.

.

BallinaPertejEksperimenti i parealizuar

Eksperimenti i parealizuar

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” është një institucion i pavarur, me mision risitë në skenën teatrore shqiptare. Megjithatë, fondet e kufizuara kanë penguar realizimin e plotë të këtij qëllimi, duke krijuar ngërç mes mbështetjes administrative dhe asaj artistike. Ky realitet ka ndikuar në cilësinë dhe gamën e projekteve teatrale.

Nga Anila Balla

Teatri Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli” (TKEKS) ka kaluar një periudhë transformimi që nga krijimi i tij si një hapësirë anësore e Teatrit Kombëtar, deri në shndërrimin e tij në një institucion të pavarur më 2010. Në vitin 2014, institucioni mori emrin e artistit Kujtim Spahivogli, në nderim të kontributit të tij në avangardën teatrore dhe si shlyerje për dënimin e padrejtë të kësaj avangarde. Emrit iu shtua dhe termi “eksperimental”. Termi “eksperimental” në emërtimin e tij erdhi si premtim për të sjellë risi në skenën teatrore shqiptare, por realiteti financiar po e kufizon këtë aspiratë.

Termi “eksperimental” ngjalli debate  nga grupet e interesit sapo emërtimi u bë publik. Argumenti kryesor ishte se eksperimentet i bëjnë natyrshëm individët gjatë punës krijuese, jo sepse ministria u ka ofruar një teatër për të bërë eksperimente . Megjithatë, teatri eksperimental ka një mision të qartë për të sjellë risi në skenën teatrore shqiptare, realiteti financiar i këtij teatri ka dëshmuar se ambiciet krijuese janë të kufizuara nga një ndarje e papërshtatshme e buxhetit. Ky artikull analizon ndarjen e fondeve dhe përdorimin e tyre në dy vitet e fundit për TKEKS, duke u fokusuar në ngërçin që ekziston mes mbështetjes administrative dhe asaj artistike, dhe si kjo ndarje ka ndikuar në cilësinë dhe gamën e projekteve teatrore.

TKEKS mbështetet kryesisht nga Ministria e Kulturës për financimin e aktiviteteve të tij. Për vitin 2023, buxheti i këtij institucioni ishte 33,824,000 lekë, i shpërndarë në disa kategori. Pjesa më e madhe e këtij buxheti, 54.4% (18,400,000 lekë), shkoi për pagat e stafit, ndërsa 9.2% (3,100,000 lekë) për sigurimet shoqërore. Shpenzimet operative që përfshijnë mirëmbajtjen dhe administratën arritën në 12.7% (4,300,000 lekë), duke i dhënë përparësi funksionimit të brendshëm të teatrit mbi investimet në projekte artistike. Në këtë kontekst, vetëm 23.6% e buxhetit (8,000,000 lekë) u alokua për prodhimin artistik, ndërsa një fond simbolik prej 0.07% (24,000 lekë) u rezervua për emergjenca dhe situata të paparashikuara.

Kjo shpërndarje e buxhetit, ku administrata merr një pjesë të madhe të fondeve, ngre pyetje për qëndrueshmërinë e një institucioni që ka për mision zhvillimin e artit eksperimental. Megjithatë, përpjekjet për të realizuar projekte artistike janë të kufizuara nga këto ndarje të pabarabarta të burimeve financiare.

Në vitin 2023, TKEKS realizoi dymbëdhjetë projekte, përfshirë shfaqje për të rritur dhe fëmijë, një produksion të vallëzimit bashkëkohor dhe një punëtori për dramaturgjinë shqiptare. Pavarësisht përpjekjeve, buxhetet për shfaqje kanë qenë të kufizuara dhe shpërndarja financiare ka qenë jo e barabartë. Shfaqjet me buxhetet më të mëdha, si “Nëna” (2,622,000 lekë), “E kuqja” (2,492,000 lekë), dhe “Gadjo” (2,016,000 lekë), kanë marrë një mbështetje më të madhe, ndërkohë që projekte më të vogla, si “Teatri i Fantazisë” (286,000 lekë), “Gjirafat s’vallëzojnë dot” (240,000 lekë), dhe “Gruaja e thyer” (157,600 lekë), kanë pasur mundësi shumë të kufizuara financimi.

Për më tepër, projekti i dramës shqipe, i cili ka pasur një mbështetje prej 300,000 lekësh, është një shembull tjetër ku buxheti i alokuar ka qenë shumë i ulët për të nxitur zhvillimin e dramaturgjinë dhe krijimin e një platforme për dramaturgët e rinj. Ky projekt, edhe pse ka qenë i promovuar si një nismë e rëndësishme për zhvillimin e kulturës kombëtare, nuk ka arritur të krijojë përparim të dukshëm.

Për vitin 2024, buxheti i TKEKS është rritur me 16.21%, duke arritur në 39,305,330 lekë. Ky është një zhvillim i dukshëm, por analizohet se ky buxhet mbetet i papërshtatshëm për të mbështetur plotësisht prodhimin artistik. Pjesa më e madhe e buxhetit (61.5%) vazhdon të alokohet për pagesat e stafit dhe sigurimet shoqërore (11.2%), ndërkohë që fondi për projekte artistike është ulur në 7,000,000 lekë, duke krijuar një hendek të thellë ndërmjet nevojave të artistëve dhe prioriteteve administrative. Kjo situatë tregon se rritja e buxhetit ka ndikuar kryesisht në rritjen e shpenzimeve administrative, duke lënë pak hapësirë për investime reale në krijimtari artistike.

