Dosja e AKSHI, 4 kompani në 9 muaj siguruan tendera në vlerën 57 milionë euro

Në një takim të datës 16 mars 2024 mes Karçanajt, Beqirajt dhe Agasit ky i fundit thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.

66
Foto e shkeputur nga LSA

Sebi Alla – Në 206 faqe “esencë hetimi”, Prokuroria e Posaçme, SPAK, përshkroi veprimtarinë e AKSHI-t Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, duke zbuluar një rrjet të mirëorganizuar kriminal në përvetësimin e qindra milionë eurove tendera publike, mes shantazhit, pengmarrjes dhe implikimit të zyrtarëve të lartë shtetëror dhe policor të vendit.

“Nga hetimet e kryera rezulton se shtetasit Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Mirlinda Karçanaj, Hava Delibashi, Erion Ismaili, Andis Papa, Gëzim Hoxha, si dhe persona të tjerë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin në formën e grupit të strukturuar kriminal, kanë organizuar dhe implementuar një skemë për paracaktimin e fituesve në proçedurat e prokurimit, të kryera në Agjencinë Kombëtare të Shoqërise së lnformacionit (AKSHl), me qëllim përfitimin e paligjshëm të fondeve publike që rrjedhin nga pagesat, lidhur me kontratat publike të prokuruara”, thuhet në dosjen e Prokurorisë Speciale SPAK, të cilën Faktoje.al e disponon.

Për Agasin dhe Beqirin janë lëshuar urdhër-arreste për akuzat: “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, në kuadër të një formacioni të posaçëm, “Grup i strukturuar kriminal” dhe kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, por nuk janë ekzekutuar pasi dyshohet se janë larguar jashtë vendit. Në arrest shtëpie janë drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanj dhe zëvendësja e saj Hava Delibashi, ndërsa ka masë ndalim për dalje jashtë vendit për biznesmenët Papa dhe Hoxha, ndërsa pezullim nga detyra dhe ndalim për dalje jashtë vendit për numrin dy të policisë së Tiranës Erjon Ismaili.

Vetëm fillimi…!

Brurime pranë grupit hetimor, thanë për Faktoje se dosja është ende nën hetim dhe aktualisht janë hapur tre fraksione të tjera, duke nisur nga emrat që dyshohet se janë përfshirë në një skemë të rëndë abuzimi me burim Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit. 

Janë dhjetëra orë filmime ku diskutohen afera me përfshirjen e personave të ndryshëm si nëpunës të lartë të shtetit, drejtues policie dhe biznesmenë të lidhur edhe me krimin e organizuar, duke kontrolluar të dhëna të ndjeshme të sigurisë në vend. Në një takim të datës 16 mars 2024 mes Karçanajt, Beqirajt dhe Agasit ky i fundit thotë: “Projekti bën 2 milion, ne do ta bëjmë 4”.

Bisedat pa limit etike, ku diskutohen shuma të mëdha se kush do i marrë dhe si do të ndahen, janë në një pjesë të madhe të filmuara (dyshohet nga vetë Agasi). “Nga këqyrja e pamjeve filmike, arsyeshëm krijohet bindja mbi lidhjet me interes që kanë këta shtetas me njëri-tjetrin, e cila, nga analizimi i përmbajtjes së bisedave të transkriptuara, krijon dyshimin e arsyeshëm mbi realizimin e një skeme kriminale në funksion të paracaktimit të procedurave të prokurimit, krijimit të avantazheve dhe përfitimit të paligjshëm prej tyre”, thotë prokuroria.

Skema

Fillimisht gjendej “preja”, një shumë e madhe prokurorimi nën logon e AKSHI-t. Më pas, përgatiteshin për të rrëmbyer çdo qindarkë në fondin limit, ndërsa “financuesja” Mirlinda Karçanaj, me paratë e buxhetit të shtetit, qe kthyer në dorë firmëtare për çdo tender në vlera të mëdha të shkonte për kompanitë e biznesmenëve kontroversë, Ermal Beqiraj dhe Ergys Agasi. Diskutimet bëheshin në zyrën e Agasit, ku pasi flitej për shuma të mëdha shoqëroheshin me fjalor fyes, tallës dhe jo etik. Çdo gjë e dokumentuar, ku vetë Agasi kishte vendosur pajisje përgjuese video-audio.

Paradoksalisht, numri një i Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, drejtoresha më jetëgjatë e qeverisjes Rama, e cila presupozohet se ruan çdo të dhënë digjitale shtetërore, edhe të sigurisë dhe rëndësisë së veçantë, përfundoi në zyrën e Agasit me zë dhe figurë në kamerat përgjuese.

Foto nga dosja

Një ndër të paktët që u bë pengesë, duke ankimuar procedurat tenderuese, biznesmeni Gerond Meçe drejtues i kompanisë ABS”, u mor peng dhe nën kërcënim, shantazh dhe dhunë, detyrohet që brenda pak orësh të tërhiqej nga 20 ankimimet. Pjesë e kërcënimit, sugjerimit dhe shantazhimit dyshohet sipas Prokurorisë Speciale se është edhe numri dy i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, edhe ai një bujtës i rregullt në zyrën e Agasit.

