Fleta e votimit për zgjedhjet parlamentare të 11 majit do të jetë më e madhe se kurrë. Për herë të parë, emrat e kandidatëve pritet të renditen me emër dhe mbiemër, në vend të numrave. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi pranoi në një dalje mediatike se KQZ nuk është e përgatitur për skenarin “B” nëse 25 subjektet e regjistruara dorëzojnë listat e kandidatëve të tyre. “Fleta siç e kemi prezantuar është shumë e madhe. Vështirësi për organizimin dhe menaxhimin. Nuk di të them si do t’ia bëjmë nëse të 25 subjektet ia dalin të sjellin kandidatë. Nuk jemi përgatitur për këtë skenar”, tha Celibashi.

Paraprakisht, KQZ ka krijuar një moket fletë votimi për qarkun e Tiranës me përmasa 40 cm x 60 cm që mund të përfshijë 7 subjekte politike

Afati

Të gjitha partitë që duan të jenë në fletën e votimit duhet të dorëzojnë listat e plota të kandidatëve deri më 12 mars. Ligji kërkon 186 emra për çdo subjekt, 46 në listën e mbyllur dhe 140 për listën e hapur.

Votuesi më i vjetër 95 vjeç 

Ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar regjistrimin e 245,975 shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit për të votuar në zgjedhjet e 11 majit. Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi njoftoi se numri më i lartë i aplikimeve është regjistruar më 2 mars. Aplikimi i parë është bërë më 11 janar nga një shtetas në Gjermani në orën 00:08 pas mesnate.  Personi më i moshuar i regjistruar është 98 vjeç, ndërsa një tjetër në Itali rezulton shumë këmbëngulës. Ai aplikoi 25 herë derisa u regjistrua në platformën “PER”

48 mijë të refuzuar

Sipas Celibashit, 48,180 shtetasve shqiptarë nga jashtë u është refuzuar kërkesa dhe nuk kanë mundësi për rishqyrtim. Ata mund të ankohen në gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës deri më 11 prill.  “Nga momenti që i është refuzuar kërkesa, deri në 11 prill mund të paraqesin një ankesë nëpërmjet një platforme online, e cila do të ndërtohet nga KLD, tashmë që edhe kuadri ligjor ia lejon ndërtimin e kësaj platforme, mund të bëhet aplikimi, dhe uroj të funksionojë”, tha Celibashi. Ai nënvizoi se “refuzimet e bëra nga ana e KQZ janë të gjitha të përligjura”.

Më 9 mars shpallet lista paraprake e votuesve nga jashtë dhe vetëm ata që janë regjistruar mund të korrigjojnë adresën deri më 12 mars.

Kur dërgohen fletët për diasporën?

Procesi i dërgimit të fletëve të votimit do të zhvillohet nga data 8 deri më 16 prill, përmes një shërbimi postar të gjurmueshëm. KQZ do të zgjedhë një operator ndërkombëtar, duke përjashtuar postën shqiptare. Celibashi siguroi se integriteti i votës është 100% i garantuar nga momenti i dërgimit deri te numërimi.

Meta deputet nga burgu?

Ndërkohë, një nga çështjet e diskutuara këto kohë është që Ilir Meta do të garojë në listat e sigurta si kandidat i koalicionit të drejtuar nga Sali Berisha, ndërsa ndodhet në paraburgim. Celibashi u shpreh se nuk mund të japë një vendim në këtë fazë, pasi kjo çështje mund të shqyrtohet nga KQZ dhe institucionet e tjera.

Sipas tij, Kushtetuta parashikon se çdo person që shpallet fitues nga KQZ merr mandatin e deputetit, por mbetet për t’u parë në varësi të zhvillimeve.