KLARA DERVISHI
Paketa fiskale që parashikon uljen e normës së kompensimit të prodhuesve bujqësorë dhe vendosja e TVSH për furnizimin me impute bujqësore, po shkakton regres në bujqësi. Këtë e thonë ekspertët dhe fermerët, që po preken nga këto pasoja, të cilat thellohen edhe më shumë nga ndikimi i luftës në Ukrainë. Pavarësisht zotimeve në tri mandatet e fundit qeverisëse, për mbështetjen e sektorit të bujqësisë, grupet e interesit japin alarmin se fermerët po braktisn tokat duke reduktuar me rreth 25% sipërfaqet e kultuvuara gjatë këtij viti.
9 vite më parë, ndërsa priste të merrte mandatin e parë qeverisës, kryeministri Edi Rama premtoi një mbështetje të madhe për bujqësinë si një nga tri shtyllat ku do mbështetej ekonomia shqiptare. Të njëjtin premtim që bëri në 2013-n, qeveria e ricikloi edhe në fushatën e vitit 2017 dhe në vitin 2021.
Pjesë nga programi i qeverisë 2021-2025
Nga një verifikim për Faktoje referuar të dhënave zyrtare, vëzhgimit në terren, dëshmisë së fermerëve dhe analizës së ekspertëve, rezulton se qeveria ka shkelur premtimin e dhënë përgjatë gjithë mandateve. Sipas shifrave të publikuara, mbështetja që qeveria shqiptare ka dhënë për bujqësinë rezulton të jetë më e ulëta në rajon.
Burimi, Këshilli i Agrobiznesit
Goditja që sektori i bujqësisë mori, ishte sidomos gjatë këtij viti, ku me paketën fiskale u vendos të ulej norma e kompensimit të prodhuesit bujqësor dhe të vendosej TVSH për furnizimin me impute bujqësore (plehrat kimike, pesticidet, farat, fidanët etj).
Sokol Sulo, fermer, Lushnje
Sokol Sulo është një fermer i vogël në fshatin Karbunarë të Lushnjes. Ai tregon për Faktoje se me kursimet e disa viteve investoi në 3 dynym tokë në sera të cilat i mbolli me domate dhe kastravec. Por siç dëshmiohet edhe nga foto më lart, ai vendosi t´i braktisë ato në vitin 2022.
“Tregu i pagarantuar dhe rritja e inputeve bujqësore më detyruan të mos mbjell më në serat e mia dhe t´i lë ato në këtë gjendje. Këtu punoja bashkë me familjen time, por nëse do të kisha mbjellë sivjet, jo vetëm që nuk do merrja mbrapsht shpenzimet e mia, por do kisha dalë me humbje. Fitimet apo të ardhurat që mora nga prodhimet e një viti më parë nuk mjaftonin që unë të kisha mundësi të blija as inputet bujqësore. Kam falimentuar dhe nuk di si do mbaj tani familjen.“-thotë Sulo.
Toka e fermerit Soko Sulo e pambjellë, Karbunarë Lushnje
Serat e braktisura nga fermerët në Lushnje
Ekspertët parashikojnë disa nga dëmet që sipas tyre do të sjellë paketa e vitit 2022: Ulje të prodhimit vendas, nevoja për eksport me çmime më të larta, rritje e inflacionit dhe dëmtim i tokës së mbjellë më parë, që kërkon investime të dyfishuara në rast se do mbillet vitin tjetër.
Por sa llogaritet aktualisht çmimi i inputeve bujqësore?
Të dhënat tregojnë se Nitrati është rritur 3 herë më shumë në krahasim me një vit më parë dhe se të gjitha çmimet e tjera kanë pësuar rritje të paktën dyfish më shumë se vjet.
Burimi, Këshilli i Agrobiznesit
Lufta Rusi-Ukrainë i thellon edhe më shumë pasojat në bujqësi, duke qënë se Shqipëria importon nga vendet në konflikt, plehrat kimikë.
Autoriteti i Konkurrencës gjobiti më 25 Mars tri kompani në tregun e importit dhe shitjes me shumicë të plehrave kimike, pasi rezultoi se kanë rritur në mënyrë të menjëhershme çmimet.
Sipas Autoritetit, Agro Blend SHPK, MBM SHPK dhe CACA SHPK, kishin rritur në mënyrë të njëkohshme dhe të menjëhershme çmimin e shitjes me shumicë duke përcaktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë çmimet e shitjes duke ndarë tregjet.
Por ekspertët thonë për Faktoje se goditja që bujqësia mori këtë vit do të kërkojë minimumi dy vite për t´u rikuperuar, nëse qeveria ndërhyn tani.
I pyetur nga Faktoje eksperti i Bujqësisë Ndoc Fasllia argumenton:
“Mungesa e subvencioneve për fermerët dhe për inputet bujqësore, ka bërë që çmimi i plehrave kimike të rritet afërsisht 3 herë. Çmimi i pesticideve është rritur afro 2 herë dhe po ashtu çmimi i farërave dhe fidanëve është rritur 1,5 herë. Kjo ka bërë që interesi i fermerëve për të kultivuar tokën bujqësore të ulet ndjeshëm, pasi kostoja e prodhimit del më e lartë se çmimet e shitjes në treg, pra prodhimi bujqësor del me humbje dhe fermeri nuk ka interes të prodhojë.“
Megjithatë, ndryshe nga çfarë dëshmojnë fermerët dhe parashikojnë ekspertët, kryeministri Rama në një takim me fermerët disa ditë më parë tha se sipërfaqja e tokës së punur prej vitit 2013, është dyfishuar.
