.

.

BallinaFaktometerE PavërtetëBanorët të pakënaqur me cilësinë e shtëpive të rindërtuara, por bashkitë thonë se s’kanë marrë ankesa

Banorët të pakënaqur me cilësinë e shtëpive të rindërtuara, por bashkitë thonë se s’kanë marrë ankesa

Procesi i rindërtimit pas tërmetit tragjik të nëntorit 2019 u shoqërua me një sërë premtimesh për strehim në kohë rekord dhe punime cilësore. Ata që më në fund arritën të kenë shtëpinë e re ankohen për cilësinë e dobët të punimeve nga kompanitë e kontraktuara. Nga verifikimi i Faktoje në Kurbin, Lezhë e Shijak  institucionet vendore nuk kanë marrë ankesa, ndërsa FSHZH si zbatuese e projekteve sqaron se ka një kontratë garancie 2-vjeçare për objektet e rindërtuara. Inxhinierët argujmentojnë se problemet në cilësinë e rindërtimit lidhen me faktin se në tre fazat e procesit të përforcimit, operojnë subjekte të ndryshme.

——————————————————————————–

Tërmeti i 26 nëntorit të vitit 2019 la qindra familje pa banesa, ndërsa zyrtarët premtuan ndërtimin e shtëpive në kohë rekord:

“Shtëpitë e reja do të rindërtohen me standarde europiane”, deklaroi ndër të tjera kryeministri Edi Rama në shkurt të vitit 2020.

Mirëpo, banorë, të cilët përfituan nga procesi i rindërtimit në disa bashki, konkretisht në Lezhë, Shijak dhe Kurbin shprehën shqetësimin për Faktoje në lidhje me cilësinë e dobët të punimeve.

Banorët e lagjes “Gurra” në Lezhë treguan se cilësia e punimeve është e dobët dhe këtë e kanë konstatuar që nga pllakat, muret, por edhe ashensorët e vënë në pallate.

Lagjia “Gurra”, Lezhë 9 nëntor

Lagjia “Gurra”, Lezhë 9 nëntor

Në lagjen “Erzeni” në Shijak, qytetarët ngritën të njëjtin shqetësim: “Gjërat na i kanë lënë gjysmake, i kemi bërë vetë. Le që pllakat, muret nuk duken cilësore, por ç’të bëjmë”.

Banesë private e rindërtuar në lagjen “Erzeni”, nëntor 2022

I njëjti problem është edhe në Bashkinë Kurbin, ku banorët ankohen për cilësinë e dobët që nis që nga baza materiale.

“Po bëhet një masakër në Kurbin me banesat private, sepse janë përgjysmuar komplet objektet, sipërfaqet edhe gjithçka, baza materiale, inertet janë ndryshe. Nuk ka cilësi. Nuk ka zbatim të projekteve. Është tmerr me i pa! Këtu po bëhen kafaze pëllumbash, kotece pulash, dhe nuk bëhen shtëpi banimi’, tregon i shqetësuar një banor i Kurbinit.

Nisur nga shqetësimet e qytetarëve, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bashkisë Lezhë, asaj të Shijakut si dhe Bashkisë Kurbin.

Kërkesa për informacion dërguar FSHZH, 14 dhjetor 2022

Në përgjigjen zyrtare, FSHZH sqaron se nuk kanë pasur ankesa nga qytetarët në lidhje me cilësinë e ndërtimeve, duke shtuar se në bazë të kontratave të nënshkruara, pas përfundimit të punimeve ka një periudhë garancie 2-vjeçare për objektet.

“Në lidhje me kërkesën tuaj rreth cilësisë së punimeve në banesat e reja ndërtuar në kuadër të Programit të Rindërtimit në Bashkitë Lezhë, Kurbin dhe Shijak lutemi të specifikoni banesat ku bazoni pretendimin tuaj pasi deri më tani, pranë Fondit Shqiptar të Zhvillimit, nuk janë paraqitur ankesa nga banorët dhe as nga mbikqyrësit e punimeve në këto Bashki.

Theksojmë se, kontratat e lidhura dhe punimet realizohen në përputhje me kërkesat e kuadrit rregullator në fuqi. Në çdo rast, pas përfundimit të punimeve fillon periudha 2-vjeçare e garancisë së punimeve ku kontraktori është përgjegjës për riparimet dhe defektet që mund të vijnë si rezultat i cilësisë së punimeve”, argumenton FSHZH.