Pengmarrja

Kushdo operator ekonomik që ankohej për skualifikim të padrejtë nga tenderat e AKSHI-t i “hapej luftë” nga treshja Agasi, Beqiri dhe drejtoreshë Karçanaj. “Ndaj operatorevë ekonomik të skualifikuar, të cilët kanë kërkuar të drejtën e tyre nëpërmjet ankimimit zyrtar pranë Autoritetit Kontraktor, por edhe në Komisionin e Prokurimit Publik, është përdorur dhuna, heqja e paligjshme e lirisë për t’i detyruar me forcë që të tërhiqen nga ankimimet, por edhe nga çdo procedurë ku kanë marrë pjesë me qëllim që të sigurohej vazhdueshmëria e kësaj skeme”, thotë SPAK. Provat janë tashmë mjaft të forta me pamje filmike, dëshmi të të marrit peng dhe levizjeve të kryera që në fund shkuan në favor të kërcënuesve.

Denoncimi

Më 12 gusht 2025, Gerond Meçe, aksioner i vetëm në shoqërinë “ABS” (një kompanie të teknologjisë) u mor peng sapo doli nga banesa në drejtim të automjetit të tij. “Jemi SPAK, ejani me ne”, i thotë një i ri, i cili mbante një jelek me mbishkrimin “BKH” dhe më pas tre të tjerë me jelekë me mbishkrimin “policia” (dyshohet të falsifikuara) e fusin në automjet dhe largohen.

Meçe nuk bën asnjë rezistencë por kupton se personat nuk ishin të policisë apo BKH-së pasi devijuan lëvizjen, duke marrë drejtimin nga Elbasani. Në një banesë të braktisur në fshatin Gracen të Elbasanit, Meçe prangoset dhe nis shantazhi, kërcënimet me armë dhe ultimatum për të tërhequr menjëherë ankimet që kishte bërë ndaj 20 procedurave tenderuese të AKSHI-it dhe në KPP (Komisionin e Prokurimit Publik).

Brenda pak orësh, Meçe udhëzon administratorin e kompanisë të tërhiqte ankimimet, ndërsa pasi sigurohen se gjithçka ishte në rregull dhe se kompania e Meçes e lenë të lirë nën kërcënimin fundor: “Nuk duam probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundërt do të vrasim ty, grua, motër, nënë, se babë nuk ke ti..,”, citohet në dosjen e SPAK, sipas deklarimeve të Meçes.

Ku të ankohej?

Po ku mund të ankohej “i marri peng”? Biznesmeni Gerond Meçe kishte aplikuar në 20 prokurorime me kompaninë e tij, por në çdo rast ishte skualifikuar dhe tenderat e AKSHI-t ishin fituar në seri nga kompanitë e Ergys Agasit, Ermal Beqirajt dhe të tjerëve pranë tyre.

Meçe nuk kryen denoncim në polici, nisur edhe nga fakti sipas tij se vetë nëndrejtori i Policisë së Tiranës i kishte sugjeruar më parë: “Hiq dorë nga AKSHI”. Po ashtu edhe institucioni tjetër i ankimit administrative KPP rezulton sipas SPAK se ka shkelur procedurat në rastin e ankimimeve të Meçajt dhe gjithashtu ka qenë e gatshme që në një kohë të shpejtë të “pranojë” tërheqjen nga ankimimi, që korrespondon me ditën e pengmarrjes së tij.

“Nga kjo veprimtari rezulton bindshëm se dhe KPP ka nxituar të pranojë ankimimet e OE(shënim: operatorëve ekonomikë) “ABS” të cilat i kanë marrë forcërisht në rrethanat e përshkruara në këtë kërkesë çka do të thotë që kjo kjo ka qenë e koordinuar me veprimet e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në dosjen e SPAK.

57 milionë euro në pak muaj

Prokuroria ka krijuar bindje bazuar në prova (filmime, biseda audio të gërshetuera me dokumente), se kompanitë e Ermal Beqirit, Ergys Agasit dhe bisnesmenëve të tjerë Gezim Hoxha dhe Andis Papa, në një hark kohor prej 9 muajsh kanë siguruar tendera në vlerën 57 milionë euro nga AKSHI, për llogari të disa institucioneve.

Në njërën prej tenderave e cila ka përshkrimin: “Përmirësimi i sistemeve për ndihmën ekonomike” është në vlerën 226,460,451 lekë pa tvsh. Paradoksalisht, një familje me ndihmë ekonomike nuk merr më shumë se 8 mijë lekë në muaj, por për “përmirësim sistemi” janë dhënë mbi 226 milionë lekë të reja. Ndër tenderat e tjerë me “flamur të kuq” cilësohen edhe disa të zhvilluara për institucione të tjera shtetërore, përfshi edhe burgjet.

“Nga analiza e këtyre procedurave të prokurimit, në harmoni dhe me shpjegimet e punonjësve të shoqërisë “EA Solution”, krijohet bindja se këto procedura prokurimi, fitohen nga subjektet e kontrolluara nga shtetasi Ermal Beqiri, në bashkëpunim me shtetasin Andis Papa, fitimet e të cileve, i kalohen në mënyrë fiktive subjektit “EA Solution”, në pronësi të shtetasit Ergys Agasi”, thekson prokuroria.

Po ashtu SPAK në gërshëtim të provave arrin në përfundimin se tenderat manipuloheshin për t’u fituar nga kompania “Soft& Solution” e Beqirajt, kompania “Fastech” e Andis Papës dhe kompania First sh.p.k e Gëzim Hoxhës.