“Në këto 7 vite e pak që ne jemi në krye të detyrës kemi dyfishuar sipërfaqen e tokës që punohet. Në Shqipëri në vitin 2013 punoheshin afro 125 mijë ha tokë, ndërsa sot jemi në 250 mijë ha tokë.“-tha kryeministri.
Por eksperti Faslia thotë se në vitin 2022 sipërfaqa e tokës së papunuar është ulur me 25%.
“Për vitin 2022, sipërfaqja e mbjellë me drithëra është ulur me rreth 20 %, sipërfaqja e mbjellë me perime fushe me 25 % dhe sipërfaqja e mbjellë me sera me 15 %. Për pasojë, pritet që deri në fund të këtij viti, të kemi 20 -25 % më pak prodhim vendas, si edhe falimentim të një numri të konsiderueshëm të fermave bujqësore dhe blegtorale në vend.“-argumenton ai.
Përfaqësuesi i Këshillit të Agrobiznesit, Agim Rrapaj thotë për Faktoje se qeveria në Paketën fiskale të vitit 2022, ka vepruar pa një strategji të qartë për bujqësinë duke dëmtuar edhe konsumatorët në vend:
“Ndryshimi i TVSH për imputet ka efekt të drejtpërdrejtë në prodhim pasi ai frenon inisiativën e fermërve, veprimtarinë e tyre për hedhjen e plehut kimik dhe të ushqyesve të tjerë të bimëve dhe këto bimë pa plehrat kimike dhe pa ushyqesit e tjerë do kenë një rendiment më të ulët. Duke pasur rendimet të ulët, natyrisht që do ketë edhe një kosto më të lartë. Mos‘hedhja e plehrave kimike dhe ushqyesve të tjerë do të rezultojë me një ulje të prodhimit me rreth 30%, sipas llogaritjeve që janë bërë nga shumë fermerë të cilët kanë mbjellë veçanërisht drithëra. Të gjitha këto kanë bërë që në shumë ferma të ulet edhe tendenca që kishin për rritjen e sipërfaqes së tokës së kultivuar dhe në tërësi ne kemi një sipërfaqe toke të papërdorur ose tëpapunuar, mund të themi prej 100 mijë hektarësh dhe kjo sipërfaqe toke mbetet djerrë”.
Dëmet nga ulja e subvencioneve?
Ulja e subvnecioneve për bujqësinë i dha një goditje edhe më të madhe fermerëve . Këshilli i Agrobiznesit propozon ndryshimin e skemës .
“Duhet të ndryshojë skema dhe të kalohet nga skema aktuale në skemën e rimbursimit për njësi prodhimi. Është skema më e mirë, më e drejtë dhe në koherencë me vendet e rajonit. Vendet e rajonit duhet të unifikohen për konkurencë të ndershme.“-sugjeron kreu i këtij këshilli Agim Rrapaj.
Të dhënat e regjistrimit nga Këshilli i Agrobiznesit tregojnë se në momentin që u fut TVSH kemi pasur vetëm 3 mijë fermerë të formalizuar dhe nga momenti kur morën NIPT, numri i tyre shkoi në 46 mijë brenda dy viteve. Me futjen e instrumentit tjetër të subvencionimit të çmimit të karburantit, numri i fermerëve të formalizuar shkoi në 68 mijë.
Në kushtet kur prodhimi vendas parashikohet të ulet, Shqipëria do të detyrohet të importojë nga vendet e rajonit edhe pse disa ditë më parë kryeministri Rama tha se synohet që eksportet të shkojnë në 1 miliardë euro.
“Sot jemi në thuajse gjysmë miliardi dhe ambicia jonë është të shkojmë në 1 miliard deri në fund të këtij mandati, mirëpo ju jeni këtu në zonën që u prek më shumë nga tërmeti dhe e dini shumë mirë se çfarë do me thënë të goditesh nga lart. Ndërkohë që ne bëjmë planet, ne nuk i kemi në dorë ngjarjet, askush nuk i ka në dorë ngjarjet. Ne bëjmë plane në familjen tonë, larg qoftë ndodh diçka, ndryshon plani komplet.” – garantoi kryeministri pak ditë më parë.
Të dhënat flasin se shporta e konsumit në vend është e përqendruar kryesisht në prodhime të vendit si domate, kastravec, qepë, patate dhe frutat e stinës, përveç agrumeve, të cilat sipas ekspertëve do të rrisin inflacionin për shkak të nevojës për import.
Çmimet e rritura të të perimeve në treg, mars 2022
Sektorin e bujqësisë, po t’u referohesh premtimeve që kanë dhënë, e kanë pasur prioritet të gjitha qeveritë e djathta apo të majta në Shqipëri, por fakt është që në vitin 2022, Shqipëria edhe pse një vend me minimumin e tokës për prodhim në rajon, ka ende tokë të papërdorur dhe vijon të lëkundë nismën apo vullnetin e fermerëve për t‘iu kthyer përfundimisht kultivimit të saj.