Fondi për regjisorët e rinj është rritur në 1,700,000 lekë, që është një përpjekje për të mbështetur talente të reja, por kjo shumë është gjithashtu e kufizuar dhe nuk garanton një zhvillim të qëndrueshëm të krijimtarisë. Kjo situatë do të kishte nevojë për një rishikim të thellë të strategjisë financiare të teatrit, duke i dhënë përparësi projekteve artistike dhe mbështetjes së këtyre të fundit, për të mundësuar zhvillimin e një skene të vërtetë të eksperimentimit dhe inovacionit.

Përveç vështirësive financiare, TKEKS ka përjetuar gjithashtu një rënie të ndjeshme të pjesëmarrjes së publikut. Sipas të dhënave të fundit të INSTAT-t, numri i shfaqjeve ka rënë nga 319 në 289, dhe po ashtu është ulur ndjeshëm numri i spektatorëve, duke kaluar nga 26,763 në 20,220. Kjo rënie e konsiderueshme mund të lidhet ngushtë me cilësinë e shfaqjeve dhe me buxhetet e kufizuara, të cilat nuk mund të mbështesin realizimin e projekteve më të mira dhe më tërheqëse për publikun.

Për të nxitur rikthimin e interesit të publikut, TKEKS ka nevojë për një analizë të thellë të shkaqeve që kanë sjellë këtë rënie, si dhe për një rishikim të menaxhimit financiar dhe artistik të teatrit. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohet një qasje më transparente dhe një strategji më efikase që do të mundësojë rritjen e përfshirjes së publikut dhe të garantojë një zhvillim të qëndrueshëm të skenës kulturore.

Në përpjekjen për të zbuluar më shumë rreth politikave financiare dhe shpërndarjes së fondeve, ne i drejtuam një ftesë për një intervistë drejtorit të TKEKS për të diskutuar lidhjen mes strategjisë artistike dhe shpërndarjes buxhetore. Pyetjet tona ishin të fokusuar në politikat efektive që mund të ndihmojnë përmirësimin e kushteve për artin dhe jetën e artistëve. Megjithatë, deri tani, nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga drejtori i teatrit, një mungesë përgjigjeje që thekson nevojën për transparencë më të madhe dhe komunikim të hapur me publikun dhe artistët.

Sipas praktikës ndërkombëtare në vendet e BE-së, financimi i kulturës mbetet një prioritet, dhe institucione të ngjashme me TKEKS mbështeten me buxhete më të mëdha që mundësojnë fleksibilitet dhe mundësi për krijimtarinë e re. Fondacioni Kulturor Evropian  thekson se financimi i mjaftueshëm është thelbësor për të nxitur eksperimentimin dhe krijimtarinë, një aspekt kyç për të mbajtur gjallë artin eksperimental. Në Shqipëri, financimi për kulturën ka mbetur i kufizuar dhe nuk ka marrë vëmendjen që meriton për të arritur ndryshime të qëndrueshme dhe të thella në zhvillimin e artit.

Enton Kaca, një nga regjisorët më të njohur të teatrit eksperimental, shprehet se ka punuar kryesisht me buxhete modeste, disa herë me fonde personale. Buxhetet e kufizuara janë një problemem permanent, por Kaca mendon se kjo pengesë do ndihmonte, do sillte më kreativitet dhe do ngacmonte artistët për t’i dimensionuar shfaqjet teatrore në nivele të tjera por nuk ka ndodhur kështu. Teatri ekperimental i krijuar për t’i dhënë frymë hapësirës artistike të pavarur, nuk ka mundur të krijojë larmishmërinë e nevojshme për të krijuar një publik të qëndrueshëm. Kaca thekeson se mungesa e kompanive private, skenës së pavarur, mungesa e sallave, ka sjellë atrofizim në individualitetin krijues teatror dhe këto fonde të limituara i kanë dhënë garës kushte dhe disfavorizim të skajshëm. 

Teatri Kombëtar Eksperimental ka për qëllim të jetë një laborator i eksperimentimit dhe i risive artistike, por ndarja e buxhetit mes administratës dhe aktiviteteve artistike është një pengesë e madhe për arritjen e këtij qëllimi. Për të mundësuar një zhvillim të qëndrueshëm të artit dhe për të mbështetur vërtet krijimin e shfaqjeve të reja, TKEKS ka nevojë për një rishikim të thellë të strategjive financiare dhe për alokimin e fondeve në mënyrë që të sigurojë mbështetje të mjaftueshme për projekte artistike. Pa një ndryshim të tillë, mundësitë për inovacion dhe eksperimentim do të mbeten të kufizuara dhe TKEKS mund të humbasë mundësinë për të arritur potencialin e tij të plotë në skenën kulturore shqiptare.

Ky artikull u mundësua me mbështetjen nga skema e granteve “BAT Civil Society”, e zbatuar nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në partneritet me Faktoje dhe Center for Research and Policy Making (CRPM), mbështetur financiarisht nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img