.

.

BallinaPertejBeteja për të fituar implantin koklear falas

Beteja për të fituar implantin koklear falas

Autore: Afize Nelaj, studente 

Prindërit e Giselit e kuptuan se ai kishte probleme me dëgjimin vetëm kur mbushi dy vjeç. Pas një vizite në poliklinikë e Pogradecit, për një kontroll më të specilizuar ata ju drejtuan shërbimit ORL në spitalin qëndror Nënë Tereza në Tiranë . Mjekët konfirmuar frikën e tyre, Giseli vuante nga humbja e dëgjimit- Hypoacusia.

Dy vjeçari kishte nevojë për implantin koklear, një pajisje që mund t’ju rikthejë dëgjimin e dobishëm personave me humbje të rënda ose të thella të dëgjimit (shurdhim nervor), implantohet në fëmijët që kanë shurdhësi të thellë dhe nuk përfitojnë më nga asnjë ndihmesë tjetër dëgjimi. 

Ky shërbim ofrohet falas dhe në të tilla raste, mjekët rekomandojnë që implanti të vihet deri në moshën 4 vjeçare. 

Por, labirinthi i procedurave administrative dhe shëndetësore bëri që Giseli të mos përfitonte në kohën e duhur aparatin që përmirëson dëgjimin. Pas një procesi gjyqësor administrativ dhe civil, drejtësia vendosi që mjekët t’i mundësonin pajisjen e dëgjimit kur Giseli ishte 7 vjeç.

I mituri, në bashkëpunim me përfaqësuesit ligjor të Komitetit Shqiptar të Helsinkit mundën t’a fitonin gjyqin. 

Por shkak të vonesës, problemi në dëgjim u shtua, dhe rrjedhimisht Giseli shfaqi probleme edhe në të folur. Ndaj, krahas impiantit falas, familja u dëshmpërblye pasi institucionet përgjegjëse, u gjobitën me masën 6.838.590 lekë (të reja) për dëmin e shkaktuar.

32 ndërhyrje falas në 5 vite

Historia e Giselit nuk është një rast i izoluar. Pranverën e vitit 2021, B.M mamaja e një foshnje të porsalindur i rrëfeu mjekës pediatre shqetësimin e saj. Me kalimin e javëve të para, nëna e djalit kuptoi se foshnja nuk reagonte ndaj zhurmave. 

“Mjekja pediatre më tha të prisja gjashtë muaj pasi në këto muaj fëmijët nuk reagojnë nga zhurmat. Pas gjashtë muajsh, ju drejtuam ORL-së, ku mjekja më tha që duhet të vija përsëri pas një viti sepse sipas saj djali mund të ishte autik. Fëmijët shurdh në spitale quhen ‘budallenj’, kështu ma kanë quajtur djalin edhe në praninë time”, rrëfen e ema e djalit të vogël. 

Të dëshpëruar për të mësuar të vërtetën, prindërtit e djalit të vogël shkuan në Itali.

“Pas vizitave atje, mësova se djali nuk mund të dëgjonte dhe për pasojë nuk reagonte nga zhurmat.” -tregon ajo.

Kur u kthyen në Tiranë, çifti nisi të interesohej për ndërhyrjen e implantit koklear, sipas rekomandimit të mjekëve italianë. 

“Përpara ndërhyrjes djali duhet të bënte rezonancën magnetike, por mjeku përgjegjës thjesht na tha; ‘Nuk dua t’jua bëj, nuk më bie mendja kush jeni’. Pas shumë vajtje-ardhjesh dhe pa asnjë zgjidhje, qoftë nga Fondi, qoftë nga spitali, shkuam në Gjermani dhe e kryem ndërhyrjen atje falas.” – tregon B.M.

Të dhënat zyrtare tregojnë se nga viti 2020 e deri në gjysmën e parë të këtij viti, 32 fëmijë kanë përfituar implante kokleare falas në shtet.

“Ju informojmë se në shërbimin ORL, QSUNT nuk ka listë pritjeje për implantim.”- thekson shërbimi i O.R.L-së pas një kërkese për informacion.

Prapavijë

Ndërhyrja e parë falas për implatin koklear në Shqipëri u realizua tek dy fëmijë në vitin 2009, pranë Spitalit Amerikan në bashkëpunim me Universitetin e Vienës dhe Qendrën Spitalore Universitare.  

Më tej, në vitin 2017, pranë shërbimit të ORL-së në Qendrën Spitalore ‘Nënë tereza’ u realizuan ndërhyrjet e para kirurgjikale për vendosjen e implanteve koklear tek tre fëmijë me probleme të thella dëgjimi. 

Shërbimi u zyrtarizua falas në tetor të vitit 2020, ku për herë të parë në vendin tonë 5 fëmijë nga mosha 2 deri në 7 vjeç mundën të përfitonin nga kjo paketë me financim të plotë nga shteti.

Nisur nga ky premtim, familja e Giselit pasi nuk gjeti zgjidhje për 2 vjet, ndërmori një betejë ligjore të përfaqësuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit.

Padia e ngritur, bazohej në Vendimin e Këshillit të Ministrave, që miraton një sërë paketash shëndetësore që financohen nga shteti. Garantimi falas i shërbimit të implantit koklear është pjesë e kësaj VKM-je.

Kostoja totale e këtij shërbimi, arrin vlerën 290 mijë lekë nga të cilat 270 mijë janë për impiantin dhe 20 mijë si kosto për ndërhyrjen kirurgjikale. Kjo paketë është një nga ndërhyrjet më të shtrenjta që rimbursohet nga shteti.

Institucionet e ngarkuara janë Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe QSUT “Nënë Tereza”.

E gjithë procedura që nga buxhetimi e deri tek konsultat e vizitat që duhet të kryejë fëmija përpara ndërhyrjes, janë të pasqyruara në Regjistrin Kombëtar të Paketave të Shërbimeve Shëndetësore – që administrohet nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. 

Në rastin e Giselit, Fondi nuk kishte përmbushur detyrimin administrativ edhe pse kishte në përgjegjësi vendimin e konsultës, formularin që tregon se fëmija kishte nevojë urgjente për këtë ndërhyrje dhe regjistrimin e të miturit në Regjistrin Kombëtar të Paketave.

Nga ana tjetër, Ministrisa e Shëndetësisë dhe QSUT kanë detyrimin e gjetjes së implantit koklear dhe realizimit të ndërhyrjes kirurgjikale. Po edhe këto institucione nuk e ndihmuan Giselin.

Shënim

Lajmi i publikuar më 20/08/2024 u korrigjua, pasi ndërhyrja e parë falas për implatin koklear në Shqipëri është realizuar tek dy fëmijë në vitin 2009, pranë Spitalit Amerikan në bashkëpunim me Universitetin e Vienës dhe Qendrën Spitalore Universitare- dhe jo në vitin 2017, sikurse shkruhej në artikullin e Faktoje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img