BE: Demokraci e brishtë, SPAK me vlerësime pozitive, mjedisi në stanjacion

Progres-raporti i Komisionit Europian: Shqipëria me përparim të pjesshëm dhe sfida të qëndrueshme

33

Kryeministri Edi Rama ka marrë të martën progres-raportin 95-faqësh të Komisionit Europian për Shqipërinë, i cili evidenton përparim të kufizuar në disa fusha, ndërsa thekson nevojën për reforma të thella në demokraci, sundimin e ligjit dhe qeverisje.

Demokracia

Në kapitullin për demokracinë, Komisioni Europian i referohet zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe rekomandimeve të OSBE/ODIHR, duke kërkuar një reformë zgjedhore gjithëpërfshirëse.

Duke cituar raportin e OSBE/ODIHR, Komisioni Europian vëren se zgjedhjet u zhvilluan  në mënyrë profesionale, por u shoqëruan edhe më mangësi “përfshi mungesën e kushteve të barabarta për të gjithë garuesit dhe abuzim me burimet publike”

Kuvendi cilësohet si funksional “vetëm pjesërisht”, për shkak të “polarizimit politik, mungesës së dialogut politik të sinqertë dhe përplasjeve mes shumicës qeverisëse dhe opozitës, ndërkohë që proceset e konsultimit publik mbetën të kufizuara”

Kuvendi pengohet gjithashtu nga mbikëqyrja e kufizuar ndaj ekzekutivit, ndërsa politizimi i emërimeve parlamentare në pozicione të larta në organet kushtetuese ose institucionet e pavarura të krijuara me ligj mbetet një çështje serioze

Referuar raportit, procesi i integrimit në BE duhet të jetë më gjithëpërfshirës, ndërpartiak dhe i mbështetur nga mekanizma efektivë konsultimi.

SPAK dhe lufta kundër korrupsionit

SPAK vlerësohet gjerësisht për rezultatet në hetimin e korrupsionit në nivele të larta. Nuk thuhet e njëjta për Prokurorinë e Përgjithshmë dhe Policinë e Shtetit.

“Që nga themelimi i saj, SPAK ka dhënë rezultate pozitive në luftën kundër korrupsionit. Organet e tjera të ngarkuara me luftën kundër korrupsionit, në veçanti Prokuroria e Përgjithshme dhe policia e shtetit, kanë ende nevojë të përmirësojnë rezultatet e tyre në këtë fushë”, thuhet në progres-raport.

Sipas raportit, policia e shtetit mbetet e cenueshme ndaj korrupsionit.

Raporti vëren se rezultatet në luftën kundër korrupsionit janë përmirësuar për rastet në nivele të larta por janë përkeqësuar lehtë për rastet që nuk prekin ato nivele.

Sipas raportit, “kuadri institucional për parandalimin e korrupsionit vazhdon të ketë ndikim të kufizuar, përfshi sektorët vulnerabël, dhe koordinimi me organet e zbatimit të ligjit mbetet i dobët”

“Duhet të garantohet menaxhimi në kohë dhe i duhur i pasurive të sekuestruara dhe të konfiskuara, përfshirë asetet virtuale dhe kriptovalutat, pasi nuk ka një portofol digjital shtetëror të disponueshëm”, thuhet në raport.

Raporti vëren gjithashtu mungesë të një qasjeje strategjike për identifikimin dhe konfiskimin e pasurive kriminale jashtë vendit.

Drejtësia dhe emërimet

Ndërkohë, efiçenca e sistemit të drejtësisë mbetet e kufizuar. Sipas raportit, ajo mbetet e penguar nga zvarritja e procedurave dhe akumulimi i çështjeve të prapambetura, sidomos në gjykatat e Apelit.

Publikimi i vendimeve shpesh vonohet përtej afateve ligjore, ndërsa menaxhimi i dobët i seancave dhe mungesa e avokatëve mbrojtës përbëjnë pengesa shtesë për funksionimin e sistemit.

Ndërkohë, sipas raportit, proceset e emërimeve në sistemin e drejtësisë në Shqipëri mbeten sfiduese dhe kërkojnë përmirësim të standardeve të meritës dhe pavarësisë.

Komisioni Europian nënvizon se duhet garantuar një procedurë konkurruese dhe transparente për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK.

Raporti evidenton pasiguri ligjore lidhur me përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, si dhe probleme në zbatimin e meritokracisë për magjistratët.

Qeverisja dhe ndarja e pushteteve

Në fushën e qeverisjes, raporti përmend nevojën për më shumë transparencë, koordinim institucional dhe respektim të ndarjes së pushteteve.

