Mali i Tomorit, simbol i bektashizmit në Shqipëri dhe një mrekulli e natyrës së këtij vendi, u përmend së fundi nga konspiracionisti Alfred Cako. Sipas tij, aty gjendet një piramidë me tri porta, dhe për të hyrë duhet ADN e një personi dhe ku njerëzit do futen në ditë të vështira apo kur kjo botë të marrë fund. Pavarësisht titullit sensacional dhe misterit apo legjendave mbi Malin e Tomorit, mungon një informacion i saktë apo dëshmi mbi ekzistencën e tri piramidave.
Ardi Pulaj
“Poshtë Malit të Tomorit ka një piramidë me tri porta. Aty janë disa kostume që nuk mund të vishen nga çdokush. Ato kanë disa kode që janë për persona të caktuar për të cilët janë krijuar. Sipas kësaj teze, për t’u futur brenda piramidave duhen kaluar kontrollet brenda tri portave që vetëm ADN-ja e një personi i përshtatet. Aty do të futen njerëzit vetëm në ditë të vështira, apo kur t’i vijë fundi kësaj bote. Kjo piramidë qëndron mbi një liqen të madh që gjendet poshtë Malit të Tomorit. Syri i Kaltër dhe furnizimi i liqeneve të Prespës kanë furnizime nga ky burim nëntokësor”.
Kjo është deklarata e radhës e konspiracionistit kontrovers Alfred Cako. Artikulli fillimisht i jep kontekst asaj që Cako pretendon se ndodh pikërisht në Malin e Tomorit.
Në fakt ky i fundit, është aq imponues në lartësinë e 2416 metra mbi nivelin e detit, sa në lashtësi i thurën një kult të vetin dhe i luteshin atij. Kaq shumë kanë ndikuar këto legjenda në imagjinatën kolektive të shqiptarëve përgjatë shekujve sa e kanë konsideruar Olimpin shqiptar, shkruhet në një nga guidat për Malin e Tomorit, duke e etiketuar si strehë lutjesh, mitesh e aventurash unike.
Për madhështinë e tij ka shkruar poezinë Baba Tomori edhe rilindasi shqiptar Andon Zako Çajupi:
“Baba-Tomor, kish’ e Shqipërisë,
mal i lartë, fron i perëndisë,
tek ti vinin njerëzit që moti
për të msuar se ç’urdhëron zoti…
Tek te lutem dhe u duk’ e qarë
të msoj q’thot dhe për shqipëtarë…”
Apo rilindasi tjetër Naim Frashëri:
“Abas Aliu zu Tomorrë
Dhe erdhi afër nesh
Shqipëria s’mbet e gjorë
Se Zoti e desh”
Tomori, mal i shenjtë
Etnologia angleze Margaret Hasluck, që u ngjit në majën e Tomorit në vitin 1930, ka thënë se duke gëzuar një prestigj të veçantë në botën shqiptare, ai ka fituar atributin e malit të shenjtë. Fakti që ky mal në gojëdhënën popullore, në periudhën antike e mesjetare dhe në letërsinë romantike përfytyrohet si Olimpi shqiptar, sipasa saj, është dëshmi e njësisë kulturore ballkanike.
Hasluck konstatoi midis të tjerave se pelegrinët besonin në një fuqi të mbinatyrshme me seli në atë majë e se betimi për Baba Tomorrin ishte më i fortë se betimi mbi Ungjill ose Kur’an. Kuptohet se ky adhurim është me origjinë nga kultet pagane të natyrës, brenda të cilit kanë mbetur besimet e shqiptarit.
Fati i kulteve pagane dhe i vendeve të këtyre kulteve në Shqipëri është i lidhur me historinë fetare në këto treva. Sot në Tomorr praktikohet kulti bektashi, por midis këtij të fundit dhe atij të parit, kultit pagan, qëndron kulti i fesë që ndan këto dy periudha fetare, pra kulti i krishterë.
Po sipas M. Hasluck bektashinjtë e pranojnë se kanë zëvendësuar një kult shumë më të vjetër.
Ata i besojnë gojëdhënës se Haxhi Babai, duke parë pelegrinë që ngjiteshin në Tomorr çdo mes gushti për t’iu falur një hyjnie pagane, shkoi në Qerbela, mori një dorë dhe’ nga varri i vërtetë i Abas Aliut, e hodhi në majë të Tomorrit dhe e konsakroi atë si varrin e dytë të shenjtorit.
Burime të pavërtetuara bëjnë fjalë për një tyrbe të vitit 1620 kushtuar heroit të Qerbelasë, kurse teqeja bektashiane është ngritur më 1916.
Turizmi dhe pelegrinazhi sot në Malin e Tomorit
Mali i Tomorit sot është një destinacion turistik, përveçse vend pelegrinazhi për mijëra besimtarë që shkojnë aty. Ata, të shoqëruar edhe nga jobesimtarët, ngjiten në Malin e Tomorit, deri në vendin e njohur si Cuka e Abaz Aliut, 2416 metra mbi nivelin e detit, për të kryer ritet fetare, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi dhe paqe në familjen e tij. Simboli i kësaj feste është kurbani, sipas mitologjisë qengji është simboli i mirësisë dhe urtësisë (prandaj shpesh në këto anë thuhet që Zoti “merr” të mirin – qengjin – jo dhinë).
“Si rregull, nevojitet të shkosh tre vite me radhë, sipas besimtarëve bektashianë, për të pasur mbarësi në familje dhe me çka dëshiron për mbarësi. Njerëzit besojnë se mbarësia e familjeve të tyre shtohet me këto vizita të vazhdueshme në malin e shenjtë të Tomorit, dhe duke marrë prej tij si suvenir copa gurësh, dheu dhe shenja të kurbanëve për t’i ruajtur në shtëpi’, shkruhet në një reportazh së fundi nga Mali i Tomorit.
Me statusin e “malit të shenjtë”, besimit fetar bektashian, natyrës unike dhe madhështisë së Tomorit, askush, përfshirë studiesit, historianët dhe arkeologët, deri më sot nuk ka folur për piramidë me tri porta, apo kostume magjike për të cilat Alfred Cako pretendon se gjenden aty.
*Foto kryesore e marrë nga lajmi në portalin “Sot”
*Artikulli publikohet në kuadër të bashkëpunimit me Facebook për të luftuar dizinformimin