ANXHELA RUÇI
Siguria në plazhe duhet pranuar se është një nga pikat e dobta të turizmit në Shqipëri. Vetëm në vitin 2017-të, gjatë sezonit të verës në plazhet e vendit janë regjistruar 29 të vdekur, shifër kjo e pohuar edhe nga vetë ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi.
Ministri ishte pothuajse bindës kur gjatë një debati në studion e Opinion, në çelje të sezonit turistik tha: “Në çdo plazh të vendit, në çdo zonë bregdetare janë krijuar ekipet e trajnimit, dhe është futur licensimi. Asnjë plazh nuk do të lejohet të funksionojë në vitin 2018-të nëqoftëse nuk ka personin e trajnuar për ndihmën e shpejtë, i veshur ashtu siç duhet dhe me mjetet e nevojshme.”
Një deklaratë e tillë nuk është bërë për herë të parë, madje sipas një vendimi të Këshillit të Ministrave të vitit 2014-të, vrojtuesit e plazhit janë kriter i detyrueshëm që subjektet private duhet të zbatojnë.
Vrojtuesit e plazhit të padukshëm në plazhet kryesore të vendit
“Faktoje” ka qenë në disa plazhe, përfshirë Shëngjinin, Durrësin, Vlorën, Sarandën, Talen dhe Pogradecin. Nga kontrolli në terren, asnjë prej këtyre pikave të rëndësishme turistike nuk kishte vrojtues, madje shumë rrallë viheshin re kulla vrojtimi, të cilat në shumicën e rasteve ishin jo funksionale.
Në Shëngjin, në kullën e një prej subjekteve private qëndronte një person i sigurisë i cili nuk kishte asnjë mjet (pajisje) të përcaktuara me detyrim sipas VKM-sw (dylbi, bilbil, kutinë e ndihmës së shpejtë, megafon, komerdare etj). Për më tepër ai nuk qëndronte gjatë gjithë kohës duke vrojtuar plazhin por kishte dhe funksione të tjera ndihmëse.
Në Durrës, në vendin e quajtur si “Plazhi i madh” gjendet vetëm kulla dhe asnjë roje bregdetare. E njëjta gjë mund të thuhet dhe për plazhin e Pogradecit.
Në Zvërnec të Vlorës, pronari i një subjekti privat sqaron se ai së bashku me tre biznese të tjera, në fillim të korrikut kishin paguar 8000 lekë për trajnimin e një roje bregdetare dhe koha kur ai kthehej nga trajnimi ishte pikërisht fundi i sezonit turistik.
Ndërsa në Tale, kulla as që ishte përfunduar, jo më të besosh se një person mund të qëndronte në të dhe prej andej të vëzhgonte situatën për të dhënë ndihmën e parë për pushuesit.
Pushteti qendror dhe lokal, të painteresuar për sigurinë në plazhe
I rikthehemi edhe njëherë deklaratës së Klosit se asnjë plazh nuk do të funksionojë në vitin 2018 pa ndihmën e shpejtë. Kujtojmë ministrin se që nga muaji maj deri në ditët e para të muajit korrik, në plazhet shqiptare kanë humbur jetën gjashtë persona. Çfarë duhet të presë më shumë Ministria e Mjedisit dhe Turizmit së bashku me Bashkitë respektive për të detyruar subjektet private të përcaktojnë roje bregdetare?
Duke qenë se nga vëzhgimi në terren i “Faktoje”, rezulton se pjesa më e madhe e plazheve nuk kanë roje bregdetare por vetëm disa kulla të cilat në shumicën e rasteve janë veçse struktura, deklaratën e Blendi Klosit do ta klasifikojmë GËNJESHTËR.