Çelja e Namazgjasë, debati për drejtimin dhe ndikimi turk

Inaugurimi i xhamisë së Namazgjasë u shoqërua me debatin se kush duhet ta drejtonte xhaminë, një imam turk apo shqiptar

411
Photo: Adnan Beci / AFP

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan mbërriti të enjten e 10 tetorit në Tiranë për një vizitë të beftë zyrtare.

Në axhendën e tij një ditore Presidenti turk dhe delegacioni i tij zhvilluan një takim në Presidencë me presidentin Bajram Begaj, më pas një takjm kokë më kokë me kryeministrin Edi Rama, që u pasua me firmosjen e disa marrëveshjeve bilaterale dhe një konferencë e përbashkët shtypi. Pasditen e asaj dite Presidenti Erdoğan së bashku me kreun e qeverisë shqiptare inauguruan xhaminë e Namazgjasë.

Gjithçka e protokolluar saktë me një axhendë të ngjeshur që në qendër të saj kishte hapjen e xhamisë së Namazgjasë

Inaugurimi i beftë, që pritej vite më parë, u shoqërua paraprakisht me diskutime në median shqiptare për ndikimin e Presidentit turk Erdogan në Shqipëri dhe mënyrën se si ai mund të influencojë kryeministrin Edi Rama dhe myslimanët shqiptarë.

Ekziston një debat i hapur prej vitesh për rritjen e influencës së Turqisë në ish hapësirat e Perandorisë Ottomane, kryesisht në Ballkan dhe Lindjen e afërme

Diskutimi rinisi pak ditë para inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë pas një postimi në Facebook nga imami turk Enes Bastur i cili njoftote se Drejtoria e Çështjeve Fetare në Turqi, e kishte caktuar të drejtonte xhaminë në fjalë

Ne foto: Postimi i imamit turk Enes Bastur

Për caktimin e imamit turk raportoi edhe CNN Turk

Deri atë ditë, Komuniteti Mysliman Shqiptar nuk përcolli deklaratë zyrtare. Postimi i imamit turk u shpërnda ndjeshëm në mediat shqiptare shoqëruar me narrativën se investimi mbi 30 milion euro nga Turqia do të kontrollohej nga një hoxhë i huaj   

Screenshot e artikullit pas postimit te imamit turk se do te drejtonte xhamine e Namazgjase

Komuniteti Shqiptar Mysliman reagoi zyrtarisht vetëm një ditë më pas, kur ishte fshirë postimi i imamit turk. Në deklaratë nuk përmendej as fare postimi i imamit Bastur, duke shmangur përplasjen direkte me Ankaranë  

screenshot e deklarates zyrtare te KMSH

Komuniteti Mysliman njoftonte se, në ceremoninë e inaugurimit të xhamisë së Namazgjasë, do të përfaqësohej zyrtarisht vetëm  nga Myftiu i Tiranës, z. Gazment Teqja, i emëruar edhe si kreu i bordit të fondacionit të përbashkët, mes KMSH dhe palës tjetër, që do të administronte Xhaminë e Namazgjasë më tej.

Në një njoftim të dytë nga selia myslimane ishte Myftinia e Tiranës (dhe jo KMSH) që njoftonte se, Myftiu i Tiranës z. Gazment Teqja do të ishte imami zyrtar i Xhamisë së Madhe të kryeqytetit.

screenshot e postimit te Myftinise se Tiranes

Reagimi i komunitetit mysliman nuk e shfryu debatin. Mediat iu referuan më pas një deklarate të ish-kryeministrit dhe kryetarit të PD-së, Sali Berisha i cili mungesën në inaugurim të kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar e shihte “si ofendim për të gjithë besimtarët myslimanë” Për më tepër, sipas tij, këto ishin forma “të ndërhyrjes antikushtetuese dhe të papranueshme politike nga brenda apo nga jashtë në çështjet e besimeve fetare” 

Hapja e xhamisë së Namazgjasë mbeti peng e qëndrimit kundërshtues të autoriteteve turke ndaj disa drejtuesve të Komunitetit shqiptar mysliman, të cilët i sheh si pjesë të organizatës “FETO”, e klerikut Fetullah Gylen, të cilën Ankaraja e ka shpallur organizatë terroriste pas grushtit të dështuar të shtetit në vitin 2016. 

Ish-kryetari i Komunitetit Mysliman, Skënder Bruçaj, tha për “Zërin e Amerikësse në çështjen e Xhamisë së Namazgjasë kishte ndodhur një ndërhyrje e egër politike nga faktorë të jashtëm, duke përmendur ndër radhë edhe mungesën e kryetarit të Komunitetit Mysliman Shqiptar në përurimin e Xhamisë së Namazgjasë.