Për sa i përket shqetësimeve të ngritura nga qytetarët për Faktoje, Bashkia Lezhë na adresoi tek Fondi Shqiptar i Zhvillimit, pasi ky i fundit është pala zbatuese për projektin.

Përgjigjia e Bashkisë Lezhë, 1 dhjetor 2022

Ndërsa, Bashkia Shijak theksoi se në adresë të institucionit nuk është adresuar asnjë ankesë referuar këtyre çështjeve.

Përgjigjja e Bashkisë Shijak, 21 nëntor 2022

Bashkia e Kurbinit ende nuk i është përgjigjur kërkesës për informacion të dërguar nga Faktoje që në datën 21 nëntor.

Cilësia e dobët e punimeve është ngritur si shqetësim edhe nga banorët në Rrogozhinë, të cilët treguan se si ishin plasaritur muret e shtëpive te reja.

Inxhinieri Rikard Luka thekson se problemi i ndërtesave nisi që në muajin shtator 2019 pas tërmetit të parë që goditi vendin, ku një pjesë e banesave thjesht u rregulluan bukur, pa ndërhyrë në strukturën që kishte pësuar dëmtim.

“Tërmeti i 26 nëntorit u parapri nga një që ishte në shtator dhe mbaj mend që aty u bënë disa vlerësime dhe të gjithë iu futën një procesi meremetimesh, jo përforcimesh.

Shumë subjekte bënë meremetimin dhe çfarë ndodhi realisht? U maskua problemi, u bë një suvatim i bukur, u bë një lyerje, një maskim i bukur i problemit, por ato çarjet e elementëve mbajtës, kolona, trarë, ato ngelën aty të ‘pashëruara’, por thjesht u maskuan me një velë të bukur, me ngjyra dhe suvatime cilësore. Mirëpo, vetë problemi i strukturës mbajtëse ishte i dëmtuar”, shprehet zoti Luka.

Sipas inxhinierit, një tjetër element që sjell edhe problemet në cilësinë e rindërtimit lidhet me faktin se në tri fazat e procesit të përforcimit, operojnë subjekte të ndryshme.

“Procesi ka tri faza kryesore. Një përforcim që bëhet ka një projekt paraprakisht. Kjo tani është subjekt i vetë dijeve që ka inxhinieri që bën këtë projekt dhe pastaj vazhdojmë me pjesën tjetër, që është procesi i zbatimit të tij. Një person mund të bëjë një projekt shumë të mirë, por e merr një kompani tjetër për ta zbatuar dhe cilësia e punëtorëve që ka, nuk janë në nivelin e duhur, nuk merr vesh projektin. Ideja është se si çdo kompani do të fitojë sa më shumë, fillon kursimin në materiale dhe këtu është diçka që ngelet në aspektin vullnetar ose e ndërgjegjes së gjithësecilit kjo cilësi. Tani, çfarë ndodh?

Procesi i zbatimit të punimeve shoqërohet edhe me një proces supervizimi. Dhe ky është një proces tjetër që e kam me merak, sepse është fiks një proces që qytetarët shfaqin ankesa. Një supervizor aty ka firmosur dhe ka thënë që gjithçka është në rregull. Këtu është një problem madhor. Në procesin e rindërtimit duhet të kemi parasysh edhe diçka, është para publike dhe supervizorin nuk e përcakton më firma private që bën punimet, por e cakton vetë shteti për të monitoruar firmën e ndërtimit, vetë Bashkia në rastin konkret. Në këtë rast, sa është kryer ky supervizim, sidomos në këto rastet flagrante ku vetë qytetarët ankohen, ky tani është një merak i madh”, sqaron ai.

Më tej, inxhinieri Luka shprehet se sot përzgjedhja e kompanive fituese bëhet me tender dhe jo domosdoshmërisht zgjidhet më i miri dhe sigurisht ky është një proces që ndikon edhe në ndërtimin e objekteve.

“Tani gjërat bëhen me tender. Nuk zgjidhet më i miri, por zgjidhet më i liri. Dhe në këtë aspekt mund të ketë sjellë shpeshherë edhe problemet e veta. Unë nuk i vë faj as komisionit të vlerësimit të ofertave, sepse ata i kapin për shkelje, nëse zgjedhin më të mirin. Ka ndodhur realisht që janë skualifikuar ekspertë shumë të mirë në hartimin e objekteve të përforcimit, sepse kanë paraqitur një ofertë më të shtrenjtë, sepse ky është sistemi në të cilin operojmë”, argumenton inxhineri Rikard Luka.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img