Dy partitë kryesore në vend publikuan në zgrip të afateve listën e kandidatëve për deputetë. Një listë pa surpriza për PD, ku Sali Berisha siguroi besnikët në listat të sigurta, futi tre deputetë që dikur u pozicionuan me Bashën, si Gazment Bardhi, Saimir Korreshi dhe Agron Gjekmarkaj, risolli “paqen” me aleatët, por prodhoi edhe largime emrash të votuar paraprakisht nga primaret.

Me pak fjalë, PD ka synuar ruajtjen e ekuilibrave të brendshëm, por pa krijuar një ofertë të re për zgjedhësit.

Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama ka bërë pa droje “katarsis” brenda radhëve, duke treguar para së gjithash se ai e ka në kontroll partinë. Në listë të sigurt janë futur emra të rinjsh të panjohur pa kontribut për PS-në, ata që kanë aplikuar nga platforma “Deputeti që Duam” si dhe tek -tuk (por pa ndonjë emër të zëshëm) nga Diaspora. 

Në Tiranë, sfida më e fortë është mes figurave me kontribute të PS-së si Erion Braçe, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko përballë biznesmenëve si Xhemal Qefalia apo djali i Aqif Rakipit, Orlando Rakipi.

Në disa qarqe si Shkodra dhe Tirana, listat kanë marrë deri diku karakter nepotik, me familjarë të ish-deputetëve që garojnë në vend të tyre. Për herë të parë PS-ja ka ofruar edhe emra nga opozita, për t’i vënë përballë ish të vetëve. Rasti më i pastër është ai mes ish-Sekretarit të Përgjithshëm të LSI-së, Endrit Brahimllari përballë Ilir Metës në Tiranë.

Me pak fjalë, PS ka zgjedhur të rigjenerohet me figura të reja dhe kalkulime strategjike, por ka ‘zhbërë’ deri diku trashëgiminë politike të saj.

Foto nga Kuvendi, 13 mars 2025

Krasniqi

Studiuesi dhe drejtuesi i ISP-së, Afrim Krasniqi, thotë për Faktoje se, “ofertat e partive janë të pamjaftueshme, të paplota, bazuar në lidhje klienteliste apo besnikërie politike, nën nivelin e pjesës së moderuar e profesionale të shoqërisë, si dhe një mesazh dekurajues për sfidat që ka vendi”.

“Ofertat e partive janë të pamjaftueshme, të paplota, bazuar në lidhje klienteliste apo besnikërie politike”, Afrim Krasniqi

Synimi kryesor, sipas Krasniqit, është që “e majta të maksimalizojë votat pa përfaqësim cilësor dhe e djathta të sigurojë imunitet dhe ndarje të pushtetit gjithashtu pa përfaqësim cilësor”

Krasniqi vëren se “ky është tregues i mungesës së respektit për qytetarët dhe vendin, zhvillim negativ si dhe shans i humbur për Shqipërinë”

PD

Sali Berisha udhëheq listën me 186 kandidatë për zgjedhjet e 11 majit. Berisha do të jetë në Tiranë në listën e mbyllur dhe pas tij renditen Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi, Belind Këlliçi si dhe rikthehet Jozefina Topalli. Në listën e Tiranës është futur i sigurt edhe kreu i FRPD, Besart Xhaferri. 

Aleatët

Aleatët kanë 4 vende të sigurta po në Tiranë: PL me Tedi Blushin dhe Erisa Xhixho. PR me Fatmir Mediun dhe PDIU me Mesila Dodën. Vende të tjera të sigurta për aleatët janë: Vangjel Dule në Vlorë, Brunilda Haxhia e PL në Fier,  Edmond Haxhinasto i PL në Elbasan dhe  Artan Luku në Durrës i propozuar nga PAA. Ilir Meta dhe Shpetim Idrizi kanë vendosur të garojnë në listë të hapur në Tiranë.

