Sebi Alla Në një situatë normale, politike dhe juridike, një firmë e Presidentit të Republikës për dekretimin e datës së zgjedhjeve të pjesshme vendore në 6 bashki të vendit do të ishte një procedurë rutinë, por situata përmbys gjithçka për Bashkinë Tiranë, duke ia mbajtur për disa kohë dorën firmëtare kreut të shtetit.
Ditën e sotme Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave dërgoi në Presidencë vakancat për Bashkitë e Tiranës, Beratit, Tepelenës, Cërrikut, Matit dhe Vlorës, duke kërkuar nga kreu i shtetit dekretimin e datës së zgjedhjeve. Nëse për pesë bashkitë e tjera dekreti presidencial pritet të ndodhë, për Tiranën situata ndryshon.
Kryebashkiaku i arrestuar Erion Veliaj ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin për shkarkimin e tij nga detyra. Gjykata Kushtetuese ditën e sotme reagoi duke theksuar se: “Gjykata ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës. Shpallja është e barazvlefshme me njoftimin publik”.
Veliaj “betejë” edhe me Begajn?
Tashmë kryeministri ka vënë para “përgjegjësisë” kreun e shtetit, pavarësisht se në intepretim të qartë të nenit 115 të Kushtetutës, në momentin e ankimimit të subjektit të shkarkuar, vendimi i shkarkimit pezullohet.
Burime nga presidenca thanë për Faktoje.al se pas mbërritjes së kërkesës për dekretim të zgjedhjeve të pjesshme lokale në gjashtë bashki kreu i shtetit po e shqyrton çështjen.
Avokat Ledio Braho, në një reagim për Faktoje.al thotë se Presidenti ka disi mundësi për të ushtruar të drejtën e dekretimit, ndonëse është vënë para faktit që i kanë shkuar të gjitha në bllok vakancat për 6 bashki të vendit. “Një rrugë është që Presidenti të dekretojë zgjedhjet për pesë bashki dhe të lerë Tiranën pa e dekretuar”, thotë Braho.
Nga gjykata në gjykatë
Nëse vendos të dekretojë zgjedhjet edhe në Tiranë, pavarësisht ankimit në Gjykatën Kushtetuese, kleçkat ligjore i lënë të tjera mundësi Veliajt, në “betejë ligjore” edhe me kreun e shtetit. “Nëse dekreton edhe Tiranën, avokatët e Veliajt mund të kërkojnë pezullim të dekretit të Presidentit në Gjykatën Kushtetuese, duke i bashkëngjitur kërkesës edhe ankimimin që përfshijnë provat për të marrë pezullim”, thotë Braho.
Sipas tij, hapësirat ligjore lenë mundësi interpretimi pasi në lojë mund të futet edhe Gjykata Administrative. “Ka edhe një rrugë tjetër që për dekretin të kërkojë pezullim në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, me objekt: ‘sigurim padie’ dhe pezullim të efektit të aktit administrativ”, shpjegon avokati.
Të gjithë këto rrugë mund të ndiqen vetëm nëse kreu i shtetit dekreton zgjedhjet edhe për Bashkinë Tiranë, ndonëse mundësitë e intepretimit ligjor dhe kushtetues janë të shumta. Mbrojtësit ligjorë të kryebashkiakut Veliaj në ankimimin e bërë në Gjykatën Kushtetuese i janë referuar nenit 115 të Kushtetutës, por vendimi për shkarkimin e Veliajt nga kreu i qeverisë është marrë në referim të nenit 100 të Kushtetutës dhe veçanërisht duke iu referuar nenit 62 pika c të ligjit për “vetëqeverisjen vendore”.
Opozita për Veliajn
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazmend Bardhi komentoi sot mundësinë e dekretimit të zgjedhjeve nga Presidenti Begaj. “Kushtetuta është e qartë, qoftë për organin që vendos për shkarkimin dhe të drejtën e ankimit nga i shkarkuari. Në mënyrë automatike, vendimi i shkarkimit pezullohet. Presidenti që është autoriteti për të shpallur zgjedhjet duhet të verifikojë procedurën para se të konstatojë ekzistencën e vakancës dhe dekretin”, thotë Bardhi.
Më shumë se ligjore në këtë rast çështjen ai e sheh si politike, teksa tha se Presidenti do të bëjë atë që urdhëron Kryeministri Rama. “Presidenti s’mund të dekretojë datë zgjedhjesh. Nëse më pyet se çfarë bën jo presidenti por Bajram Begaj, besoj se do të bëjë atë që do të urdhërojë Rama. Ka treguar në të shkuarën se nuk pyet as pë Kushtetutë dhe as ligj. Do të ishte shkelje e rëndë në ushtrim të detyrës që sjell përgjegjësi për presidentin e Republikës”, tha Bardhi.
Mazhoranca
Për rastin “Veliaj” përfaqësues të mazhorancës deri më tani nuk kanë preferuar të komentojnë, duke ndjekur qëndrimin e thatë të pjesës proceduriale. Kryeministri, të vetmin koment publik për Veliajn, e bëri në mbledhjen e Asamblesë së PS-së më 11 shtator kur lexoi emrat e kabinetit të ri qeveritar. Ai tha se do i kërkonte Këshillit Bashkiak të Tiranës shkarkimin e Veliajt, pasi “nuk mund ta linte Tiranën pa kokë”. Që nga ajo kohë mazhoranca ka “folur me shkresa” për të arritur në pjesën fundore ditën e sotme duke i kërkuar Presidentit dekretim të datës së zgjedhjeve, pavarësisht se Veliaj ka ankimuar vendimin e Këshillitt ë Ministrave për shkarkimin e tij.