Në këtë 3 maj, ditën botërore të lirisë së shtypit, në Shqipëri u raportua përkeqësim i lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së gazetarëve. Nga vendi 96, Shqipëria bie në të 99 në listën e 180 shteteve, sipas indeksit për lirinë e medias publikuar nga Reporterët pa Kufij. Të dhënat përforcohen nga gjetjet e DASHtë publikuar pak më herët ku konflikti i interesave mes botës së biznesit dhe politikës, korniza e mangët ligjore dhe dhuna ndaj gazetarëve ilustrojnë situatën e vendit tonë kandidate për anëtarësim në BE, por e fundit në Europë për lirinë e shtypit dhe medias. Njihuni me gjetjet e dy raporteve dhe si analizohen ato nga ekperti ligjor.
Viola Keta
Raportet e fundit nga Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) dhe Rrjeti i Reporterëve pa Kufij (Reportes Sans Frontieres) pajtohen në lidhje me gjendjen alarmuese për lirinë e mediave në Shqipëri.
Liria e shtypit dhe medias sipas RSF
Në ditën botërore të lirisë së shtypit (dhe medias) treguesit e publikuar nga RSF pasqyruan rënien e indeksit të lirisë së medias për vitin 2024.
RSF thekson se liria e shtypit dhe pavarësia e mediave janë në rrezik për shkak të konflikteve të interesave mes botës së biznesit dhe politikës, kornizës ligjore të mangët dhe asaj partiake. Gazetarët rezultojnë të jenë viktima të aktorëve politikë dhe krimit të organizuar. Ja se si ilustrohet situata në 6 aspekte:
Klima e medias Mediat private më me ndikim në Shqipëri janë në pronësi të disa kompanive që kanë lidhje me botën politike në sektorë të rëndësishëm si ndërtimi. Ka qindra media online nga të cilat vetëm një numër i vogël kanë një model biznesi të qëndrueshëm me financim transparent.
Konteksti Politik Gazetarët përballen me presion politik, sidomos në zgjedhje. Politikanët kufizojnë pavarësinë redaksionale duke politizuar organet e mbikëqyrjes së mediave dhe duke i emëruar në krye të mediave publike. Gazetarët kritikë janë shpesh objekt i sulmeve si nga qeveria ashtu edhe nga opozita. Ata kanë vështirësi në marrjen e informacionit nga institucionet shtetërore, qasje që mund të kufizohet nga një ‘centralizizim‘ i ri i komunikimeve të qeverisë.
Korniza Ligjore Edhe pse Kushtetuta dhe angazhimet ligjore ndërkombëtare të Shqipërisë garantojnë lirinë e shtypit, mbrojtja e konfidencialitetit të burimeve është e pamjaftueshme. Kjo u vërejt në sekuestrimin e materialeve të gazetarit investigues hetimor Elton Qyno në 2023. Pas një vendimi kontrovers të prokurorit, mediat u ndaluan të raportonin mbi pasojat e një sulmi kibernetik ndaj institucioneve shtetërore të vitit 2022.
Konteksti Ekonomik Pronësia e një pjese të madhe në tregun mediatik shqiptar është e përqendruar në duart e vetëm katër ose pesë kompanive. Financimi shtetëror paraqet një burim të madh të të ardhurave për median, por shpërndarja e tij e paqartë dhe diskriminuese lë dyshime për përqëndrim të ndikimit.
Konteksti Sociokulturor Gazetarët që investigojnë dhe korrupsionin janë veçanërisht objekt kërcënimsh. Gazetaret femra, që shumicën e profesionisteve në këtë fushë, ballafaqohen me kërcënime online dhe në disa raste diskriminim gjinor brenda redaksive (megjithëse vërehet përparim në këtë fushë).
Vetëcensura është e përhapur, megjithatë mediat kanë krijuar një platformë për vetë-regulimin etik, e para e këtij lloji në Shqipëri.
