Të martën e 15 tetorit, Drejtoria e Statistikave në Malin e Zi MONSTAT publikoi të dhënat e reja të popullsisë, pas regjistrimit të popullsisë në dhjetor 2023. Censi i fundit ishte realizuar në vitin 2011.
Rezultatet e regjistrimit të popullsisë malazeze u trajtuan gjerësisht në mediat shqipfolëse por në disa raste me një konotacion negativ sa i përket të dhënave për popullsinë shqiptare atje.
Disa prej mediave në vend trajtuan që në titull se numri i popullsisë shqiptare ishte 5%, duke e vënë në kontekst të njëjtë me një tjetër të dhënë se numri i malazezëve ishte pakësuar ndërsa ai i serbëve ishte rritur.
Janë kryesisht tituj të kopjuar njësoj nga një media në tjetrën, po aq edhe përmbajtja. Edhe pse brenda në artikuj flitet për të dhëna të qëndrueshme të popullsisë shqiptare nga një census në tjetrin, në titull krijohet përceptimi i rritjes së një frike nga konflikti etnik dhe asimilimit nga ana tjetër.
Për të kuptuar se çfarë ka ndodhur me numrin e shtetasve të deklaruar si shqiptarë në Mal të Zi Faktoje.al iu referua të dhënave zyrtare të publikuara nga MONSTAT i Malit të Zi
Krahasuar me regjistrimin e parafundit (2011) na rezulton se numri i shqiptarëve nuk ka ndryshuar.
Ajo mbetet e qëndrueshme me të njëjtën përqindje si 13 vjet më parë, madje me shqiptarë më shumë të deklaruar.
Në 2011 ishin 4.91%, apo 30.439 shqiptarë të deklaruar, ndërsa tani janë 30.978 sërish më pak se 5%. Që do të thotë se raporti i të dhënave lidhur me numrin e deklaruar është i qendrueshëm.
Për të kaluar tek debati i dytë ajo e trumbetimit të rritjes së popullsisë serbe.
Sipas rezultateve të censusit të realizuar në vitin 2023 në Mal të Zi, 256 436 ose 41.12% e personave janë deklaruar si malazezë; 205 370 ose 32,93% janë deklaruar si serbë.
Në censin e vitit 2003 ishin deklaruar 198,414 serbë ose 32%
Me censin e 2011 përqindja e serbëve është ulur, për tu rritur në 2023.
A është kjo më shumë si pasojë e ndikimit politik të Rusisë dhe Serbisë apo thjesht rezultat statistikor?
Metodologu malazez, Millosh Beshiq, tha në një intervistë për REL se në vitin 2011 ishin rreth 5% e banorëve që refuzuan ta deklaronin kombësinë e tyre.
Pikërisht tek ajo kategori, ai thotë se “fshiheshin” serbët në regjistrimin e fundit të vitit 2011.
“Tani që janë ‘kthyer’, ndodh ky ndryshim. Prandaj, numri i serbëve në Mal të Zi është stabil, është pak më pak se një e treta (32.9 për qind). Kështu ishte 20 vjet më parë, kështu është edhe sot”, tha Beshiq për Radion Evropa e Lirë.
Në të njëjtin artikull shkruhej se, “regjistrimi në Mal të Zi është më shumë çështje politike sesa statistikore, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me përkatësinë kombëtare dhe gjuhësore”. Kjo edhe për faktin se sot në Malin e Zi qeverisin parti kryesisht proserbe, të udhëhequra nga Fronti Demokratik prorus.
Të dhënat e regjistrimit tregojnë se 269 307 ose 43,18% e personave kanë deklaruar gjuhën serbe si gjuhë amtare edhe pse me Kushtetutë prej vitit 2006 gjuha amtare është ajo malazeze. Fenomeni është i ngjashëm si me censin e vitit 2011, por kësaj here me ndryshimin e raporteve politike, partitë pro serbe po këmbëngulin për ndryshimin e Kushtetutës, me qëllim futjen edhe të serbishtes si gjuhë amtare
Nga pikepamja statistikore ajo që ka ndryshuar në Census është raporti me rusët si në perdorimin e gjuhës ashtu edhe në numër shtetasish të deklaruar.
Ndryshe nga 2011 të dhënat tregojnë rritje të lehtë te popullsisë ruse, konkretisht 12 824 ose 2.06%.
Në Censin e 2011 në Mal të Zi u deklaruan rreth 900 rusë.
Ky raport i ndryshuar është parë i reflektuar edhe me ukrainasit e deklaruar.
Numri i ukrainasve të deklaruar me censin e fundit ishte vetëm 0,5 për qind, edhe pse mediat raportuan për një numër të madh emigrantësh në Malin e Zi pas luftës në Ukrainë.