INVA HASANALIAJ
Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut me një pikë të përbashkët doganore, ka qenë ky një premtim i hershëm i dhënë nga zyrtarë të lartë të të dy shteteve fqinje. Qafë-Thana si një pikë e përbashkët do tu vinte në ndihmë të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas.
Sipas Kryeministrit Rama pika e përbashkët doganore do të ishte funksionale pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri, kohë në të cilën do të ndodhë edhe takimi i dytë mes dy qeverive.
Në vitin 2017 gjatë një takimi që u zhvillua në Shkup mes kryeparlamentarit maqedonas, Talat Xhaferri dhe atij shqiptar, Gramoz Ruçi, u vendos të adresohen të gjitha çështjet e lëna pezull mes dy vendeve përfshirë këtu, rishikimin e ujërave kufitare, lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe problemi i mjedisit.
“Ramë dakort që rikthimi i pikës kufitare doganore të Qafë-Thanës, të jetë pikë e përbashkët doganore dhe kufitare, me qëllim që t’ju vijë në ndihmë qytetarëve maqedonas dhe atyre shqiptarë”- u shpreh Ruçi gjatë fjalës së tij në konferencën e përbashkët rreth dy vite më parë.
Në 15 dhjetor 2017 u mbajt në Pogradec dhe mbledhja e parë mes dy qeverive, asaj shqiptare dhe maqedonase. Në konferencën për shtyp që dy kryeministrat e vendeve përkatëse mbajtën, u fol për shumë çështje që do të lidhnin dhe forconin marrëdhëniet midis dy vendeve fqinje. Çështjet infrastrukturore ishin temat kryesore të kreut të qeverisë shqiptare Edi Rama i cili përmendi në këtë kontekst edhe pikën e përbashkët doganore.
“Duke parë dhe trendin rritës të vëllimit tregtar dhe prurjeve turistike të viteve të fundit nga Maqedonia, do të punojmë intensivisht që deri në mbledhjen e dytë mes dy qeverive të kemi modelin e parë “one stop shop” mes dy vendeve, domethënë pikën e parë të përbashkët doganore dhe të kalimit në Qafë-Thanë”- u shpreh kryeministri Rama gjatë fjalës së tij.
Në 13 mars 2019, në një tjetër dalje për shtyp Kryeministri informoi se mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Shqipërisë do të mbahej gjatë kësaj vere, saktësisht pas zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni dhe pas zgjedhjeve lokale në Shqipëri,
Nisur nga këto deklarata “Faktoje” shkoi në terren për të verifikuar nga afër sesi shfaqet situata. Në pikën doganore të Qafë-Thanës puna vazhdon po njësoj si pak vite më parë kur këto deklarata janë dhënë. Ne kaluam nga territori shqiptar në atë maqedonas dhe anasjelltas përmes dy doganave të këtyre vendeve ndërsa nuk u vu re asnjë punim apo ndryshim në sistem. Secili nga vendet përfaqësohet dhe punon me zyrën doganore respektive dhe jo me një të përbashkët. Pas verifikimit në terren të deklaratave dhënë nga përfaqësues të lartë të qeverisë shqiptare, premtimet e tyre për të patur një pikë doganore të përbashkët mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, do t’i kategorizojmë Të PAMBAJTURA.