Shërbimi i check-up i cili synon depistimin e popullatës për faktorët e rrezikut dhe sëmundjet më të përhapura në vendin tone, është pezulluar për herë të dytë pas atij të datës 16 mars 2020. Ndryshe nga 8 muaj më parë ku lajmërimin e bëri vetë Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu këtë herë nuk ka pasur asnjë njoftim publik. Nga ana tjetër, interesi i njerëzve për të bërë kontrollin, sidomos në këtë periudhë është i lartë.
Gjatë një vëzhgimi që “Faktoje” po bënte nëpër qendrat shëndetësore të kryeqytetit, për fushatën e vaksinimit kundër gripit sezonal, mësuam se përmes një urdhëri të Ministrisë së Shëndetësisë është pezulluar shërbimi i kontrollit bazë ose ‘check-up’. Ky urdhër iu komunikua personave të interesuar që prisnin në shkallët e qendrës shëndetësore nr. 1. Ndërkohë asnjë informacion lidhur me këtë ndërprerje nuk ishte bërë publik.
Faktoje komunikoi që të premten e datës 2 tetor me koordinatoren për mediat në m. Shëndetësisë për të mësuar më shumë për këtë situate, por përgjigjet që morëm ishin po aq të paqarta.
Nga biseda me personat që qëndronin në radhë për kryerjen e Check-up, në dy prej qendrave shëndëtësore ku bëmë verifikimin në Tiranë, kishte prej tyre që në mungesë të këtij shërbimi do t’i drejtohej laboratorit ose spitalin privat.
“Nuk e dimë kur i hapin kur i mbyllin, erdhëm këtu na thanë është pezulluar dhe tani në privat do shkojmë”-u shpreh D.T 54 vjeç nga Tirana i cili do ti drejtohej një prej spitaleve private të kryeqytetit pasi u informua se nuk kishte një datë të dytë se kur do të rihapeshin.
Ne shkuam në një prej spitaleve private në kryeqytet dhe u përballëm me këtë list çmimesh.
Kontratat PPP të check -up u nënshkruan në vitin 2015 me shoqërinë koncesionare “3P Life Logistic” dhe ka një kohëzgjatje prej 10 vitesh. Në situatën e krijuar nga pandemia, kategoria e cila ishte më shumë e shqetësuar dhe njëkohesisht më e interesuar si për check-up apo edhe për vaksinën ishin moshat e treta të cilat nuk kishin asnjë informacion për urdhërin.
Për këtë kontratë partneriteti publik privat, në nivel vjetor janë parashikuar 475,000 përfitues të shërbimit, pra 39,583 raste në muaj, për të cilat kompania koncesionare i merr pagesat, pavarësisht nga fakti nëse ato realizohen apo jo.
“Faktoje “u përpoq të hyjë në faqen zyrtare të programit “Si je”, por konstatoi se ajo ishte e bllokuar.
Nga një dokument zyrtar i dhënë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor në datën 25 shtator, kompanisë i lejohej nisja e shërbimit.
Megjithatë vetëm një javë më vonë, përmes një urdhëri të dhënë nga Ministria e Shëndetësisë asaj i është pezulluar aktiviteti.
Problematikat me këtë shërbim kanë qenë të shumta që në nisje të tij dhe këtë e vërtëton edhe një raport i KLSH. Në një auditim të kryer për FSKDSH, Kontrolli i Lartë i Shtetit (KLSH) ka konstatuar se, në vitin 2018 nuk janë arritur projeksionet e kontratës duke bërë që, pagesat e marra tepër nga koncesionari, për shërbimin e paofruar për periudhë 2015-2018, të jetë 801 milion lekë. Ndërsa për vitin 2018, kjo kosto shtesë llogaritej rreth 168 milion lekë.
Në vitin 2016, numri i qytetarëve që kanë kryer check-up ështëc329,555 ,ndërsa në vitin 2017 ky numër është 316,601. Vihet re se numri i rasteve që kanë kryer check-up ka ardhur në ulje me 4% (12,954 pacientë më pak).
Në vitin 2018 ky numër ishte 428 mijë dhe në 2019 ishte 482.716 mijë. Viti i fundit në të cilin kemi raportimin nga Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu është viti në të cilin është tejkaluar për herë të parë targeti i vendosur për numrin e qytetarëve që kanë kryer kontrollin bazë, megjithatë në 2020-n ky numër u përmbys, për shkak të vet situatës nga COVID-19.
Ne u përpoqëm të kontaktojmë me Fondin e Sigurimit Shëndetësor si institucioni i cili duhet të bëjë zyrtar dhe publik këtë shifër por e-maili nuk funksiononte.
Faktoje, I ka dërguar një kërkesë për informacion edhe Ministrisë së Shëndetësisë lidhur me këto shifra dhe jemi ende në pritje të përgjigjes ndërsa qytetarët në pritje të datës se kur do të rihapet ky shërbim.