Nga ana tjetër, nënkryetari i KMSH-së, Taulant Bica, theksonte po për “Zërin e Amerikës” se përurimi i Xhamisë ishte më i rëndësishëm se prania e titullarëve sipas rangut.  Për më tepër, Bica qaronte se çdo emërim sa i takon Xhamisë do të bëhej nga bordi i Fondacionit.

Media ndërkohë vijoi me detaje dytësore si prania e shtuar e sigurisë turke ditën e inaugurimit

screenshot e lajmit te publikuar diten e inaugurimit

I rikujtuan gjithashtu kryeministrit Rama një premtim të do viteve më parë se ai nuk do të priste më shirita në evente, ndryshe nga sa u pa krah Presidentit turk Erdogan gjatë ceremonisë

screen shot e lajmit te publikuar

Një premtim që, në fakt, Rama e ka thyer prej vitesh në të tjera evente që nuk kanë lidhje me Turqinë.

Kryeministri Edi Rama sfumoi debatin e ndezur në media përmes fjalës së mbajtur gjatë inaugurimit se, xhamia e madhe ishte pasqyrë e “një vëllazërie mirëfilli shqiptare”. Për kreun e ekzekutivit eventi ishte ilustrim i shumëçkaje të lidhur me besimin duke sjellë ndër mend edhe “ajetin e 6 sureve të para të Kuranit në gjuhën shqipe dhuruar nga një prej artizanëve të pavarësisë tiranasi Haxhi Hafiz Ibrahim Dalliu”.

Qëndrimi i distancuar i tij vijoi deri në fund të deklaratës kur tha se rruga e Shqipërisë ishte pa kthim, pa dallim feje, krahine dhe ideje. Jo më kot, ruajtjen e lirisë dhe identitetit Rama e lidhi me historinë e të parëve qysh prej kohës së Skënderbeut dhe më pas Ismail Qemalit. 

Të kaluarën preku edhe Presidenti i Turqisë, Rexhep Tayp Erdogan. Por në një tjetër këndvështrim. Ai e përshkoi xhaminë e Namazgjasë, si “më të madhen në Ballkan”, dhe pjesë të kujtimeve mes dy vendeve që, sipas tij, i ka rrënjët “shumë të thella duke tejkaluar dhe 6 shekuj

Duke folur në veten e parë shumës, Presidenti Erdogan tha gjithashtu se, xhamia e madhe e Namazgjasë ishte projektuar si një strukturë ku ndër të tjera “servirej shumë bukur arkitektura klasike osmane e cila dominon në Ballkan”.

Erdogan njoftoi se xhamia ishte e ndërtuar mbi 10 mijë metra katrorë, dhe do t’i shërbente po aq (10 mijë) besimtarëve myslimanë. Sipas tij, xhamia e Namazgjasë ishte ndërtuar jo vetëm si një objekt kulti, ibadeti, dhe adhurimi, por akoma më gjerë, si objekt multifunksional ku do të kishte edhe salla konferencash, bibliotekë dhe dhoma studimi

“Ne kështu synojmë të pasqyrojmë trashëgiminë e pasur kulturore të Shqipërisë nën moton e muzeut të bashkëjetesës së kulturave ballkanike që ndodhet brenda kompleksit të Xhamisë së Namazgjasë”, tha Erdogan, duke nënvizuar njëherazi se xhamia ishte shndërruar tashmë në një vepër të paprecedentë.

Photo: Adnan Beci / AFP

“Janë dy kombe, dy popuj të cilët vazhdimisht e kanë mbështetur njëri-tjetrin në çdo rast, në çdo fatkeqësi dhe i kanë qëndruar pranë njëri-tjetrit me të gjitha mundësitë”, tha presidenti turk. Pjesë e këtij bashkëpunimi ishte edhe dhurimi në të njëjtën ditë nga qeveria turke për Shqipërinë e disa dronëve kamikazë

Detaji nuk i shpëtoi kësaj here narrativës së medias greke (përcjellë përmbledhtas në mediat shqiptare) duke e trajtuar vizitën një ditore në Tiranë në formën e një lidhje të pandashme mes fuqisë ushtarake turke dhe ekspasionit të xhamive.

Komuniteti Mysliman Shqiptar ndërkohë iu kthye punës i patrazuar. Të paktën publikisht. Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe Myftinia e Tiranës njoftuan në faqet e tyre respektive në Facebook se, Myftiu Gazment Beqja-Bilal kishte përcjellë mesazhet e xhumasë së parë nga mimberi i Namazgjasë.

screenshot e postimit ne Facebook nga Myftinia e Tiranes

Ditën e inaugurimit ishte Kryetari i Entit për Çështjet fetare (Diyanet), Prof. Dr. Ali Erbas ai që bëri duanë me rastin e hapjes së xhamisë, pas fjalës përshëndetëse të kryeministrit Edi Rama dhe Presidentit të Truqisë, Rexhep Tayp Erdogan.