Draft-raporti i PE për Shqipërinë: “Korrupsioni shqetësim serioz”

PE publikoi draft-raportin për Shqipërinë, duke cilësuar korrupsionin në nivele të larta si “shqetësim serioz”.

31

Sebi Alla- Parlamenti Europian publikoi draft-raportin për Shqipërinë, duke cilësuar korrupsionin në nivele të larta si “shqetësim serioz”.

Në draftin e paraqitur, kjo çështje zë hapësirën kryesore, bashkë me raportin e OSBE/ODIHR për çështjen e zgjedhjeve, për të cilin PE nënvizon se duhet të merret në konsideratë.

Draft-raporti

Në nëntë faqe të përmbledhura, PE mori në shqyrtim situatën në Shqipëri ku vlerëson procesin e integrimit me hapjen e grup-kapitujve, por duke u ndalur në çështje specifike raporti i jep rëndësi fenomenit të korrupsionit. “…korrupsioni mbetet një shqetësim serioz dhe se, pavarësisht progresit në kuadrin ligjor dhe institucional, Shqipëria duhet të konsolidojë më tej rezultatet konkrete në hetime, ndjekje penale dhe vendime përfundimtare, veçanërisht në rastet e korrupsionit në nivele të larta”, thuhet në draft-raport.

Më tej theksohet se “korrupsioni duhet adresuar në të gjitha nivelet, në mënyrë që të forcohet besimi i qytetarëve në institucionet shtetërore dhe të krijohet një mjedis biznesi i parashikueshëm”. Gjithashtu në draft-raport theksohet se ka përparim në fushën e sistemit të drejtësisë, por gjithashtu theksohet se duhen adresuar me përparësi çështja e zgjidhjes së dosjeve stok, që zvarrisin për disa vite procese gjyqësore.

“Përshëndesim vijimin e zbatimit të procesit të reformës në drejtësi, përfshirë procesin e rivlerësimit (vetting) të gjyqtarëve dhe prokurorëve, i cili ka kontribuar në rritjen e llogaridhënies dhe integritetit brenda sistemit gjyqësor; megjithatë, vëren sfidat e vazhdueshme që lidhen me efikasitetin e gjyqësorit, stokun e lartë të çështjeve të prapambetura, qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore dhe përpjekjet për të ushtruar ndikim të papërshtatshëm”, thuhet në raport.

Rekomandimet e OSBE/ODIHR

Në draft raportin e Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian për Shqipërinë në lidhje me çështjet zgjedhore thuhet se nuk janë trajtuar rekomandimet e OSBE. Më tej theksohen shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative në fushatë zgjedhore dhe pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve.

“Komisioni e vlerëson kuadrin zgjedhor të Shqipërisë si përgjithësisht të përshtatshëm për zhvillimin e zgjedhjeve konkurruese, duke ritheksuar megjithatë shqetësimet lidhur me mungesën e barazisë së kushteve, keqpërdorimin e burimeve administrative, pretendimet për blerje votash dhe presionin ndaj votuesve; për këtë arsye u bën thirrje si shumicës ashtu edhe opozitës që të ndjekin në mënyrë konstruktive dhe përfshirëse një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse, në bashkëpunim të ngushtë me shoqërinë civile, dhe të zbatojnë plotësisht rekomandimet e mbetura të OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias, shumë përpara cikleve të ardhshme zgjedhore”, thuhet në draft-raport.

Një pjesë të gjetjeve të këtij raporti i prezantoi ditën e djeshme edhe Kryetari i Komisionit për Punët e Jashtme në Parlamentin Europian (AFET), David McAllister. Ai u ndal specifikisht për çështjet e korrupsionit, duke theksuar se: “çështja që përfshin zv/kryeministren Balluku është test kritik për Shqipërinë në luftën e saj kundër korrupsionit”