Buxheti 2027, ministria e Mbrojtjes rrit fondet, lë jashtë kompaninë “KAYO”

Rreth 43.6 mld lekë janë parashikuar për shpenzime kapitale, ku përfshihen sistemet ajrore, kundër dronëve

9

Ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, prezantoi në Kuvend projektbuxhetin e Mbrojtjes për vitin 2027, duke u përballur me një sërë pyetjesh dhe akuzash nga deputetët e opozitës, veçanërisht për çështjen e kompanisë ushtarake shtetërore “KAYO”. 

Gjatë diskutimeve, opozita kërkoi sqarime mbi fondet publike të dhëna për “KAYO”-n, duke deklaruar se Prokuroria e Posaçme po heton dyshimet për shkelje në tendera dhe abuzim me paratë publike. 

Deputeti i partisë “Mundësia”, Erald Kapri ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi aktivitetin real të kompanisë, prodhimin e armëve dhe akuzat për trafik armësh.

Në përgjigjen e tij, Nufi deklaroi se “KAYO” ka pasur të miratuar vetëm 3 milionë euro kapital themeltar për vitin 2026 dhe se nuk ka përfituar fonde të tjera nga buxheti i shtetit për bashkëpunimet tregtare. 

“Unë them atë që kam me letra në Thesarin e Shtetit, ka vetëm 3 milionë euro kapital themeltar”,  tha ai.

Ministri theksoi se për vitin 2027 nuk është parashikuar asnjë zë financiar për kompaninë.

“KAYO nuk ka marrë para për asnjë nga bashkëpunimet tregtare. Ne sot kemi një bashkëpunim me Timac Defense”, deklaroi Nufi, duke shtuar se kompania ka nevojë për më shumë financim nëse synohet zhvillimi i kapaciteteve për prodhimin e motorëve dhe komponentëve të tjerë.

Sa i përket kompanisë AAT, ministri sqaroi se ajo ka marrë përsipër prodhimin e armëve mbi bazën e patentave, por pranoi se deri më tani prodhimi nuk ka nisur. 

“Nëse deklarata ime është keqkuptuar, shoqëria AAT ka marrë përsipër të prodhojë në bazë të patentave, sot që flasim nuk ka filluar prodhimi”, tha ai.

Nufi i hodhi poshtë akuzat e opozitës për trafik armësh, duke i cilësuar ato të rënda dhe me frymë antikombëtare. 

“Nuk merrem me filma dhe spektakle emisionesh në darkë. Do zhgënjeheni shumë në fund të kësaj historie”, u shpreh ministri, duke theksuar se Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s, nuk merret me trafik armësh.

Ndërkohë, buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2027 parashikohet në 76.7 miliardë lekë, nga 69.23 miliardë lekë që ishte në vitin 2026. 

Sipas të dhënave të prezantuara, financimi pëson një rritje prej rreth 7.4 miliardë lekësh. 

Ministri Nufi bëri me dije se 6.9 miliardë lekë shtesë do të shkojnë për shpenzimet e lidhura drejtpërdrejt me mbrojtjen, ndërsa financimi total për sektorin, sipas tij, arrin në 2.6% të PBB-së. Ndërkohë, 2.35% e PBB-së lidhet me shpenzimet për “Core Defence”.

Rreth 43.6 miliardë lekë janë parashikuar për shpenzime kapitale, ku përfshihen sistemet ajrore, kundër dronëve dhe zhvillimi i kapaciteteve detare, ndërsa 15 miliardë lekë do të shkojnë për personelin.

Prioritetet e tjera përfshijnë investimet në infrastrukturën ushtarake, përmirësimin e kapaciteteve operacionale dhe forcimin e mbrojtjes civile. 

Sa i përket emergjencave civile, diskutimet në Kuvend u përqendruan edhe te ulja e fondit nga 1 miliard në 800 milionë lekë, pavarësisht nevojave për menaxhimin e përmbytjeve, zjarreve dhe emergjencave të tjera.

Artikulli paraprakPunimet vijojnë te Muzeu i Lundrimit në Shkodër
Erion Abule
Erion Abule ka përfunduar studimet për Ekonomi/financë në Universitetin e Tiranës. Pas më shumë se një dekade përvojë në gazetën “Sporti Shqiptar”, ka punuar në gazetën “Shqip” dhe si kryeredaktor i “Shqip online” në periudhën maj 2014, deri në qershor 2019 me aktualitetin politik dhe kronikën. Prej 7 vitesh, ka punuar si gazetar në Gazeta Si Online, ku është marrë kryesisht me aktualitetin, kronikën, gjeopolitikën dhe përgatitjen e analizave ndërkombëtare. Në Faktoje.al do të merret me verifikimin e deklaratave publike dhe çështje të institucioneve të drejtësisë.