Shumë të moshuar në Elbasan përballen me vështirësi për të përfituar shërbimet e premtuara sociale nga bashkia. Zana K. detyrohet të paguajë taksën e banesës edhe pse jeton e vetme, ndërsa Agimi ankohet se nuk ka vende në qendrën ditore, ndaj detyrohet të shtyjë kohën në lulishte. Nga verifikimi për Faktoje, Elbasani, një ndër 8 bashkitë me plakjen më të madhë të popullsisë, ofron fare pak shërbime dhe jo gjithëpërfshirëse për moshat e treta, edhe pse në fushata zgjedhore, ky komunitet joshet me premtime.
Fatbardha Nergjoni
Zana K, 71 vjeç dhe banon në një shtëpi përdhese në periferi të qytetit të Elbasanit. Ajo ka një djalë i cili vite më parë u largua fillimisht drejt Greqisë e më pas drejt Britanisë së Madhe.
Zana nuk ka përfituar asnjë shërbim të bashkisë ku jeton, edhe pse është e vetmuar e pa përkrahje, ndërsa mes premtimeve të kryebashkiakut të Elbasanit Gledian Llatja përfshiheshin lehtësira për kategorinë e të moshuarve që jetojnë të vetmuar.
Në janar 2023 ai e konsideronte bashkinë Elbasan institucionin më social në republikë duke renditur lehtësirat që kjo bashki ofronte për të moshuarit e vetmuar.
“Jemi bashkia më sociale në republikë. Vazhdojmë me tërmetin, me pandeminë, me luftën e Ukrainës, për shtrenjtimin e çmimeve.
Pensionistët e vetmuar, invalidët dhe kategori të tjera përfitojnë lehtësira pasi nuk paguajnë taksën e ndërtesës” tha ai.
Mirëpo që Zana të lehtësohet nga taksa e ndërtesës duhet t’i hyjë burokracive gjë që nuk ia lejon as mosha.
“Unë detyrohem të paguaj taksën e shtëpisë e vetme pasi djali e ka të pamundur të më mbulojë librezën e ujit ku janë të gjitha taksat që paguajmë. Unë i paguaj të gjitha një më një! Fillimisht paguaj ujin dhe energjinë dhe çfarë ngelet nga pensioni e përdor për të jetuar për vete. Që unë të përfitoj lehtësira duhet të ndahem nga trungu familjar i çunit. Ai duhet të vijë të bëjë dokumentat këtu, gjë që e ka të pamundur. Unë vazhdoj të paguaj edhe pse të gjithë e dinë që janë vetëm dhe nuk kam ndihmë. Kam një shtëpi të madhe dhe lekët që paguaj janë shumë për pensionin tim”.
Njëkohësisht ajo vuan nga vetmia, një problem tjetër që nuk ka zgjidhje pasi mungojnë shërbime të shoqërizimit.
Pikërisht shoqërizimi e ngushëllon më së shumti Feritin (emër imagjinar), 71 vjeç i cili prej 2 vitesh frekuenton qendrën sociale “Balashe”.
“Jam i kënaqur pasi kam gjetur shoqëri, ka ushqim të mirë dhe stafi kujdeset për ne. Unë kam nevojë për shërbime bazë në shtëpi që nuk ka kush të m’i bëjë. Nuk kam fëmijë, nuk kam askënd! Nuk paguaj dot njeri të më pastrojë, me pensionin tim. Kjo është gjëja që kërkoj, një ndihmë për higjienën time dhe të shtëpisë. Me shërbimet e tjera jam i kënaqur”, thotë 71 vjeçari.
Për kategorinë e të moshuarve bashkia Elbasan ofron shërbime ditore dhe rezidenciale me një kapacitet të kufizuar, përmes qendrës ‘Balashe’ që frekuenton Feriti. Kjo qendër ka një kapacitet diku te 100 persona të moshuar në nevojë, 30 të rinj dhe 10 fëmijë me aftësi të kufizuar, sipas infomacionit të publikuar në faqen zyrtare të bashkisë.
Mungojnë kapacitetet për shoqërizimin e të moshuarve
Agim V e gjejmë çdo ditë në lulishten “Qemal Stafa” ku e kalon kohën duke luajtur domino. Ai thotë se nuk ka vende për të dhe shokë të tij në qendra shërbimi. Ai është 73 vjeç ka një shëndet të mirë përgjithësisht, por problemet ekonomike janë ato që e shqetësojnë më së tepërmi.
“Duhet të ulemi në kafe, të marrim diçka që të rrimë si njerëz. Por kjo është e përditshme, çmimet janë rritur dhe nuk e përballojmë dot të rrimë në kafene, ndaj vijmë këtu, dielli e vendi pa lekë”.
I pyetur nëse do të preferonte një kafene sociale, ai shprehet se do të ishte një zgjidhje e mirë.
“Këtu flitet gjithmonë sidomos në fushata, por asnjëherë nuk bëhet. Nuk ka vende për ne për të kaluar kohën e lirë. Ne nuk jemi shtet social” thotë ai ndërsa ka dëgjuar shpesh të premtohet për ofrim të shërbimeve të moshuarve, që në realitet nuk e ka prekur.
Kërkesa zyrtare drejtuar Bashkisë Elbasan në lidhje me ofrimin e shërbimeve dhe lehtësimin e situatës për të moshuarit, sidomos ata që jetojnë të vetmuar, mbeti pa përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.
Referuar Planit Social në këtë Bashki përfitojnë shërbime shoqërore 1128 persona. Prej këti totali, 532 e përfituesve janë fëmijë, 249 janë fëmijë me Aftësi të Kufizuar, 44 janë të rinj në nevojë, 61 janë të rritur me aftësi të kufizuar, 144 janë gra dhe vajza dhe 98 janë të moshuar.
Alarmi për plakjen e popullsisë
Popullsia e Shqipërisë përveçse vazhdon të pakësohet për shkak të largimit të banorëve jashtë vendit, po shkon edhe drejt plakjes së pashmangshme.
Në Shqipëri llogaritet të jenë rreth 400 000 të moshuar – 14 për qind e popullsisë totale. Rreth 60 për qind e tyre jetojnë në zona të izoluara. Të jetuarit vetëm ose në varfëri dhe barriera të ndryshme, si kushtet e veçanta shëndetësore ose infrastruktura e dobët e shërbimeve, pengojnë pjesëmarrjen e plotë dhe efektive të të moshuarve në shoqëri, siç konfirmohet edhe në Planin Kombëtar të Veprimit për Moshimin të vitit 2020-2024 *
INSTAT ka përllogaritur se në tetë qarqe të vendit Berat, Elbasan, Fier, Gjirokastër, Korçë, Lezhë, Shkodër, Vlorë në fillim të 2023 numri i të rinjve është më i vogël se numri i të moshuarve. Në Elbasan 26.5 % e popullsisë është e moshuar përballë 24.6 % që janë të rinj.
Edhe pse mungojnë statistikat e përditësuara së fundi për numrin e të moshuarve, Elbasani hyn tek qarqet me plakje të ndjeshme të popullsisë. Aktualisht të moshuarit përfitojnë me vendim të Këshillit bashkiak heqjen e taksës mbi ndërtesën, kur ata dokumentojnë që janë të vetëm, reduktim të tarifës së druve të zjarrit dhe shërbime sociale ditore kur nuk kanë mbështetjen e familjarëve. Njëkohësisht të moshuarit e vetmuar që duan të kalojnë në rezidencën afatgjatë do të duhet të plotësojnë një sërë dokumentash për të përfituar azilimin, një nga sfidat që i pengojnë ata t’i hyjnë burkracive për ta përfituar.