Tregu politik

Rezultati i primareve në PD ka reflektuar në listë të sigurt: Bledion Nallbatin në Korçë, Manjola Luku dhe Igli Cara në Durrës, Greta Bardeli në Shkodër, Aurel Bylykbashi në Elbasan. Por bie gjithashtu në sy largimi i Dashnor Sulës më i votuari nga primaret në Elbasan edhe pse ai mbështetjen e ka të fokusuar në Peqin. Dashnor Sula është regjistruar në listën e Adriatik Lapajt e koalicionit “Nisma ‘Shqipëria bëhet” në moment të fundit. Këtij koalicioni iu bashkua orët e vona edhe kandidatja Alesia Balliu e pozicionuar nga PD në listën e hapur në Elbasan. Hysen Kadiu, më i votuari në Tiranë, por me fokus mbështetjen e tij në Kavajë, ka dhënë dorëheqjen nga strukturat partiake. Reagime që thellë- thellë tregojnë se beteja e primareve rezultoi më shumë për karrige sesa për fitoren e PD. Ka edhe ndonjë përjashtim. Si rasti i deputetes Jorida Tabaku e cila edhe pse e votuar në primaret e Tiranës, ajo ka pranuar t’i bindet vendimit për të garuar në listë të hapur. Ndërkohë 12 deputetë aktualë të PD-së refuzuan të garojnë.

PS

Lista e mbyllur e PS dominohet nga fytyra të reja konkretisht në qarqet: Durrës, Dibër, Berat, Fier, Lezhë, Korçë, Vlorë, Gjirokastër e Kukës. 5 nga opozita i janë bashkuar PS-së: Endrit Brahimllari ( PL) Alban Zeneli (PD), Zamira Sina (PD), Nusret Avdulla (PDIU), Blendi Sulaj (PR) dhe Aleanca e Maqedonasve për Integrim Europian. 13 ministra janë në garë për deputetë, 10 prej tyre në listë të sigurt tre të tjerë Ervin Hoxha, Blendi Gonxhe dhe Anila Denaj janë në listën e hapur.

Gara në Tiranë

Gara më e ashpër mes brezash karriere (në kohë të ndryshme) në PS mbetet në Tiranë.  Deputetët aktualë me eksperiencë që duhet të luftojnë për vota janë: Erion Braçe, Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Mimi Kodheli, Olta Xhaçka, Etilda Gjonaj, Ermonela Felaj, Blerina Gjylameti dhe Toni Gogu. Por, në garë në listën e hapur janë edhe Orlando Rakipi dhe Xhemal Qefalia. Një betejë e ashpër mes veti duke pasur parasysh se Rakipi dhe Qefalia morën vota rurale të konsiderueshme në Tiranë zgjedhjet e fundit. Tom Doshi gjithashtu do të garojë në Tiranë, duke kryesuar listën e PSD. 

Nëse i referohemi zgjedhjeve të fundit, lista e gjatë e emrave të PS-së në garë të drejtpërdrejtë duhet të prodhojë katër deputetë burra dhe dy deputete gra.

E sigurt është se nga lista e deputetëve me eksperiencë shumica prej tyre do të mbeten jashtë. Një sfidë e drejtpërdrejtë kjo veçanërisht për deputetin (qysh prej ‘96-ës në Kuvend) Erion Brace të cilit në moment të fundit iu besua njësia 5 në Tiranë duke e larguar nga qarku Fier pa dëshirë.

Deputetët aktualë të PD në listën e mbyllur:

Sali Berisha

Flamur Noka

Edi Paloka

Albana Vokshi

Tomorr Alizoti

Greta Bardeli

Ramadan Likaj

Agron Gjekmarkaj

Elda Hoti

Bujar Leskaj

Ina Zhupa

Xhelal Mziu

Tritan Shehu

Gazment Bardhi

Luan Baçi

Saimir Korreshi

Bledion Nallbati

Oerd Bylykbashi

Flamur Hoxha

Deputetët aktualë të PD në listën e hapur:

Jorida Tabaku

Dhurata Çupi

Andia Ulliri

Petrit Doda

Edmond Spaho

Andrea Mano

Ludovik Hasani

Kastriot Piroli

Lindita Metaliaj

Kreshnik Çollaku

Isuf Çela

Asllan Dogjani

Qani Xhafa

Emrat e ‘vjetër’ të PS në listë të mbyllur:

Edi Rama

Ogerta Manastirliu

Elisa Spiropali

Lindita Nikolla

Taulant Balla

Niko Peleshi

Ulsi Manja

Belinda Balluku

Mirela Kumbaro

Eduard Shalsi

Në listë të hapur (duhet të luftojnë për vota):

Erion Braçe

Fatmir Xhafaj

Pandeli Majko

Mimi Kodheli

Olta Xhaçka

Etilda Gjonaj

Ermonela Felaj

Blerina Gjylameti

Toni Gogu