• EFCSN dënon fuqishëm deklaratat e CEO të Meta që lidhin kontrollin e fakteve me censurën
  • Platformat që tërhiqen nga lufta kundër keqinformimit dhe dezinformimit lejojnë ndërhyrjen në zgjedhje
  • EFCSN inkurajon Bashkimin Evropian që të qëndrojë i fortë përballë një presioni të tillë politik dhe të mos druhet në përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në platformat e mëdha online (VLOP)

7 janar 2025 – Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) është i zhgënjyer nga vendimi i Meta për t’i dhënë fund Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta “duke nisur në Shtetet e Bashkuara” dhe dënon fuqishëm deklaratat e CEO së saj që lidhin verifikimin e fakteve me censurën. “Kjo duket më shumë si një lëvizje e motivuar politikisht e bërë në kontekstin e administratës së ardhshme të Donald Trump në Shtetet e Bashkuara sesa një vendim i bazuar në prova”, thotë Clara Jiménez Cruz, kryetare e EFCSN. EFCSN inkurajon Bashkimin Evropian që të qëndrojë i fortë përballë një presioni të tillë politik dhe të mos druhet në përpjekjet e tij për të ndaluar përhapjen e keqinformimit dhe dezinformimit në platformat e mëdha online.

Verifikimi i fakteve nuk është censurë, përkundrazi, verifikimi i fakteve kontribuon në debate publike, ai siguron kontekst dhe fakte që çdo qytetar të vendosë vetë. Verifikimi i fakteve është provuar shumë herë të jetë efektiv në kundërshtimin e dezinformatave. Barazimi i verifikimit të fakteve me censurën është një pretendim i rremë dhe keqdashës. Verifikuesit e fakteve nuk ‘censurojnë’ askënd. Anëtarët tanë hetojnë dhe botojnë provat e pretendimeve potencialisht të rreme. Gjithmonë ka qenë vendimi i Meta se çfarë të bëjë me përmbajtjet që etiketohen nga verifikuesit e fakteve, jo i yni.

EFCSN kundërshton karakterizimin e verifiikuesve të fakteve dhe gazetarëve nga CEO i Meta, Mark Zuckerberg, në njoftimin e tij. Në justifikimin për mbylljen e programit, Zuckerberg thotë: “Verifikuesit e fakteve thjesht kanë qenë shumë të njëanshëm politikisht dhe kanë shkatërruar më shumë besim sesa kanë krijuar”. Kjo është qartësisht e rreme. Verifikuesit e fakteve u mbahen standardeve më të larta gazetareske të raportimit të paanshëm, transparencës, integritetit dhe llogaridhënies, me organizata si EFCSN që i mbështesin këto standarde nëpërmjet një auditimi të kryer në mënyrë të pavarur. Lidhja e verifikimit të fakteve me censurën është veçanërisht e dëmshme pasi pretendime të tilla të rreme janë tashmë një nga forcat shtytëse pas ngacmimeve dhe sulmeve ndaj verifikuesve të fakteve. Përforcimi i këtyre pretendimeve mund vetëm të përkeqësojë një çështje tashmë serioze që prek verifikuesit e fakteve në mbarë botën.

Me disa vende evropiane që shkojnë drejt zgjedhjeve në vitin 2025, platformat që tërhiqen nga lufta kundër keqinformimit dhe dezinformimit lejojnë, madje potencialisht dhe ftojnë, ndërhyrje në zgjedhje, veçanërisht nga aktorë të huaj. BE në veçanti duhet të qëndrojë e fortë në zbatimin e ligjeve të veta, edhe përballë presionit nga vendet e tjera.

ÇFARË THONË FAKTET (DHE META) PËR NDIKIMIN E PROGRAMIT TË VERIFIKIMIT TË FAKTEVE NGA PALËT E TRETA

Në njoftim, Meta e ka barazuar edhe sistemin e etiketimit të dezinformatave të verifikuara me censurën, duke thënë se “Një program që synonte të informonte shumë shpesh u bë një mjet për të censuruar”. Kjo është në fakt e kundërta e funksionimit të një sistemi etiketimi. Etiketat mbi dezinformatat fuqizojnë përdoruesit që të marrin vendime të informuara vetë se me cilat përmbajtje të ndërveprojnë dhe të shpërndajnë. Në fakt, vetëm vitin e kaluar, në prag të zgjedhjeve parlamentare të BE në 2024, Meta theksoi efektivitetin e sistemit të saj të etiketimit, duke deklaruar: “Mes Korrikut dhe Dhjetorit 2023, për shembull, mbi 68 milionë përmbajtje të shikuara në BE në Facebook dhe Instagram kishin etiketa verifikimi faktesh. Kur një etiketë e verifikimit të fakteve vendoset në një postim, 95% e njerëzve nuk klikojnë për ta parë atë.”

Meta gjithashtu e ka përgëzuar më parë Programin e Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta si të suksesshëm dhe të dobishëm për përdoruesit, duke deklaruar, “Ne e dimë se ky program funksionon dhe njerëzit gjejnë vlerë në etiketat paralajmëruese që ne aplikojmë për përmbajtjen pasi një partner fakt-verifikues e ka vlerësuar atë.” Në deklaratën e fundit për shtyp, CEO i Meta aludon për “shumë gabime dhe shumë censurë”; por raporti më i fundit i transparencës për DSA i vetë Meta tregon se përmbajtjet e verifkuara gabimisht prekën vetëm 3,15% të totalit të ankesave për uljen e shkueshmërisë në Facebook.

Modeli i Shënimeve të Komunitetit i propozuar si një alternativë ndaj Programit të Verifikimit të Fakteve nga Palët e Treta ka gjithashtu dobësi. Shënimet e Komunitetit mund të përdoren më së miri për të kundërshtuar pretendimet e rreme kur ato bazohen në ekspertizën e duhur dhe punën e verifikimit të fakteve. Në kontekstin e zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA, Poynter zbuloi se Shënimet e Komunitetit të X kishin, në rastin më të mirë, një efekt jashtëzakonisht margjinal në luftimin e dezinformimit zgjedhor. Në një hetim tjetër, organizata anëtare e EFCSN, Science Feedback, zbuloi se shumica e përmbajtjes në X (ish Tëitter) që verifikuesit e fakteve zbuluan se ishin të rreme ose mashtruese nuk kishte shenja të dukshme se ishte moderuar.

Rrjeti Evropian i Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN) është një shoqatë e organizatave që verifikojnë faktet që i përkushtohen standardeve të pavarësisë, transparencës dhe gazetarisë cilësore të përshkruara në Kodin Evropian të Standardeve për Organizatat e Pavarura të Verifikimit të Fakteve. Me mbi 50 anëtarë të verifikuar në të gjithë Evropën, EFCSN është zëri i verifikuesve evropianë të fakteve.

Lexoni deklaratën e EFCSN në anglisht këtu.