Komisioni kritikon retorikën politike si nga shumica qeverisëse ashtu edhe nga opozita ndaj sistemit gjyqësor, e cila sipas raportit “rrezikon të dëmtojë ndarjen e qartë mes pushtetit ekzekutiv dhe gjyqësorit”.

Qeveria, gjithashtu duhet të përmbahet nga “retorika dhe masat që nuk janë në përputhje me standardet e BE-së”.

Përmendet gjithashtu nevoja për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe digjitalizimin e administratës vendore.

Ndërhyrjet e qeverisë në bashki dhe vala e dorëheqjeve në korrik 2025 janë cilësuar shqetësuese në kontekstin e Kartës Evropiane për Vetëqeverisjen Vendore.

“Ndarja e qartë e përgjegjësive mes qeverisjes qendrore dhe asaj vendore mbetet një çështje problematike”, thuhet në raport.

Mjedisi dhe ndryshimet klimatike

Referuar progres-raportit mjedisi mbetet fusha ku Shqipëria nuk ka bërë përparim.

Nuk është arritur progres në menaxhimin e mbetjeve, cilësinë e ujit dhe ajrit apo mbrojtjen e biodiversitetit.

As për elimimin e zhurmës, vërehet se nuk është bërë përparim, pasi Shqipëria nuk ka përgatitur harta strategjike  dhe plane veprimi

BE kërkon miratimin urgjent të ligjit për menaxhimin e integruar të mbetjeve dhe paralajmëron se vendime te marra më herët si ndërtimi i një TEC-i në mars të këtij viti (për të cilin ka shkruar më herët edhe Faktoje) “mund të rrezikojë aftësinë e vendit për të përmbushur objektivat klimatike dhe për t’u përafruar me ato të BE-së”.

Vërehet gjithashtu se ligji për paketën e maleve “mund të sjellë  pasoja për pëdorimin lokal të tokës dhe menaxhimin mjedisor”.   

Ekonomia, biznesi dhe investimet

Edhe pse raporti njeh disa përmirësime në klimën e biznesit dhe reformën në drejtësi, zvarritja e proceseve gjyqësore mbetet pengesë. Ligji i unifikuar për investimet është shtyrë, ndërsa ai për investimet strategjike është zgjatur deri në vitin 2026.

Edhe pse masat e marra deri më tash synojnë të nxisin aktivitetin ekonomik, raporti vëren se “ato kanë ngritur shqetësime lidhur me transparencën dhe aksesin e barabartë, favorizimin dhe mungesën e proceseve konkurruese”.

Vërehet gjithashtu se është bërë përparim i kufizuar në përafrimin e kuadrit ligjor për prokurimin publik.

Ndërkohë, ndërmarrjet shtetërore, sipas raportit, paraqesin risqe fiskale. Ndaj dhe monitorimi i tyre, sipas Komisionit Europian, është thelbësor.

Liria e shprehjes dhe media

Raporti evidenton se liria e shprehjes mbetet problematike. Gazetarët përballen me frikësime, sulme verbale dhe fizike, si dhe fushata denigruese online. Shqipëria nuk ka bërë përparim në mbrojtjen ligjore të gazetarëve, ndërsa përqendrimi i pronësisë mediatike dhe mungesa e transparencës mbi financimin vazhdojnë të rrezikojnë pluralizmin mediatik, sipas raportit.

Progres-raporti nënvizon gjithashtu se Kodi Penal nuk ofron mbrojtje specifike për gazetarët në ushtrimin e detyrës.

Shoqëria civile

Organizatat e shoqërisë civile vijojnë të punojnë në një mjedis “pjesërisht mundësues”, me vështirësi në sigurimin e financimeve publike dhe rritjen e narrativave negative dhe fushatave denigruese në internet ndaj tyre.

Artikulli paraprakIdentiteti Digjital në Britani nuk kushtëzohet me pagesë për shërbimet
Nevila Gjata
Nevila (Perndoj) Gjata iu bashkua Stafit të Faktoje.al si kryeredaktore në këtë media Ajo vjen në këtë pozicion pas një përvoje 24 vjeçare si gazetare në median e shkruar: “Koha Jonë”, “Shekulli”, “Mapo”, më pas online GazetaSi.al (në disa prej tyre edhe redaktore politike) si dhe bashkëpunëtore e jashtme për Revistën “Mapo”. Dy vitet e fundit ka qenë bashkëpunëtore e jashtme e Faktoje.al. Ka bashkëpunuar gjithashtu në të kaluarën me Zyrën GIZ Tirana “Programi Migrimi për Zhvillim”. Ajo ka mbuluar zhvillimet politike në vend në këtë çerek shekulli, ka realizuar intervista me personazhe kyç dhe profile të tyre, si dhe ka përgatitur analiza për zhvillimet politike në vend, rajon dhe botë.