Siguria e gazetarëve Reporterët që mbulojnë demonstrata dhe operacione policore janë në disa raste viktima të dhunës policore. Krimi i organizuar paraqet një nga kërcënimet më të mëdha për sigurinë e gazetarëve. Edhe pse policia ka ndërmarrë hapa të fundit për të hetuar sulmet kundër gazetarëve, dënueshmëria e këtyre krimeve, e kombinuar me përpjekjet politike për të diskredituar gazetarët, krijon një klimë që inkurajon sulme të mëtejshme.
Gjetjet e Departamentit Amerikan të Shtetit për Lirinë e Shprehjes
Pak ditë para publikimit të raportit nga RSF, gjetjet e Departamentit Amerikan të Shtetit për të drejtat e njeriut, theksonte që në paragrafin e parë:
“Çështjet kryesore të të drejtave të njeriut përfshijnw probleme serioze me pavarësinë dhe integritetin e sistemit gjyqësor; me korrupsionin në qeveri, zbatimin e ligjit dhe institucionet komunale; me mungesën e një media të pavarur.“
Edhe pse raporti vëren se përgjithësisht qeveria e respekton lirinë e shprehjes, parashikuar në Kushtetutën e Shqipërisë, ai thekson se shpifja konsiderohet një krim. Duke cituar organizatat e medias së pavarur dhe gazetarë profesionistë, raporti nënvizon: “Ka raporte të besueshme se përfaqësues kryesorë të mediave përdorin platformat e tyre për të shantazhuar biznese duke i kërcënuar me raportime negative. Ndërkohë, presioni politik, korrupsioni dhe mungesa e fondeve kanë kufizuar pavarësinë e medias së shkruar, ndërsa gazetarët raportohet të jenë vetëcensuruar”.
Mungesa e kontratave të punës për gazetarët ka ulur pavarësinë e tyre dhe ka kontribuar në cilësinë e raportimit, thekson DASH bazuar në konfirimimin e Unionit të Gazetarëve Shqiptarë se gazetarët e të paktën 8 televizioneve marrin me vonesë pagat, vonesa që shkojnë deri në 5 muaj. Problemet financiare sipas raportit kanë orientuar gazetarët drejt burimeve të tjera të të ardhurave, çka vë në pikpyetje pavarësinë dhe integritetin e raportimit të tyre.
Kufizimet dhe Presioni:
DASH thekson se kritika e hapur ndaj qeverisë mund të ketë pasoja. “Politikanët shfrytëzojnë median për të përhapur lajme të rreme rreth rivalëve dhe kritikëve të tyre”, thuhet në raport.
Kërcënimet dhe Dhuna:
Rasti i gazetit Elvis Hila nga Report TV dhe bashkëshortes së tij që u sulmuan në Lezhë (në janar 2023), përmendet në raport si një nga shembujt e kërcënimit dhe dhunës së ushtruar ndaj gazetarëve. Po ashtu, pasqyrohet akti i konsideruar terrorist nga vetë media Top Channel dhe disa organizata (në mars 2023), kur persona ende të paidentifikuar hapën zjarr mbi ndërtesën e transmetuesit kombëtar duke vrarë rojen e objektit.
Kufizimet dhe (auto)Censura:
Gazetarët shpesh ushtrojnë vetëcensurë për të shmangur dhunën dhe kërcënimet ose për të mbajtur vendin e punës, thotë DASH I cili i referohet Barometrit Kombëtar të Lirisë së Medias për vitin 2021, ku 45.5 për qind e gazetarëve të anketuar pranonin se u ishte kërkuar të mos botojnë një lajm dhe 45 për qind pranonin se kishin ushtruar vetëcensurë.
Korniza ligjore:
Ligjet që kriminalizojnë shpifjen dhe fyerjen janë në fuqi, duke lejuar individët të bëjnë padi penale dhe të marrin kompensim financiar për fyerje ose publikim të qëllimshëm të informacioneve që konsiderohen si shpifje, sipas DASH që citon organizata të Shoqërisë Civile se gjobat e vendosura ishin të rënda dhe ndikonin në kufizimin e lirisë së shprehjes. Që prej tetorit 2023, nga 12 procese të nisura ndaj gazetarëve, 8 ishin për shpifje. Citon raporti.
