MERXHAN DACI
Koronavirusi i ri COVID-19 ka rritur ndjeshëm Euron dhe Dollarin. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se Euro nuk ishte rritur kaq shumë prej 2 vitesh. Ndërkaq, Dollari është monedha që u rrit menjëherë, sapo Shqipëria u prek nga COVID-19.
————————————————————————————————
Të dhënat e kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë flasin për një mbiçmim të pazakontë të Euros kundrejt lekut.
Të dhënat e ditës së sotme (30 mars) flasin për nivel të Euros në 131,06 lekë.
Sipas Bankës së Shqipërisë, rritja ka filluar të jetë e konsiderueshme që nga data 18 mars ku Euro kapi vlerën 122,89 lekë.
Rritje e tillë e Euros nuk ishte parë që prej dy vitesh (në fillim të vitit 2018).
Rritje në raport me lekun ka pasur edhe Dollari amerikan.
Nëse në 9 mars, kur u identifikuan edhe dy rastet e para me COVID-19 në Shqipëri, 1 dollar këmbehej me 107,73 lekë, sot me 30 mars dollari është ngjitur në kuotën e e 118, 3 lekëve.
Çfarë po ndodh?
Sipas ekspertit të ekonomisë Elvin Meka, tregu i valutave nuk mund të mos përjetonte situatën e vështirë e të pazakontë në të cilën ndodhet tashmë jo vetëm Shqipëria, por e gjithë bota.
Po cilët janë faktorët që ndikuar në rritjen e Euros?
Meka tha për “Faktoje” se në këtë luhatje ndikojnë një sërë faktorësh, ku më të rëndësishmit mund të përmenden:
– mbyllja e veprimtarisë ekonomike në disa sektorë që realizojnë konsum të lartë: shërbimet, bar-kafe, hoteleri, turizëm, duke shkaktuar ndalimin e menjëhershëm të rrjedhave hyrëse dhe qarkulluese të eurove në ekonominë kombëtare,
– ripozicionimin e kërkesës për valutë vetëm për mallra kryesore të konsumit dhe më pak ose aspak për investime,
– efekti psikologjik që shkakton situata e përhapjes së COVID-19, që logjikshëm e orienton publikun e gjerë drejt investimit në monedhat qqë konsiderohen të sigurta dhe ruajtëse vlere, si: EURO, DOLLAR, PAUND, FRANGA, etj.
– niveli i ulët i transaksioneve që kryhen në treg, qërrit rreziqet dhe marzhet e kuotimit,
– rënia e menjëhershme e dërgimit fizik të remitancave nga mbyllja e qarkullimit me botën,
– ulja e eksporteve që pritet të ndodhë gjatë muajit prill e në vijim,
– fillimi nga ana e Bankës së Shqipërisë së një politike lehtësuese, duke nënkuptuar një ofertë likuiditeti të re në LEK në treg, që do të ndikojë në një zhvlerësim iminent të Lekut.