Nga mesdita e sotme (27 Nëntor 2024) Sali Berisha ndodhet në gjendje të lirë. Ai ka rifituar lirinë e plotë pasi qëndroi 11 muaj në arrest shtëpie. Berisha kishte refuzuar më herët të zbatonte urdhërin e Gjykatës së Posaçme për t’u paraqitur dy herë në muaj, pranë një oficeri të policisë gjyqësore.
SPAK kërkoi të mërkurën (27 shtator) vijimin e sigurisë ndaj tij, por avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, tha se GJKKO revokoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi’ dhe çdo masë tjetër me argumentin se nuk ekzistojnë kushtet apo kriteret për asnjë masë sigurie. “Sot Berisha është i lirë dhe pa asnjë masë sigurimi ndaj tij. Prokuroria kërkoi arrestin në shtëpi, por lirimi ishte kërkesa jonë. Kërkesa është bërë pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese”, tha Gjokutaj. Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri publike vendimin për revokimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “arrest në shtepi”, por pa shpjeguar arsyet se pse.
Prokuroria e Posaçme është shprehur se do të ankimojë vendimin e GJKKO.
“Pasi Prokuroria e Posaçme të njihet me vendimin e zbardhur të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar do të vijojë procedurën e ankimimit në Gjykatën e Posaçme të Apelit. Ndërkohë seanca paraprake për gjykimin në themel të çështjes vazhdon në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në reagimin e SPAK.
Berisha pretendoi një vit më parë se masa e vendosur për detyrim paraqitje ishte antikushtetues pasi duhej kërkuar më parë autorizimi i parlamentit. Por Gjykata Kushtetuese, më 21 Nentor, i dha të drejtë Prokurorisë së Posaçme duke vlerësuar se masa detyrim paraqitje në policinë gjyqësore “nuk kufizonte liritë e tij personale” Sa i përket masës së sigurimit “ndalim i daljes jashtë vendit”, Gjykata me shumicë votash vlerësoi se kërkimi i autorizimit të Kuvendit nga Prokuroria për këtë masë nuk ishte i nevojshëm.
Sali Berisha ndërkohë u mor zyrtarisht i pandehur më 11 shtator 2024 për korrupsion pasiv pasi akuzohet se duke shfrytëzuar postin e tij si kryeministër ai ka ndërmarrë veprime në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv “Partizani”, ku përfitues ishte edhe dhëndrri i tij, Jamarbër Malltezi. SPAK ka theksuar më herët se ish kryeministri Berisha kreu veprime aktive për të vendosur në dispozicion të Malltezit struktura të ndryshme të administratës shtetërore për realizimin e procesit të privatizimit të pronës shtetërore. Dëmi ekonomik, sipas SPAK, kap vlerën e 4.3 milionë eurove si pasojë e zhvlerësimit të ndërtesave që ndodheshin në tokën e cila nga sportive ishte kthyer në tokë ndërtimi.
Berisha nga ana tjetër ka hedhur poshtë pretendimet duke i cilësuar akuzat të papaza dhe me prapavijë politike
Më 16 dhjetor GJKKO do të vendosë nëse do të kalojë për gjykim dosjen e privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’.
Sali Berisha ndërkohë është i lirë të ushtrojë aktivitetin e tij politik jashtë dyerve të shtëpisë. Pas mesdite ai mblodhi median për një konferencë shtypi dhe më pas grupin parlamentar të Partisë Demokratike
Më herët, Berisha tha para një grupi demokratësh, që ishin mbledhur në oborrin e selisë, se beteja e tij vazhdon. Gjatë fjalës së tij, Berisha falënderoi mbështetësit, por edhe gjyqtaren që revokoi masën, Flojera Davidhi. Ai u shpreh se gjyqtarja nderoi ligjin dhe moralin. Hapi i radhës, sipas tij, do të jetë kërkesa drejtuar Ramës për qeveri teknike.
“Edi Rama, krijo qeverinë teknike, mos e zvarrit kot narkopushtetin tënd! Se vetë Zoti e ka thënë, që të kthehem unë, pastroni shtëpinë. Ne do pastrojmë shtëpinë tonë me ndihmën e Zotit, besimin e pakthyeshëm në vlerat dhe parimet tona! Krijo qeverinë teknike se mosbindja civile është gati në radhë. Këta burra e gra, djem dhe vajza do kenë liderin e tyre me vete. Këto shqiptarë duan përgjigje nga ty!…Prandaj ke vetëm një rrugë. Qeverinë teknike! Dhe të shkojmë në zgjedhje të lira”, tha ai.