.

“Kjo është masë shumë e rëndësishme sepse këtu ka pasur shumë spekulime dhe abuzime. Siç ka pasur edhe shumë akte të pranimit në heshtje, një sport shumë i shëmtuar të mosparaqitjes fare në gjyq të palës pushtet lokal, ose të palës një agjencie qëndrore në territor. Nuk do të ketë asnjë pezullim të ekzekutimit të vendimit të autoritetit përgjegjës të zhvillimit të territorit”, përfundoi kryeministri Rama.

Lista e zezë, ndërtues e arkitektë

Kryeministri tha se në ndryshimet ligjore parashikohet se për të gjithë ndërtuesit, që shkelin lejen e ndërtimit do të ketë një “listë të zezë” të shpallur, duke i ndëshkuar me pesë vite për të mos pasur të drejtë të pajisen me leje.

“Lista e zezë do të përfshijë zhvilluesit, shoqëritë, individët që kanë shkelur ligjin përshirë administratorët apo ortakët. Do të përjashtohen nga mundësia për të marrë leje ndërtimi për 5 vitet e ardhshme, do të jetë regjistër publik i aksesueshëm në faqet online”, tha kryeministri Rama.

Gjithashtu pjesë e ndëshkimeve do të jenë sipas kreut të qeverisë edhe arkitektët të cilëve u hiqet licensa po për pesë vite nëse nuk njoftojnë se ndërtuesi ka shkelur lejen. Po ashtu masa parashikohen edhe për nëpunësit shtetërorë, nga inspektorët e mbrojtjes së territorit deri tek punonjësit e policive bashkiake dhe të rendit të cilët nuk raportojnë ndërtimet pa leje.

Burgu ishte fjala që kryeministri përmendi tre herë gjatë fjalimit të tij, ndërsa shpjegoi se në qeli do të përfundojnë nga ndërtuesit e objekteve pa leje, deri tek ata që hapin një parkim pa leje.

I shqetësuar nga gjyqësori

Në nismën e ndryshimeve ligjore mbi kontrollin e territorit, shqetësim për kreun e qeverisë ishin disa gjyqtarë që, sipas tij, në kundërshtim me interesin qytetar vendosin masa “sigurim padie”, duke mos lejuar strukturat shtetërore që të ndërmarrin veprime për prishjen e ndërtimeve pa leje.

“Çfarë të bëj unë të rri mos të flas fare, qytetarët që e dhanë mandatin të rrinë me zaptuesin që kap një gjyqtar? Të pres ILD, atë të pres? Që amniston në tavolinë Gjelin e Thethit (i referohet prokurores së Shkodrës, dhe gjënë më flagrante që shpall mosfillimin e çështjes pa i hyrë fare fakteve.

Qytetarët nuk më dhanë 83 mandate që të rrinë me zaptuesit”, tha Rama, teksa tha se s’duhet të ketë asnjë masë sigurie për ndërtimet pa leje.

“Është e patolerueshme për mua që të shkelet me këmbë një komunitet i tërë familjesh. Qytetarët duhet ta dinë që e kanë peshqesh nga ky tipi” (i referohet gjyqtarëve).