Hetimet e SPAK për dosjen “AKSHI” kanë marrë një tjetër zhvillim të rëndësishëm, pas përfshirjes në hetime edhe të drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Sipas SPAK, ndaj Hysenit është caktuar masa e sigurimit “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimi nga detyra. Në momentin e vendimit, ajo mësohet se ndodhej në Baku të Azerbajxhanit.
Kreu i SHISH akuzohet për “nxjerrje të sekretit shtetëror” dhe “përkrahje të autorit të krimit”. Sipas njoftimit të SPAK, akuzat lidhen me parashikimet e nenit 302 dhe 295 të Kodit Penal.
Sipas hetimeve, Hyseni dyshohet se ka pasur dijeni apo rol në veprime që lidhen me informacion të klasifikuar shtetëror.
Si fraksion i dosjes “AKSHI”, prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti, urdhëruan edhe ekzekutimin e dy masave të tjera sigurie, arrestimin e Fatjon Kalluçit, Shefi sektori në Policinë shkencore dhe Embro Sulejmanit, punonjës në shoqërinë “Agroturizëm Kodra e Kuajve” në Durrës.
Vlora Hyseni ka një karrierë të gjatë në fushën e inteligjencës dhe sigurisë. Ajo ka qenë pjesë e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, ku ka mbajtur postin e zëvendësdrejtoreshës.
Më 30 qershor 2021, Hyseni u shkarkua nga detyra në AKI me vendim të atëhershëm të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.
Dy vite më vonë, në prill 2023, ajo u emërua në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit në Shqipëri. Hyseni është lindur në vitin 1984 në Kosovë dhe ka shtetësi kosovare dhe shqiptare.
Para emërimit si drejtuese e SHISH, ajo shërbeu edhe si këshilltare për sigurinë kombëtare pranë Kryeministrit të Shqipërisë. Pas vendimit të SPAK, nga Nju Jorku ku ndodhet për vizitë, kryeministri Edi Rama vendosi ta shkarkojë Hysenin nga detyra.
Dosja e AKSHI-t përfshin hetime të thelluara të SPAK lidhur me abuzime me tendera, korrupsion, si dhe lidhje të zyrtarëve të lartë shtetërorë me botën e krimit dhe biznesmenë të ndryshëm.






