Një premtim që të josh shumë e që në fakt është më pranë ëndrrës se sa realitetit është për t’u verifikuar. Një deklaratë, që nëse mbahet ndryshon jetën e qindra qytetarëve është për tu verifikuar. Një formë gazetarie që synon informim, por edhe nxitjen e llogaridhënies. Ndaj Faktoje, si organizata e vetme e verifikimit të fakteve në Shqipëri ka në themel të punës së saj verifikimin e deklaratave dhe premtimeve të zyrtarëve të lartë, ka nisur bashkepunimin me 4 media në Shqipëri dhe Kosovë me qëllimin forcimin e kapaciteteve. Gazetarë të mediave të ndryshme në Shqipëri dhe në Kosovë tani kanë një të përbashkët që quhet “Edhe unë Faktoj”. Besimi i qytetarëve në media ka rënë dhe kjo lidhet edhe me rënien e besimit që ne kemi ndaj institucioneve.
Edhe unë Faktoj! Pse ka rëndësi për ju?
Rabije Hyseni, përfaqësuese e Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shton se në kohën e globalizimit ka rëndësi të madhe rrjetëzimi, si në rastin tonë ku gazetarët dhe mediat nga Kosova e Shqipëria, i janë bashkuar një lufte hibride në luftimin e keqinformimit, lajmeve të rreme dhe dezinformatave. Në ndërkohë që, teksa përballemi me një pandemi, një prag-lufte dhe shumë problematika globale, Kosova dhe Shqipëria nuk përbëjnë përjashtim nga përfshierja si sociale, ashtu edhe në rrafshin medial.
“EDHE UNË FAKTOJ”, ka rëndësi të vecantë, sepse përmes këtij programi po përgatiten gazetarët t’i identifikojnë lajmet e rreme, dezinformatat dhe keqinformatat, kjo duke qenë se barra bie mbi ta që t’i luftojnë ato. Gazetarët e përgatitur do mund t’i përdorin praktikat më të mira për t’i identifikuar dhe luftuar lajmet e rreme. Programi “UNË FAKTOJ”, pa dyshim që është në shërbim të komunitetit gazetar, si dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të të dyja shteteve”, përfundon Rabije Hyseni.
Trajnimi i stafit të Asociacionit e Gazetarëve të Kosovës
Fatbardha Nergjoni, gazetare dhe drejtuese e ElbasanioOn tha se ky projekt është mjaft i rëndësishëm për të ndihmuar gazetarët e rinj të krijojnë aftësi në verifikimin e informacionit që publikojnë në median lokale.
Stafi I Faktoje gjatë trajnimeve të gazetarëve të rinj në Elbasan
“Jam shumë e kënaqur për angazhimin në këtë projekt pasi duke qenë se ne jemi një media të re dhe kemi të angazhuar gazetarë të rinj pa përvojë, duhet që ata të fuqizohen me modelet më të mira të gazetarisë siç është verifikimi i fakteve. Falë Faktoje ne kemi një eksperiencë shumë të mirë dhe modele të drejta të gazetarisë së fakteve për të luftuar dezinformimin dhe keqinformimin. Ky angazhim do të bëjë më cilësore median lokale dhe më të aftë gazetarët e rinj sidomos në median online”- shprehet Nergjoni.
Trajnimi me stafin e Amfora dhe gazetarë të rinj në Durrës
Geri Emiri, i cili përfaqëson Median Amfora, tha se trajnimi për njohjen më tej të teknikave të verifikimit të fakteve rrit kapacitetet dhe ndihmon gazetarët të mos bien në kurthin informacioneve gjysmë të vërteta, apo dhe “Fake neës”.
“Trajnimet e realizuara nga organizata Faktoje na kanë ndihmuar më tej në qasjen që duhet të kemi ndaj deklaratave, premtimeve dhe informacioneve publike, në raport me verifikimin dhe vërtetësinë e tyre”- përfundon Emiri.
Stafi i Gazeta Si gjatë trajnimit me metodologjinë e verifikimit të fakteve
Faktoje në bashkëpunim me GazetaSI, Amfora, Elbasanion dhe Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës media do të prodhojnë disa artikuj që mbështesin verifikimin e fakteve sipas metodologjisë së Faktojes.
Organizata Faktoje e mbështetur nga UNESCO në kuadër të projektit “Building Trust in Media in South East Europe and Turkey, Phase 2” ka nisur trajnimin e gazetarëve të mediave lokale dhe qendrore në Shqipëri dhë në Kosovë.
*Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.