Ornela Shyti
“Objektiv madhor i qeverisë shqiptare mbetet që kapitalin njerëzor që ka Shqipëria ta orientojë në zhvillimin e vendit, ku një pjesë të madhe të rëndësisë e zënë pa diskutim të rinjtë shqiptarë”- do të shprehej në qershor të vitit 2021, ministrja Evis Kushi, gjatë një konference me temë rininë në Shqipëri.
Sipas saj, politikat e orjentuara për rininë siç është plani i veprimit apo Ligji për Rininë kishin qëllim iniciativa konkrete për t’i mbajtur të rinjtë në Shqipëri.
“Plani i Veprimit për Rininë 2015-2020, Ligji ‘për Rininë’ i miratuar në 2019, Programi Kombëtar i Praktikave të Punës, punësimi i studentëve ekselentë në administratën publike apo edhe nisma më e fundit ‘Gati për Shqipërinë’, janë disa prej iniciativave konkrete të ndërmarra kohët e fundit”, do të nënvijëzonte Kushi në atë kohë.
Po sa efektiva kanë rezultuar këto politika në realitetin e sotëm dhe çfarë thonë shifrat e INSTAT?
Sipas një studimi të publikuar nga INSTAT në muajin prill 2022 raportohet se popullsia e Shqipërisë më 1 janar 2022 rezulton 2.793.592 banorë, duke pësuar një rënie me 1,3 %, krahasuar me 1 janarin e vitit 2021. Ky është viti i pestë radhazi me tkurrje të numrit të banorëve” thuhet në studim. INSTAT raporton se kemi një rënie të ndjeshme të numrit të banorëve në 12% në grupmoshën 20-24 vjeç dhe një rritje të shtetasve të moshës mbi 40 vjeç.
Perspektiva e të rinjve në të ardhmen në Elbasan
Organizata INAC realizoi një studim në 15 shkolla nëntëvjeçare të qytetit të Elbasanit me grupmoshën 14-15 vjeç. Në studim u intervistuan mbi 300 të rinj në zonën urbane të qytetit të Elbasanit dhe perspektiva e të rinjve për të qëndruar në Shqipëri duket e zymtë. Janë 71% e të intervistuarve në këtë moshë që synojnë ta ndërtojnë të ardhment e tyre jasht vendit.
“Për një pjesë të konsiderueshme të të rinjve, largimi nga vendi konsiderohet si synim për të ardhmen. Jetesa dhe shkollimi në Shqipëri konsiderohet problematike dhe nuk ka cilësinë e vendeve perëndimore. Shkolla më të mira dhe paga më të larta janë arsyet kryesore pse të rinjtë duan të ndërtojnë të ardhmen në këto vende.”
“Shkollimi jashtë është mundësia më e mirë për mua” thotë A.J, 15 vjeç.
I riu thotë se e ka menduar këtë gjë edhe në diskutim me prindërit pasi mundësitë për të filluar punë në profesion më pas në Shqipëri janë të pakta.
“Këtu nuk të garantohet puna më pas dhe një pagë e mirë por duhet të presësh me vite, të kesh mik, të angazhohesh në politikë për të fituar. Do të bëj dhe një shkollë të mesme të përgjithshme dhe do iki ose në Angli nëse prindërit do më mbështesin, ose në Gjermani. Kam filluar të mësoj gjermanisht” – tregon ai ndër të tjera.
Pas 4-5 viteve shumica e të rinjve e shohin veten në vende si Italia, Gjermania dhe Anglia, që janë zgjedhjet kryesore për të vijuar arsimin e lartë ose punuar. Një pjesë e të rinjve që synojnë të jetojnë në Shqipëri, planifikojnë të vazhdojnë zhvillimin e bizneseve familjare ose do të fillojnë të punojnë, qoftë edhe paralelisht me studimet universitare për të siguruar të ardhura dhe pavarësi, thuhet në studim.
Anila është prind i një adoleshenti në moshën 16 vjeç. “Djali im po vazhdon kursin e anglishtes prej disa vitesh dhe është duke parë për universitete të huaja ku mund të ofrohen bursa. Nuk dua të qëndrojë këtu, megjithëse e kam të vështirë ta largoj nga vetja. Unë nuk arrita të kem mundësitë që kam merituar, të paktën fëmija im mos e vuajë këtë gjë” -thotë ajo.
Rudina Dauti, drejtuese e shkollës së mesme profesionale në Elbasan të kontaktuar nga Faktoje thonë se grupmosha 16-17 vjeç shënon dhe largimet më të shumta nga Elbasani, ndërsa thekson se rastet janë shtuar duke qenë se për gati dy vjet pandemia i pengoi mundësitë. “Tendenca duket me drejtimin jashtë duke qenë nga kurset që ndjekin dhe prioritetet që kanë vendosur”, – shprehet Dauti.
Psikologia dhe pedagogia e Edukimit Elona Mustafaraj thotë se zgjedhjet e tyre janë të diktuara nga familja, rrjetet sociale pasi vetë për shkak të moshës nuk janë përballur ende me jetën reale. “Në ndërtimin e jetës jashtw Shqipërisë ndikojnë një sërë faktorësh duke filluar nga familja, shoqëria apo rrjetet sociale që sot promovojnë modele të një jete të rehatshme, dhe pse jo luksi. Të rinjtë kërkojnë mundësi që në Shqipëri nuk i kanë, ose që u thuhet nga të tjerët që nuk mund t’i kenë. Globalizimi i lejon të njihen me botën që pavarësisht se ndonjeherë nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin midis të mundurës dhe të pamungurës, të mirës apo devijantes. Për hir të kësaj “jetës së dukjes” shumë të rinj kanë edhe sjellje të rrezikshme apo kriminale”.
Mustafaraj e sheh të vështirë ndryshimin e situatës. “Është e vështirë, por duhet punuar në nivelin mikro dhe makro. Pra duhet punuar me fuqizimin e familjes, promovimin e njerëzve të suksesshëm duke studiuar si dhe duhen gjetur mekanizma afatgjatë për të pasuruar tregun e punës, politikën e pagave, etj”, përfundon ajo.
*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.