Liria e gazetarëve në lupën e ekspertit
Gjetjet e dy raporteve të analizuar nga Faktoje (Dash për të drejtat e njeriut gjatë 2023 dhe Reporterët pa Kufij në indeksin e Lirisë së shtypit për 2024-n) pajtohen se situata për sigurinë e gazetarëve është alarmuese dhe korniza ligjore ‘difektoze‘ në lidhje me lirinë e shprehjes
Po si përkthehet kjo situatë në gjuhën e një juristi, që njeh nga afër problematikat e gazetarëve dhe kornizën ligjore në Shqipëri?
Faktoje mori disa komente nga avokati Dorian Matlia, i cili thekson:
“Gazetarët janë në sulme të llojeve të ndryshme, ka sulme që janë fizike, ka sulme që janë juridike përmes padive, kallzimeve penale. Ka raste ku insitucionet shkojnë më tutje akoma dhe cënojnë konfidencialitetin e burimeve të gazetarëve. Kemi raste të gazetarëve që janë sulmuar fizikisht dhe që ende nuk ka asnjë lloj hetimi nga organet ligjzbatuese, apo kur gazetari paditet në gjyq për shuma të larta, në çështje penale që rrezikojnë jo vetëm të marrin një gjobë, por edhe një shënim si të dënuar në dëshminë e penalitetit, çka është shumë e keqe. Vetë gazetarët instrumentalizohen kundër njëri-tjetrit për të cënuar reputacionin e njëri-tjetrit.“
Nisma për dekriminalizimin e shpifjes
Aktualisht Kodi Penal ku bën pjesë edhe shpifja, është në prag të konsultimit publik. Kjo fazë sipas Matlisë është kyçe edhe për lirinë e shprehjes dhe kryesisht lehtësimin e pozitës së gazetarëve, ashtu siç është rekomanduar edhe nga organizata të ndryshmë ndërkombëtare.
Së pari bëhet fjalë për dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe fyerjes, pra heqjen e këtyre dy veprave nga Kodi Penal.
Së dyti në Kodin Penal mund të parashikohet në mënyrë specifike dhe definitive që edhe goditja e gazetarit të konsiderohet një goditje për shkak të detyrës. Pra që ta ndjekë prokuroria si rast dhe dënimi të jetë më i rëndë sesa dënimi i një përsoni për arsye personale.
Së treti është e nevojshme në ligj të bëhet dhe një ndërhyrje për të parashikuar një mekanizëm për të mbrojtur nga ato padi abuzive, të cilat bëjnë që gazetarët të shkojnë nëpër gjykata të harxhojnë kohë, nerva, para dhe në fund fare të harxhojnë gjithë këto burime për të mos bërë punën e tyre. Këto quhen padi “slap”, ka tashmë një direktivë nga Bashkimi Europian që është i detyrueshëm nga vendet anëtare, por edhe ato që janë kandidate për t‘u bërë anëtare nesër. Kjo kërkon një ndërhyrje në kodin e procedurës civile.
Kush i mbron gazetarët?
Në situatën kur organizma kyçe ndërkombëtare pasqyrojnë të dhëna shqetësuese sidomos për sigurinë e gazetarëve, lind pyetja se kush i mbron ata, të cilës Matlija i jep këtë përgjgje: “Gazetarët shpesh janë në mëshirë të fatit, le të themi në zgjedhjen e mbrojtjes së vet. Ata nuk para mbrohen nga pronarët e mediave, nuk kanë mjetet e mjaftueshme pët të pajtuar avokat që paguhen shtrenjtë në treg. Kryesisht mbrojtjen deri tani, ose e realizojnë vetë ose e organizojnë përmes organiztave jo fitimprurëse që ofrojnë këtë ndihmë falas. Megjithatë të paktën ekziston gjithnjë e më tepër një ndërgjegjësim i gjyqtarëve që kanë marrë trajnimet e duhura nga këshilli i Europës sidomos, për të përmirësuar cilësinë e vendimeve. Pra ekziston një mundësi për t’u përmirësuar ndihma ndaj gazetarëve, por megjithatë ende jemi shumë larg krijimit të një vëtëbesimi te gazetarët. Vetë gazetarët duhet të ishin organizuar më mirë në organizatat e tyre profesionale por kjo gjë ende nuk po ndodh.“