Buxheti për arsimin i përcaktuar nga qeveria socialiste është i një niveli shumë të ulët. Kjo ishte akuza e ngritur nga zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho. Si provë për këtë ajo krahasoi Shqipërinë me vendet e rajonit dhe iu referua një raporti të UNESCO-s. Verifikimi i Faktoje vërtetoi se buxheti për arsimin në 2024-ën ishte më i ulëti në 11 vitet e fundit. Shqipëria u rendit e fundit në rajon për nivelin e financimit të arsimit si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto.
Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë Erisa Xhixho në një deklaratë për media akuzoi qeverinë se buxheti për arsimin financohet në nivel shumë të ulët.
Duke referuar një raport të publikuar nga UNESCO, Xhixho theksoi se Shqipëria ka shënuar ‘një përkeqësim progresiv të raportit mes shpenzimeve për arsimin, me buxhetin dhe prodhimin e brendshëm bruto’.
“UNESCO konkludon se Shqipëria duhet urgjentisht të përmirësojë financimin në sektorin e arsimit dhe për një shpërndarje më të mirë të burimeve. Vetëm pak ditë më parë buxhetit të pamjaftueshëm për arsimin qeveria i hoqi edhe 700 milionë lekë. Gjatë vitit që lamë pas arsimi në Shqipëri është financuar sa 2.29% e PBB niveli më i ulët i të gjitha vendeve të ballkanit dhe shumë larg premtimit mashtrim të kësaj qeverie në 2013-ën e cila premtoi se ky buxhet do të shkonte në 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.” – Erisa Xhixho, zv.presidente, Partia e Lirisë.
Nisur nga kjo deklaratë Faktoje bëri një verifikim të financimit të arsimit në Shqipëri dhe raportin e saj me shpenzimet buxhetore dhe prodhimin e brendshëm bruto.
Në raportin e UNESCO, referuar nga Xhixho, thuhet se ‘shpenzimet qeveritare për arsimin janë mjaft të ulëta në raport me PBB-në dhe të ulëta në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit’.
“Shpenzimet për arsimin janë rritur gjatë dekadës së fundit, por me një ritëm më të ulët sebuxheti total i qeverisë ose PBB-ja.
Shpenzimet për arsimin ishin afër 12% të
buxhetit të qeverisë dhe 3.5% të PBB-së në fillim të viteve 2010, por mund tëzbresin në 9.5% të buxhetit të planifikuar për vitin 2023.”
– – UNESCO, Analiza për Sektorin e Arsimit
Buxheti për arsimin në Shqipëri
Për të dhënë një pasqyrë më të plotë të financimit qeveritar për arsimin, Faktoje përfshiu në analizë edhe buxhetin e vitit 2024 dhe atë të miratuar së fundmi për vitin 2025.
Shifrat tregojnë se viti 2024 shënoi nivelin më të ulët të financimit për arsimin si përqindje e prodhimit të brendshëm bruto, në 11 vjet.
Deklarata e Xhixhos, se “buxhetit të pamjaftueshëm për arsimin qeveria i hoqi edhe 700 milionë lekë”, lidhet me ndryshimin në buxhet që qeveria bëri në muajin dhjetor 2024 përmes një akti normativ.
Sipas këtij vendimi, buxheti për arsimin e lartë të vitit 2024, nga 55,753,566 lekë shkoi në 55,000,186 lekë, duke e ulur buxhetin e arsimit në total me 753 milionë lekë.
Nëse krahasojmë rritjen e shpenzimeve totale buxhetore mbi PBB-në me atë të buxhetit të arsimit mbi PBB, rezulton se për vitin 2025 shpenzimet totale të qeverisë janë rritur me 1.1% ndërsa shpenzimet për arsimin me 0.2%. Pas 12 vite qeverisje, ky buxhet i financimit të arsimit është ende shumë larg premtimit të socialistëve në 2013 që synonte 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.
Buxheti për arsimin krahasuar me vendet e Ballkanit
Raporti i UNESCO-s në krahasimin mes vendeve të Ballkanit sa i përket financimit të arsimit referon shifra jo të përditësuara për tre vitet e fundit. Ndaj për të pasur një pasqyrë më të qartë të këtij krahasimi Faktoje gjeti dhe përpunoi të dhënat për vitin 2024 për Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut, Kosovën dhe Serbinë.
Gjetjet tregojnë se buxheti për arsimin nga qeveria shqiptare është më i ulëti në vendet e rajonit.
Përfundim
Nisur nga këto të dhëna, deklaratën e zëvendës presidentes së PL-së Erisa Xhixho për nivelin e ulët të financimit të arsimit nga buxheti i shtetit e kategorizojmë si të vërtetë.