ERGYS KAVAJA
By Pass-i i Shkodrës, projekti që zgjat prej më shumë se një dekade, duhej të kishte përfunduar brenda kësaj vere, sipas një premtimi të kryeministrit Rama. Verifikimi në terren, në ditët e fundit të gushtit tregoi se punimet në rrugë vazhdonin duke krijuar kaos në trafik. Ndryshimi i herëpashershëm i projektit, pezullimet e punimeve, problemi i shpronësimeve dhe mosmarrëveshjet qeveri-bashki, kanë ndikuar në zvarritjen e procesit. Ndërkohë, e vetmja tabelë informuese për projektin, larg kantierit në hyrje të Shkodrës, tregon se ai duhej të ishte mbyllur 7 vite më parë.
“Mirëmëngjes dhe me bajpasin e Shkodrës që këtë verë do të jetë një frymëmarrje më shumë për shkodranët, me të gjithë elementet urbanë, trotuare, ndriçim, gjelbërim dhe korsi për biçikleta, ju uroj fundjavë të qetë” -shkruante kryeministri Rama në një postim në rrjetet sociale, në 5 qershor të këtij viti.
*Postimi i kryeministrit Rama
Kur klikuam këtë postim të mërkurën e 1 shtatorit, ai nuk hapet i plotë, edhe pse gjendet në listën e publikimeve të kryeministrit në rrjetet sociale.
Screenshot materiali i padisponueshëm
Screenshot materiali i padisponueshëm
Në ditët e fundit të gushtit ne bëmë një verifikim në terren, nëse projekti i bypassit të Shkodrës kishte përfunduar, por vumë re se kishin mbetur ende punime të papërfunduara që vijojnë të bëhen shkak për trafik dhe kaos në rrugë.
Foto nga punimet e fundit dhe trafiku në qytet
Foto nga punimet e fundit dhe trafiku në qytet
Foto nga punimet e fundit dhe trafiku në qytet
Gjatë verifikimit në terren kërkuam nëse kishte tabelë punimesh në kantier (një detyrim ligjor për çdo projekt publik), por e vetmja që gjetëm ndodhej në pjesën fundore të aksit Shkodër-Hani i Hotit dhe njoftonte se punimet për lotin 1 të projektit mbylleshin në 31 maj 2013!
*Tabela informuese mbi projektin e rrugës
By Passi ende nuk ka përfunduar dhe sezoni i verës kur hyrjet në kufi ishin të larta, u shoqërua me kaos dhe trafik mbytës, ndryshe nga ç’premtoi kryeministri. Ne kontrolluam edhe për njoftime nga Autoriteti Rrugor mbi ecurinë e këtij projekti, por përditësimi i fundit i ARRSH në faqen zyrtare në Facebook, i përket qershorit 2020.
Bypass-i zvarritur i Shkodrës, që parashikohet të përmirësojë ndër të tjera edhe mbrojtjen e qytetit nga përmbytjet e lumit Buna, u projektua në vitin 2010, ndërsa punimet nisën në vitin 2011.
Pas një dekade nga nisja e punimeve dhe dy mandateve qeverisëse që pasuan, projekti ende nuk ka përfunduar, kryesisht për shkak të ndryshimeve në projekt dhe problemeve me shpronësimet. Gjatë kësaj periudhe, punimet e By pass-it janë ndërprerë disa herë. Në vitin 2013 banorët që prekeshin nga ndërtimi I rrugës protestuan me kërkesën për pagesën e dëmshpërblimit, të cilën e morën vitin e kaluar, pas vendimit të qevrisë për çeljen e fondit prej 304 mln lekë.
Ndërkohë nga viti 2015 deri në vitin 2017 në këtë investim nuk kishte asnjë makineri të firmave kontraktuese.
Shuma e shpenzuar për Bypassin e Shkodrës, i konsideruar një investim prioritar për infrastrukturën dhe transportin, është 2 174 406 258 lekë . Ndërtimi i këtij bypass-i shmang hyrjen e automjeteve në qytet, duke lidhur aksin Tiranë-Shkodër me Shkodër-Hani i Hotit.